Në ditën e shtatë të protestës në Tiranë, situata pranë Ministrisë së Brendshme në Shqipëri është tensionuar, teksa kanë ndodhur zhvillime të reja në teren.
Protestuesit janë ndarë në dy grupe, ndërsa policia ka ndërhyrë me autobotë në përpjekje për të shpërndarë turmën.
Prania e forcave të policisë dhe e autobotëve ka rritur tensionet në zonën ku po zhvillohet tubimi.
Policia po tenton të shpërndajë protestuesit, ndërsa situata mbetet e tensionuar pranë institucionit.
Tensionet janë rikthyer mes protestuesve dhe Policisë edhe në zonën pranë sheshit Skënderbej, ku situata është përshkallëzuar pas një periudhe qetësie.
Protestuesit kanë hedhur fishekzjarrë dhe kapsolla në drejtim të policisë, ndërsa efektivët kanë përdorur gaz lotsjellës për të shpërndarë turmën.
Megjithëse pak orë më parë situata dukej e qetë, përplasjet kanë rinisur, duke rikthyer tensionin në protestën e kësaj të hëne në Tiranë.
Protestuesit kanë djegur koshat e mbeturinave, policia hedh ujë me presion ndaj tyre.
Ndryshe, ka një javë që në Tiranë po vijon protesta e studentëve me kërkesën kryesore për dorëheqjen e qeverisë dhe të kryeministrit shqiptar Edi Rama.
Për protestat në Tiranë kanë reaguar edhe kryetari i Delegacionit të Parlamentit Evropian për marrëdhëniet me Shqipërinë, Marco Tarquinio, dhe raportuesi i përhershëm për Shqipërinë, Andreas Schieder, të cilët dënojnë dhunën, sulmet ndaj institucioneve dhe shkatërrimin e pronës, ndërsa kërkojnë hetim për raportimet mbi përdorimin e tepruar të forcës nga policia.
Pas situatës së tensionuar, protestuesit kanë sulmuar Gjykatën e Apelit, ku janë kryer edhe disa shoqërime.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama zhvilloi disa orë më parë një konferencë për mediat së bashku me ministrin e Brendshëm, Ervin Demo, ku dënoi aktet e dhunës të ushtruara nga protestuesit ndaj forcave të rendit. Kreu i qeverisë deklaroi se nga 1 janari do të ketë rritje të konsiderueshme të pagave të punonjësve të policisë, si dhe një mbështetje financiare prej 2 500 eurosh për çdo efektiv të angazhuar në front.
Sakaq, Rama theksoi se mbetet i hapur për dialog me të rinjtë, por jo me ata që bëhen pjesë e dhunës.
Ndërkohë, ministri i Brendshëm, Ervin Demo, deklaroi se situata ka kaluar vijën e kuqe, duke theksuar se protestuesit që janë përfshirë në akte dhune nuk janë studentë dhe se kjo nuk është më një protestë studentore.
