Gjykata Supreme e Kosovës ka pranuar revizionin e Komunës së Prishtinës, duke prishur vendimet e Gjykatës së Apelit dhe Gjykatës Themelore në kontestin pronësor në “Breg të Diellit”. Lënda është kthyer në Gjykatën Themelore për rigjykim.
Gjykata Supreme e Kosovës ka vendosur që të rigjykohet kontesti pronësor mes disa banorëve të kryeqytetit dhe Komunës së Prishtinës, pasi ka vlerësuar se arsyetimi i një vendimi të Gjykatës së Apelit për këtë rast nuk e qartësonte mjaftueshëm bazën juridike për njohjen e pronësisë.
Rasti ka të bëjë me disa familje që kërkojnë t’u njihet pronësia mbi një tokë në lagjen Bregu i Diellit në Prishtinë. Sipas tyre, paraardhësit e familjeve i kishin blerë këto prona dhe i kishin shfrytëzuar që nga vitet 1967 dhe 1971, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Më herët, Gjykata e Apelit kishte vendosur në favor të banorëve dhe ua kishte njohur pronësinë. Komuna e Prishtinës e kishte kundërshtuar këtë vendim dhe kishte kërkuar që rasti të shqyrtohej përsëri.
Gjatë kohës sa rasti po gjykohej në Supreme, banorët dhe disa grupe të interesit, pranverën e këtij viti ushtronin presion mbi Komunën e Prishtinës për ta tërhequr revizionin, duke u grumbulluar disa herë gjoja në protesta para objektit të komunës së kryeqytetit.
Kërkonin që Komuna ta zbatonte vendimin e Apelit, pa shfrytëzuar të drejtën ligjore për ta kundërshtuar vendimin përmes revizionit në Gjykatën Supreme.
Disa muaj pas, sipas aktvendimit Rev.nr.124/2025, Gjykata Supreme e ka aprovuar revizionin e Komunës së Prishtinës dhe i ka prishur aktgjykimin e Gjykatës së Apelit, të datës 9 shtator 2024, si dhe aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë, të datës 28 tetor 2021.
Çështja i është kthyer gjykatës së shkallës së parë për rigjykim, raporton gazeta online Reporteri.net.
“Gjykata Supreme, duke shqyrtuar arsyetimin e aktgjykimit të gjykatës së shkallës së dytë, vlerëson se i njëjti është kontradiktor në atë masë sa që nuk mund të kuptohet qartë baza juridike mbi të cilën kjo gjykatë ka arritur në përfundimin se paditësit e kanë fituar të drejtën e pronësisë mbi paluajtshmëritë kontestuese. Kjo paqartësi është e një rëndësie thelbësore për zgjidhjen e çështjes, për faktin se objekt i kërkesëpadisë ka qenë vërtetimi i së drejtës së pronësisë, ndërsa nga arsyetimi i aktgjykimit të shkallës së dytë nuk mund të përcaktohet në mënyrë të qartë nëse kjo e drejtë është konsideruar se është fituar përmes parashkrimit fitues, është fituar në bazë të mos efekteve juridike të procedurës së shpronësimit, apo është fituar në bazë të ndonjë titulli tjetër juridik që rrjedh nga veprimet dhe aktet administrative të periudhës përkatëse, kjo pasi që në relacion me bazës e parashkrimit fitues nuk ka arsyetim për legjitimitetin e pjesëmarrësve të raportin juridik civil mbi bazën e të cilit pretendohet se paraardhësit e paditësve e kanë marrë pronën në posedim”, thuhet në aktvendimin e Supremes.
Supremja kërkon të sqarohet se si banorët fituan pronësinë mbi tokën
Në procedurën e mëparshme, Gjykata e Apelit e kishte ndryshuar vendimin e Gjykatës Themelore dhe kishte njohur të drejtën e pronësisë së paditësve mbi paluajtshmëritë e kontestuara. Në arsyetimin e saj ishte trajtuar edhe pretendimi se paraardhësit e paditësve nuk ishin njoftuar për procedurat e shpronësimit dhe nuk ishin kompensuar për sipërfaqet e kontestuara.
Sipas Gjykatës Supreme, disa çështje nuk ishin sqaruar mjaftueshëm, përfshirë mënyrën se si banorët pretendonin se e kishin fituar pronësinë dhe çfarë kishte ndodhur me pronat gjatë procedurave të shpronësimit.
Tani, Gjykata Themelore duhet ta shqyrtojë rastin nga fillimi dhe t’i analizojë këto çështje para se të marrë një vendim të ri.
“Sipas Gjykatës Supreme, nuk konsiderohet i mjaftueshëm, konstatimi se paraardhësit e paditësve kanë qenë në posedim të paluajtshmërive para vitit 1980 dhe se ky posedim më pas ka vazhduar te blerësit. Gjykata e shkallës së dytë ka qenë e obliguar të përcaktojë bazën juridike sipas së cilës koha e posedimit të paraardhësve mund të llogaritet në favor të pasardhësve, si dhe cilat kanë qenë kushtet ligjore për vazhdimësinë e këtij posedimi në raport me fitimin e pronësisë. Në këtë kuptim, mbetet e paqartë se me cilin ligj dhe me cilat dispozita konkrete është vlerësuar posedimi i periudhës para vitit 1980 dhe si është ndërthurur kjo periudhë me rregullimin juridik që ka hyrë në fuqi më pas”, thuhet në aktvendimin e Supremes, shkruan gazeta online Reporteri.net.
Po ashtu, Gjykata Supreme ka vlerësuar se nga arsyetimi i Gjykatës së Apelit nuk ishte e qartë nëse e drejta e pronësisë ishte njohur mbi bazën e parashkrimit fitues, për shkak të efekteve juridike të procedurave të shpronësimit, apo në bazë të një vlerësimi të kombinuar të këtyre rrethanave.
Gjykata Supreme ka udhëzuar gjithashtu që Gjykata Themelore të trajtojë kërkesën për ndërhyrje në procedurë të parashtruesit Mefail Cakolli, të cilit Komuna e Prishtinës, në 2013 ia këmbeu një pjesë të pronës në Breg të Diellit, me një pronë në Parakun Nacional të Gërmisë.
“Për Gjykatën Supreme, nuk është e qartë se mbi cilin juridiksion gjykata e shkallës së dytë jepe vlerësime me ndikim për mënyrën e vendosjen në raport me vendimin e shpronësimit, përderisa nuk është objekt i vlerësimit të ligjshmërisë a’i vendim, për arsye të kalimit të afatit për ta kontestuar, por edhe për shkak të procedurës gjyqësore, dhe për rrjedhojë si mundet që akti administrativ përderisa nuk anulohet nga gjykata të konstatohet se nuk ka prodhuar efekt dhe pasoja juridike në raport me palët në proces gjyqësor, përderisa me atë vendim të organit administrativ është ndryshuar statusi i pronës”, thotë aktvendimi i datës 22 shtator 2026, i kolegjit të Gjykatës Supreme, i kryesuar nga ish-kreu i KGJK-së, Albert Zogaj. /Reporteri.net/.