×
  • Lajme
  • Lajme

    Shumica e qytetarëve të Serbisë konsiderojnë se Kosova është e humbur

    Reporteri
    28 Mars 2019 | 16:43

    Shumica e qytetarëve të Serbisë konsiderojnë se Kosova tashmë është e humbur dhe se shteti serb nuk është në gjendje që mbi të, të vendos sërish sovranitet të plotë. Por, ata besojnë se Qeveria e Serbisë nuk do ta njohë Kosovën dhe shumica prej tyre do të votonin kundër njohjes në rast të një referendumi eventual, tregon një hulumtim i bërë nga Instituti i Beogradit për Çështje Evropiane.


    Në hulumtim, 47 për qind e të anketuarve kanë vlerësuar se Kosova tashmë është e humbur, kurse qëndrim të kundërt kanë shprehur 21 për qind e të anketuarve, gjersa 12 për qind kanë thënë se nuk kanë përgjigje, shkruan Reporteri.net.

    Qytetarët e anketuar kryesisht kanë deklaruar se nuk kanë marrë pjesë në dialogun e brendshëm dhe se nuk e kanë të qartë se çka nënkupton shkëmbimi i territoreve, por që shumica janë kundër këtij propozimi.

    Rezultatet e hulumtimit tregojnë se 93 për qind e të anketuarve nuk kanë marrë pjesë në dialogun e brendshëm për Kosovën, 3 për qind janë shprehur se kanë marrë pjesë, kurse 4 për qind kanë qenë pa përgjigje.

    Më shumë se gjysma e të anketuarve (54 për qind) kanë vlerësuar se qeveria e tanishme nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, përgjigje kjo që kryesisht u dha nga personat e moshës mbi 60 vjeçare, banorë të regjionit perëndimor të Serbisë me Shumadinë, derisa tek të anketuarit me shkallë më të lartë të arsimimit bie numri i atyre që mendojnë se Serbia nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës.

    Rreth 27 për qind e të anketuarve kanë vlerësuar se Qeveria serbe do ta njohë pavarësinë e Kosovës, derisa 19 për qind kanë deklaruar se nuk kanë përgjigje.

    Në hulumtim, madje 78 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk do ta përkrahnin njohjen e pavarësisë së Kosovës me kushtin që vendi të bëhet anëtar i BE-së. Vetëm 13 për qind e qytetarëve janë përgjigjur se do ta përkrahnin njohjen e pavarësisë së Kosovës nëse ky do të ishte kusht për përshpejtimin e rrugës drejt BE-së.

    Hulumtimi po ashtu tregoi se ndonëse kundërshtojnë njohjen e Kosovës, pothuajse gjysma e të anketuarve, përkatësisht 49 për qind prej tyre konsideron se nuk është reale që Serbia të vendosë sërish sovranitet të plotë mbi Kosovën.

    Më pak se 36 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se kjo është e realizueshme, derisa 15 për qind prej tyre nuk kanë pasur përgjigje për këtë pyetje, shkruan agjencia serbe e lajmeve ‘Beta’.

    Në hulumtim 57 për qind e të anketuarve kanë deklaruar se nuk e kanë idenë se çka do të thotë korrigjimi i kufijve mes Serbisë dhe Kosovës, përcjellë në shqip Reporteri.net. 29 për qind e qytetarëve me korrigjim nënkuptojnë ndarjen, ku veriu i Kosovës do t’i takonte Serbisë, kurse Lugina e Preshevës do t’i kthehej Kosovës, derisa 14 për qind  konsideron se vendosja e kufijve është përputhje me kufijtë e tanishëm administrativ.

    Gati gjysma, 41,8 për qind e të anketuarve kanë thënë se nuk përkrahin shkëmbimin e territoreve mes Serbisë dhe Kosovës.

    Në pyetjen se si do të votonin nëse nesër në Serbi do të mbahej referendum për njohjen e pavarësisë së Kosovës, 75,4 për qind janë përgjigjur se do të votonin kundër, gjersa 6,2 për qind kanë thënë se do të votonin pro, 11,0 për qind kanë thënë se nuk do të dilnin në referendum, gjersa 8,3 për qind nuk kanë pasur përgjigje. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!