Thaçi në Berlin: Do të kërkoj dënimin e gjenocidit të shtetit të Serbisë në Kosovë

Presidenti i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi, dy ditë para samitit të Berlinit i është drejtuar qytetarëve për pritjet që i ka nga ky takim. Thaçi thotë se hapësirë e veçantë do t’i jepet dialogut Kosovë-Serbi, pastaj përmend se Merkelit do t’ia kërkojë liberalizimin e vizave, si dhe do të kërkojë llogari për gjenocidin serb gjatë luftës së fundit në Kosovë.


Thaçi shkruan se nëse nuk ndodh asnjëra nga këto takimi do të jetë zhgënjyes, transmeton Reporteri.net

Tutje Thaçi ka thënë që takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë.

Ai në fund ka shtuar se do të fokusohen edhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Postimi i plotë i Thaçit:

Këto ditë kam vazhduar konsultat e fundit me partnerët ndërkombëtarë për konferencën e nesërme në Berlin, të ftuar nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron.

E mirëpres rritjen e angazhimit të Gjermanisë dhe Francës rreth Ballkanit Perëndimor në përgjithësi, si dhe Kosovës në veçanti.

Në këtë takim do të vlerësohet progresi substancial i deritashëm.

Takimi i Berlinit nuk do të sjellë një proces të ri, por do të kërkohen mundësi për zgjidhjen e problemeve, duke marrë shembull marrëveshjen e suksesshme ndërmjet Maqedonisë Veriore dhe Greqisë.

Në takim theks i veçantë do t’i jepet mundësisë së vazhdimit të dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për arritjen e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare, që do të sjellë stabilitet edhe më të madh në Ballkanin Perëndimor.

Po ashtu, pres nga kancelarja Merkel dhe presidenti Macron që të tregojnë mbështetje për liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, si respektim i kontratës ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Kosova ka përmbushur të gjitha kriteret dhe e meriton lëvizjen e lirë si të gjithë qytetarët tjerë të rajonit dhe kontinentit.

Nëse diçka e tillë nuk ndodh, takimi i Berlinit do të jetë zhgënjyes për qytetarët e Kosovës.

Në këtë takim do të kërkoj edhe dënimin e gjenocidit të shtetit të Serbisë në Kosovë, në vitet 1998-1999.

Ne do të fokusohemi edhe në mundësitë e bashkëpunimit ekonomik dhe në forcimin e rendit dhe ligjit, në veçanti në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Do të konfirmojmë edhe përkushtimin tonë për të vazhduar – pa kompromis – luftën kundër radikalizmit, terrorizmit dhe çdo lloj ekstremizmi! HTH