×
  • Lajme
  • Lajme

    Sindikatat e shohin vendim tendencioz të Qeverisë që mjekët e profesorët ta deklarojnë pasurinë

    Reporteri
    10 Dhjetor 2021 | 16:44

    Qeveria “Kurti” nuk i ka punët mirë me Sindikata. Derisa ditë më parë ministri i Financave, Hekuran Murati i quajti ato “të kapura”, sot zëvendësministri i Drejtësisë Blerim Sallahu, propozoi që mjekët dhe profesorët në institucionet publike të futen në listën e zyrtarëve publikë që duhet ta deklarojnë pasurinë. Këtë vendim, Sindikatat po e shohin si tendencë të Qeverisë karshi veprimeve të fundit të tyre, teksa thonë se për hir të transparencës do ta deklarojnë pasurinë, posa ky Ligj të miratohet në Kuvendin e Kosovës

    Qeveria e Kosovës ka marrë sot vendim që mjekët e licencuar dhe profesorët që punojnë në institucionet publike të arsimit të lartë, të futen në listën e zyrtarëve publikë që janë të detyruar që ta deklarojnë pasurinë. E ky vendim i Qeverisë është mirëpritur nga Sindikatat. Nga SBASHK-u dhe Federata e Punëtorëve Shëndetësorë thonë se janë të gatshëm që të deklarojnë pasurinë sipas Ligjit, nëse ky vendimi nuk është marrë me tendencë.

    Edhe mjekët e profesorët do të duhet ta deklarojnë pasurinë

    Kryetari i Federatës së Punëtorëve Shëndetësor të Kosovës, Blerim Syla ka thënë se shpreson që ky vendim nuk është marrë me tendencë ndaj tyre. Syla theksoi se do të jetë transparent dhe do ta deklarojë pasurinë kur kjo të rregullohet me Ligj.

    “Nëse është me hy në Ligj, në rregull. Unë nuk jam kundër që të ndodhë kjo që po deklarojnë, por jam kundër që ka një tendencë tjetër këtu. Po e shoh si një tendencë e që tek e fundit nuk kemi se çfarë me mshefë, as mjekët e as profesorët. Nëse kjo keqpërdoret nga politika atëherë lë shumë për të dëshiruar”, ka thënë ai për Express.

    Qeveria dhe sindikatat, sidomos ajo e mësimdhënësve dhe e mjekëve kanë hyrë në një konflikt publik. Syla pyet se ku janë edhe kategoritë tjera që s’po futen në listë dhe pse Qeveria po kërkon që pikërisht mjekët dhe mësimdhënësit ta deklarojnë pasurinë.

    Mendim pak a shumë të njëjtë ka edhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Kulturës (SBASHK), Rrahman Jasharaj. Në një deklaratë për gazetën, ai tha se Qeveria ka pasur punë tjera për të bërë, teksa shtoi se gjendja e punëtorëve në arsim është e rëndë.

    “Konsideroj që Qeveria ka mjaft punë të tjera për të bërë. Sidoqoftë është vendim i Qeverisë dhe po them duke bërë këtë vlerësim dhe duke i detyruar punëtorët e arsimit, e mbase kanë menduar vetëm për ligjëruesit në Fakultet, por nëse e kanë menduar për të gjithë atëherë edhe Qeveria do ta shoh që punëtorët e arsimit shumica e tyre janë me paga nën nivelin mesatar në Kosovë dhe jetojnë një jetë, po them me gjuhën më të butë, modeste me plot probleme, me kredi”, ka thënë ai.

    Jasharaj vuri dyshimin se ky vendim i Qeverisë ka ardhur si kundërpërgjigje ndaj veprimit të fundit të sindikatave, që po kërkojnë miratimin e Ligjit për Pagat.

    “Qeveria po mundet ta bëjë këtë, pse jo është mbase një përgjigje ndaj angazhimeve tona ndoshta mendon për të na hequr kështu, por ne jemi në Kosovë, jetojmë në Kosovë dhe do t’i kryejmë të gjitha obligimet e tona, por edhe njëherë po them që Qeveria ka shumë punë, për të bërë pa u marrë me këto imtësia”, tha më tutje.

    Udhëheqësi i SBAShK-ut i bëri thirrje Qeverisë që t’i marrë në konsideratë letrat që po u vijnë lidhur me raportet me sindikatat në vend.

    “Ne jemi qytetarë të Kosovës dhe i respektojmë ligjet e Kosovës qofshin ato edhe me gabime. Do t’i shkojë huq edhe kjo tendencë që me ja mbyllë dikujt gojën, nëse e ka këtë tendencë, nëse e ka tendencën e mirë le ta bëjnë”.

    Ndërkohë, në mbledhjen e sotme të Qeverisë së Kosovës, u miratua kërkesa Ministrisë së Drejtësisë që në listën e zyrtarëve publik që deklarojnë pasurinë, të hyjnë në këtë mes edhe mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike.

    “Me këtë projektligj përmbyllet pako anti-korrupsion. Ky projektligj mundëson deklarimin e pasurisë online.  Të dhënat do të jenë lehtësisht të regjistrueshme edhe në institucionet e tjera. Është bërë kategorizim i ri i zyrtarëve për deklarim të pasurisë. Në kategorinë e zyrtarëve publik janë shtuar mjekët e licencuar dhe profesorët e universiteteve publike”, ka thënë zëvendësministri i Drejtësisë, Blerim Sallahu.

    Projektligji me ndryshime për deklarimin, prejardhjen dhe kontrollin e pasurisë dhe të dhuratave tani e pret miratimin edhe në Kuvend.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!