×
  • Lajme
  • Lajme

    Sa vjet do t’i përdorë Danimarka burgjet e Kosovës?

    Reporteri
    16 Dhjetor 2021 | 15:34

    Kosova do t’ia lëshojë me qira 300 qeli të burgjeve Danimarkës, përmes një marrëveshje që pritet të nënshkruhet të hënën. Nga kjo marrëveshje, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro. Por, për sa vjet do t’i ketë në shfrytëzim Danimarka këto qeli?

    Bazuar në njoftimin e Ministrisë së Drejtësisë, kjo marrëveshje parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare.

    “Nënshkrimi i letër-qëllimit, shprehja e vullnetit, mes të dy palëve, do të arrihet ditën e hënë, gjegjësisht, më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës. Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare”, ka njoftuar MD’ja.

    Ministria i është zotuar Danimarkës për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar.

    Të dënuarit që do të transferohen në këtë institucion thuhet se s’do të jenë të rrezikshërisë së lartë.

    Si kompensim, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro. Këto para do të dedikohen “edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme”.

    “Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të tranferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtrishme.

    Nga ky kompenzim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës, ndaj të cilit do të ndikojë në ngritjen e cilësisë dhe infrastrukturës së përgjithshme të këtij shërbimi. Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të denuarëve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh”, thuhet në njoftimin e Ministrisë.

    Ndryshe, Ministri i Drejtësisë së Danimarkës, Nick Haekkerup, ka deklaruar se kjo është duke u bërë me qëllim që të zgjerohen kapacitetet e burgjeve të Danimarkës, raporton Nyhyeder.

    “Kemi mungesë të mbi një mijë vendeve në Shërbimin Danez të Burgjeve dhe të Paraburgimit deri më 2025. Jam i lumtur të them se me marrëveshjen e arritur bashkërisht po e trajtojmë këtë çështje”.

    “Në mes të gjerave të tjera, jemi pajtuar se puna duhet të përfundojë për huazimin e qelive në Kosovë për t’i deportuar të burgosurit nga vendet e treta. Ne jemi duke i zgjeruar burgjet daneze për periudha afatshkurta dhe afatgjata”, ka deklaruar Haekkerup .

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!