×
  • Lajme
  • Lajme

    Të parin e rehatoi në PTK, deputeti Nitaj punëson edhe djalin e dytë

    Reporteri
    18 Mars 2019 | 15:56

    Edhe djali i dytë i deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitajt është rehatuar në një ndërmarrje publike.

    Gazeta Jeta në Kosovë ka arritur të konfirmojë që djali i deputetit Nitaj, Egzon Nitaj, është punësuar në Kompaninë rajonale ‘Pastrimi’.

    Kryeshefi i kësaj ndërmarrje, Burim Kelmendi në një prononcim të shkurtë përmes telefonit e ka konfirmuar se Egzon Nitaj është punësuar në kompaninë rajonale “Pastrimi”.

    “Kur të kthehem në Kosovë, se jam në Shqipëri”, tha fillimisht Kelmendi për Gazetën JnK.v

    I pyetur nëse është punësuar si IT, djali i deputetit Muharrem Nitaj, Kelmendi ai e konfirmoi që Egzon Nitaj është punësuar si IT.

    Ai është pyetur edhe për një të punësuar tjetër me mbiemrin Nitaj, por kryeshefi Kelmendi tha se i punësuari i dytë nuk është familjare e deputetit Muharrem Nitaj.

    Gazeta JnK ka kontaktuar me deputetin Muharrem Nitaj, por ai nuk është përgjigjur në pyetjet e Gazetës.

    Disa orë pasi i janë dërguar pyetjet, Nitaj e ka bërë një postim në profilin e tij në Facebook. Ai ka thënë se përgjigjen e tij në pyetjet tona për punësimin e djalit e ka postuar në “facebook”.

    “Nuk po mundem ta kuptoj këtë fushatën që të sulmohen njerëzit që marrin 3-400 euro rrogë me djersen e tyre, sikur kjo qenka rreziku me te cilin po përballet shteti!”, ka shkruar Nitaj në Facebook.

    Ai ka shtuar se intresi publik dëmtohet prej shpërdorimeve milionëshe dhe jo pse dikush merr një kontratë të përkohshme.

    Nitaj, AAK-në e cilëson si engjëll karshi të tjerëve.

    “Është e pandershme që të drejtohet gishti nga AAK, sepse në krahasim me të tjerët AAK rezulton të jetë engjëll”, ka shkruar në mes tjerash Nitaj.

    “Krejt këta që na kanë rënë në qafë për punësime, s’kanë lënë institucion pa pushtuar me qindra militantë dhe atë në pozita udhëheqëse”, thuhet tutje në reagimin e deputetit.

    Gazeta i ka shkruar edhe Egzon Nitajt në rrjetin social Facebook, por i njëjti ende nuk ka kthyer përgjigje.

    Javë më parë u raportua se në vlugun e punësimeve në Postën dhe Telekomin e Kosovës është punësuar edhe njëri nga djemtë e Muharrem Nitajt, Genc Nitaj.

    Ndryshe, sot në këtë kompani u punësua edhe gruaja e deputetit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, e cila mori pozitë si koordinatore juridike.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!