Çdo iniciativë e partnerëve të Kosovës në lidhje me dialogun Kosovë-Serbi është e mirëseardhur, tha ministri i brendshëm Xhelal Sveçla, “por ato propozime duhet ta kenë parasysh një kërkesë themelore”, shkruan gazeta online Reporteri.net.
“Njohjen reciproke në qendër”, u shpreh ministri. Këtë përgjigje Sveçla e dha kur u pyet nga A2 CNN në lidhje me propozimin franko-gjerman, i cili thuhej se do të ofronte një perspektivë për marrëveshje, por që nuk parashihte njohje të ndërsjellë.
Në atë se ky propozim bazohej në modelin e Dy Gjermanive, Sveçla tha se ajo “mbase është menduar si fillestare” por se vetëm përmes njohjes reciproke u shpreh se “do të mund të ndërtonim raportim fqinjësore”.
“Kjo realisht është ajo çfarë i duhet rajonit. Rajonit nuk i duhet një marrëveshje e cila mëpastaj sjell ngërçe të reja. Rajonit nuk i duhet një arsyetim, që mos të themi se duhet ta nxjerrim mirë palën serbe, përderisa ajo nuk ka një ndryshim radikal në raport me Kosovën, por edhe në raport me të kaluarën e saj”, tha ministri.
“Ka ardhur koha që populli serb të ketë një qeverisje e cila drejtohet nga ana e shteteve demokratike, e që nuk mundohet të qëndrojë në pozita edhe-edhe. Edhe me botën demokratike edhe me aleatët e saj tradicional”.
Angazhimin amerikan dhe evropian në dialogut e Brukselit, Sveçla tha se e mirëpret, por shtoi se perëndimi duhet të jetë “më i prerë” në raport me Serbinë.
Ai tha se nuk duhet të tolerohet më ambivalenca e politikës së Beogradit, që ministri e quajti “të qënit ulur në dy karrige”, shkruan gazeta online Reporteri.net.