×
  • Lajme
  • Lajme

    S’ka BE për asnjërën pa marrëveshje Kosovë-Serbi, Cramon kërkon të shfrytëzohet “uniteti aktual transatlantik”

    Reporteri
    25 Tetor 2022 | 14:16
    Raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian dhe Eurodeputetja, Viola von Cramon

    Ka unitet trans-atlantik dhe kjo është dritare unike e mundësisë, tha eurodeputetja Viola von Cramon, duke theksuar domosdoshmërinë e arritjes së një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizim të marrëdhënive Kosovë-Serbi, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Cramon, në një intervistë për gazetën italiane “Eunews”, tha se “nuk mund të komentoj mbi përmbajtjen apo ekzistencën e një plani franko-gjerman” për dialogun, por tha se “është iniciativë për t’u mirëpritur”.

    Kryeqytetet kyçe evropiane, përkatësisht Parisi dhe Berlini, “janë të angazhuar” tashmë në dialogun ndërmjet Kosovë-Serbi, tha Cramon, andaj edhe “duhet shtysë politike të dialogur Kosovë-Serbi”.

    Eurodeputetja inkurajon palët “ta shfrytëzojnë” atë që ajo e quan “dritare unike të mundësisë” për të arritur një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim të plotë të marrëdhënieve.

    Pa marrëveshje mes Kosovës dhe Serbisë, Viola von Cramon thotë se asnjëra nga dy shtetet “nuk do të mund të anëtarësohen në Bashkimin Evropian”.

    Kosova ka lajmëruar se më së largu deri në Krishtlindje do të dorëzojë aplikimin e saj në Bashkimin Evropian, derisa Serbia ka vite që është shtet kandidat për anëtarësim në BE, dhe që kohë ka hapur disa kapituj në negociata, shkruan Reporteri.net.

    Megjithatë, Serbia ka pësuar rënie të ndjeshme në kredibilitetin e saj për anëtarësim në BE, për arsye të mosvendosjes së sanksioneve ndaj Federatës Ruse.

    Si shtet kandidat për BE, obligohet të bashkërendojë politikat e saj të jashtme dhe të sigurisë me unionin evropian, veçanërisht sanksionet ndaj Federatës Ruse.

    Në anën tjetër, edhe për çështjen e bisedimeve me Kosovën, Serbinë BE-ja e obligon të arrijë një marrëveshje gjithpërfshirëse për normalizim të marrëdhënieve.

    Ishte vetë kancelari federal gjerman, Olaf Scholz, i cili në vizitën e tij në Beograd para disa muaje, u shpreh se “është e paimagjinueshme” që dy vende që nuk e njohin njëra-tjetrën të anëtarësohen në BE.

    Scholz ka potencuar se qëndrimi gjerman është që Serbia ta njohë Kosovën, dhe se vetë dialogu i Brukselit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, e ka këtë “epilog të logjikshëm”, shkruan gazeta online Reporteri.net.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!