Devolli Corporation, partneri kosovar i rrjetit televiziv amerikan CNN përmes kanalit D1CNN, ishte ndër pjesëmarrësit e ngjarjes ndërkombëtare “Global Perspectives”, të organizuar në Doha të Katarit.
Iniciativa e CNN-it, “Global Perspectives: In Doha”, është një platformë e re e rëndësishme ndërkombëtare që bashkon liderë politikë, drejtues biznesi dhe personalitete të njohura për të diskutuar zhvillimet që po formësojnë të ardhmen globale. Përmes gazetarisë dhe analizave të CNN-it, kjo nismë krijon hapësirë për shkëmbimin e ideve dhe perspektivave mbi çështjet kryesore ndërkombëtare.

Shkëlqim Devolli, aksionar i Devolli Corporation, dhe Adriatik Kelmendi, anëtar i bordit, morën pjesë në punimet e konferencës, ku zhvilluan takime me drejtuesit dhe disa prej gazetarëve më të njohur të rrjetit CNN.
Përveç takimit me drejtorin ekzekutiv të CNN-it, Mark Thompson, delegacioni zhvilloi takime edhe me gazetarët e njohur ndërkombëtarisht Wolf Blitzer, Christiane Amanpour, Richard Quest, Becky Anderson dhe përfaqësues të tjerë të rrjetit.
Në hapjen e konferencës morën pjesë edhe kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Katarit, Sheikh Mohammed bin Abdulrahman bin Jassim Al Thani, si dhe Sheikha Al Mayassa bint Hamad bin Khalifa Al Thani, motra e Emirit të Katarit, së bashku me personalitete të tjera të jetës publike dhe ndërkombëtare, përfshirë ish-Sekretarin amerikan të Shtetit, John Kerry.
Bashkëpunimi i Devolli Corporation me CNN, përmes kanalit D1CNN, i cili hapet së shpejti, përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e lidhjeve me median ndërkombëtare dhe zgjerimin e horizonteve të bashkëpunimit. Pjesëmarrja në “Global Perspectives” në Doha dëshmon angazhimin e kompanisë për partneritete me standarde globale dhe për krijimin e mundësive të reja të zhvillimit.





