Inspektorati Qendror i Punës ka ndaluar punimet në dy kantiere ndërtimi, një në Prizren dhe një në Suharekë, pas konstatimit të shkeljeve të rënda të rregullave të sigurisë në punë.
Sipas njoftimit të institucionit, gjatë inspektimeve janë evidentuar parregullsi që paraqisnin rrezik serioz për jetën dhe shëndetin e punëtorëve.
“Si rezultat, Inspektorati Qendror i Punës ka marrë vendim për ndalimin e menjëhershëm të punimeve në të dy kantieret deri në eliminimin e plotë të parregullsive të evidentuara. Këto masa synojnë parandalimin e aksidenteve në vendin e punës dhe garantimin e kushteve të sigurta për punëtorët”, thuhet në njoftim.
Institucioni bëri të ditur se subjektet e inspektuara janë obliguar t’i eliminojnë të gjitha mangësitë e konstatuara, ndërsa punimet do të mund të rifillojnë vetëm pasi inspektorët të verifikojnë se janë përmbushur kërkesat ligjore dhe standardet për sigurinë dhe shëndetin në punë.
Inspektorati Qendror i Punës theksoi se do të vazhdojë kontrollet intensive në të gjithë territorin e Kosovës, duke paralajmëruar masa ndaj çdo subjekti që cenon sigurinë e punëtorëve.
Po ashtu, u bëri thirrje të gjithë punëdhënësve që të respektojnë me përpikëri dispozitat ligjore dhe të sigurojnë kushte të sigurta pune, duke theksuar se mbrojtja e jetës dhe shëndetit të punëtorëve mbetet prioritet i panegociueshëm.