Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka bërë të ditur se, me ftesë të autoriteteve kroate, ka marrë pjesë në Ditën e Vizitorëve të Shquar (Distinguished Visitors Day – DV Day), në kuadër të stërvitjes ndërkombëtare “Combat Power 26”, e zhvilluar në poligonin ushtarak të Slunjit në Kroaci.

Sipas Maqedoncit, në këtë stërvitje morën pjesë mbi 3 mijë ushtarakë nga Kroacia dhe qindra pjesëtarë të forcave të vendeve aleate e partnere të NATO-s, përfshirë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Italinë, Slloveninë, Shqipërinë, Portugalinë, Malin e Zi, Rumaninë, Gjeorgjinë dhe Kosovën.

Kosova u përfaqësua nga një kontingjent prej 45 pjesëtarësh të Forcës së Sigurisë së Kosovës, të organizuar në një tog luftarak të këmbësorisë dhe elementë të mbështetjes logjistike.

Reklamë

“Jam veçanërisht krenar që Republika e Kosovës u përfaqësua denjësisht nga kontingjenti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, i përbërë nga 45 ushtarakë. Gjatë gjithë stërvitjes, pjesëtarët tanë dëshmuan profesionalizëm, disiplinë dhe përkushtim të lartë, duke konfirmuar se FSK-ja zotëron aftësitë dhe kapacitetet për të vepruar me sukses krah për krah me ushtritë aleate dhe partnere”, ka shkruar Maqedonci.

Ai theksoi se stërvitja, e cila zgjati 11 ditë dhe u zhvillua në kushte të vështira terreni dhe temperaturash të larta, përfshiu operacione të integruara ajrore dhe tokësore, duke simuluar skenarë luftarakë dhe duke testuar nivelin e koordinimit ndërmjet forcave pjesëmarrëse.

Maqedonci veçoi edhe avancimin e FSK-së në fushën e mbështetjes logjistike, duke theksuar se shërbimet e ushqimit, të cilat më parë realizoheshin nga operatorë privatë, tashmë ofrohen nga kapacitetet organike të forcës.

Sipas tij, ky zhvillim dëshmon rritjen e vetëqëndrueshmërisë logjistike dhe pjekurinë institucionale të FSK-së, duke u mundësuar kuzhinierëve ushtarakë kosovarë të ofrojnë mbështetje edhe për forcat partnere gjatë stërvitjeve dhe operacioneve të përbashkëta.

Në fund, ministri theksoi se pjesëmarrja në stërvitje të tilla është dëshmi e përparimit të Kosovës në forcimin e kapaciteteve mbrojtëse dhe e gatishmërisë së saj për të kontribuar në sigurinë rajonale dhe ndërkombëtare.

Reklamë

Ai vlerësoi gjithashtu bashkëpunimin me Kroacinë, duke e cilësuar atë si një partneritet strategjik të ndërtuar mbi miqësinë dhe mbështetjen e ndërsjellë mes dy shteteve.