×
  • Lajme
  • Lajme

    Si u bë që Haradinaj të pres në zyrën e tij biznesmenë të dyshuar për mashtrime gati miliardëshe në Indi?

    Reporteri
    22 Mars 2019 | 16:57

    Autor: Gentrit Dibrani


    Qeveria e Kosovës ka hedhur fajin tek autoritet e sigurisë në rast se del që dy investitorë potencialë në Kosovë, nga India – vëllezërit Sandesara – kërkohen për vjedhjen e 725 milionë dollarëve.


    Këshilltari i Kryeministrit, Eroll Belegu, ka thënë për Reporteri.net se personat që Haradinaj disa javë më parë i priti në zyrë, paraprakisht janë verifikuar nga AKI-ja.

    “Paraprakisht është verfiku prej AKI-së”, tha Belegu.

    Tutje, ai ka mohuar se njëri prej personave që po pretendohet se janë duke u kërkuar nga India për vjedhje gati milardëshe, të jetë i njëjti me atë që ka takuar Haradinaj muajin e shkuar.

    “Dje e kemi verifiku dhe nuk është i njëjti person”, tha Belegu për Reporteri.net.

    Mediat kanë raportuar se “investitori” në fjalë i Qeverisë Haradinaj është arrestuar në aeroportin e Tiranës, mirëpo këshilltari Belegu ka insistuar se bëhet fjalë për një tjetër person.

    “Ai person është verifiku prej shërbimeve tona, dhe biznesmeni me të cilin është takuar kryeministri nuk ka qenë nga India, por nga Nigeria dhe është një biznesmen që investon shumë, sidomos në Shqipëri”, ka insistuar këshilltari biznesmen i kryeministrit Haradinaj.

    Në fakt, e vërteta del ndryshe, pasi raportohet se Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara nuk janë nga Nigeria, por vetëm se autoritet indiane kishin besuar se ata janë arrestuar në Nigeri.

    Për më tepër, duhet theksuar se nga të gjitha raportimet dhe faktet e deritanishme bëhet fjalë për kompaninë e njëjtë, “Sandesara Group”.

    Nitin Sandesara dhe Chetankumar Sandesara, që më 22 shkurt 2019 qëndruan në Prishtinë, ku u dakorduan me Kryeministrin Ramush Haradinaj për të investuar në Kosovë, del se kanë një urdhër ekstradimi nga një gjykatë në New Delhi.

    Të dy ata, në vendin e tyre të origjinës – Indi – janë konsideruar si “maja e ajsbergut” të një skandali gjigant financiar, në të cilin përfshihen edhe Kosova e Shqipëria.

    “Nga përfaqësuesi i ‘Sandesara Group’ nga Nigeria, Cheetan Sandesara, u njoftova për interesimin për të investuar në sektorin e turizmit dhe të bujqësisë në bashkëpunim me degën e tyre në Amerikë. Kosova ka një spektër të gjerë ofertash për investimet e huaja direkte dhe si rezultat i reformës fiskale, lehtësirave tatimore dhe garantimit të kapitalit të tyre nga Qeveria, interesimi i investitorëve për vendin tonë është rritur hovshëm”, kishte shkruar Haradinaj në profilin e tij në Facebook.

    Dy vëllezërit Sandesara, akuzohen edhe për një skemë pastrimi parash prej 725 milionë dollarësh amerikanë.

    Ata, aktualisht janë duke ndërtuar pallate në Shqipëri. Madje kanë marrë edhe nënshtetësinë shqiptare. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!