×
  • Lajme
  • Lajme

    Shefja e BE-së, Apostolova: Taksa po pengon agjendën e reformave evropiane të Kosovës

    Reporteri
    14 Mars 2019 | 16:42

    Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian, Natalyia Apostolova, i vë fajin tarifës ndaj produkteve serbe për mos lansimin të Agjendës për Reforma Evropiane, ERA 2.


    Ajo thotë se lansimi i ERA 2 do bëhet vetëm pasi të pjeken kushtet.

    “Ne jemi në fillimin e lansimit të ERA 2 dhe mendoj se do të bëjmë një ceremoni, por kur kushtet politike të jenë të favorshme, po flas për tarifat e vendosura të cilat po na pengojnë në vazhdimin e procedurave”, deklaroi Apostolova në tryezën e Institutit të Prishtinës për Studime Politike, ku u diskutua zbatimi i Agjendës për Reforma Evropiane.

    Ndaj kësaj deklarate heshti ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha, e cila tha se, që nga fillimi i këtij procesi, janë zbatuar plotësisht 11 nga 22 prioritete dhe të tjerat janë në zbatim e sipër.

    “Presim që gjatë vitit 2019 të rrisim dinamikën e zbatimit të prioriteteve dhe do të përpiqemi të tejkalojmë planet”, tha Hoxha.

    Kujtojmë se ERA është dokument i përbashkët i Kosovës dhe BE-së nën Marrëveshjen për Stabilizim dhe Asociim dhe ka filluar së zbatuari më 11 nëntor 2016, në takimin e parë të Dialogut të nivelit të lartë në mes të Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

    Pakoja e ligjeve që ndërlidhen me integrimin evropian, është e madhe dhe në të bëjnë pjesë ligje nga sektorë të ndryshëm, si qeverisje të mirë, sundim të ligjit, konkurrencë dhe klimë të investimeve, edukim dhe punësim.

    Ndryshe Bashkimi Evropian po kërkon në vazhdimësi nga institucioneve kosovare ta heqin tarifën pasi sipas tyre një gjë e tillë është në kundërshtim me marrëveshjen e tregtisë së lirë mes vendeve të rajonit si dhe po pengon vazhdimin e bisedimeve për normalizim raportesh Kosovë-Serbi.

    Thirrje për heqjen e taksës ka bërë edhe SHBA, duke thënë se ajo nuk përkon me interesat amerikane.

    Përkundër këtyre thirrjeve nga ndërkombëtarët, kryeministri Ramush Haradinaj mbetet i palëkundur në qendrimin e tij. Ai prerazi në çdo konferencë dhe paraqitje mediale pohon se taksa nuk do largohet sa do jetë ai kryeministër, vetëm nëse Serbia njeh Kosovën si shtet.
    Taksa siç dihet ka lëkundur jo pak edhe raportet mes koalicionit qeverisës, pasi PDK tashmë ë pro heqjes së taksës me arsyetimin se duhet dëgjuar SHBA-ne, por që AAK po reziston. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!