Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka Pula, ka pranuar një letër urimi nga Ylli Bajraktari, president i Special Competitive Studies Project (SCSP), me rastin e zgjedhjes së saj në detyrën e Presidentes së Republikës së Kosovës.

Në letër, Bajraktari shpreh përgëzimet e tij për zgjedhjen e Presidentes Shiroka Pula dhe rithekson përkushtimin e SCSP-së për të mbështetur përpjekjet e Kosovës në zhvillimin e kapaciteteve teknologjike, avancimin e potencialit të të rinjve dhe forcimin e lidhjeve me komunitetin global të inovacionit.

Ai vlerëson se Kosova ka mundësi të rëndësishme për të përfituar nga zhvillimi i inteligjencës artificiale, duke pasur parasysh potencialin e të rinjve, ekosistemin në rritje të teknologjisë dhe ndërmarrjet e reja inovative që kanë dëshmuar aftësinë për të konkurruar në tregjet ndërkombëtare.

Reklamë

Sipas Bajraktarit, zhvillimi i inteligjencës artificiale po ndryshon rrënjësisht ekuilibrat ekonomikë, teknologjikë dhe gjeopolitikë në nivel global, duke krijuar mundësi të reja edhe për shtetet e vogla që arrijnë të mobilizojnë talentin, të përqafojnë inovacionin dhe të veprojnë me shpejtësi e vizion.

Në këtë drejtim, ai thekson se Kosova ka talentë, energji sipërmarrëse dhe lidhje ndërkombëtare të nevojshme për ta shndërruar potencialin e saj në zhvillim të qëndrueshëm ekonomik, siguri kombëtare dhe ndikim ndërkombëtar.

Në letrën drejtuar Presidentes Shiroka Pula, Bajraktari njofton gjithashtu se SCSP-ja planifikon të sjellë në Kosovë, muajin e ardhshëm, një delegacion prej rreth 60 liderësh të rinj nga vende të ndryshme të botës dhe i cili do të takohet me Presidenten.

Ai ka shprehur bindjen se kjo vizitë do të krijojë mundësi për t’ua prezantuar një brezi të ri të liderëve globalë kapacitetet, talentin dhe potencialin e Kosovës.

Reklamë