×
  • Lajme
  • Lajme

    Thaçi, Merkelit e Macronit: S’mund të ketë marrëveshje kur ju s’jeni me një zë

    Reporteri
    29 Prill 2019 | 22:23

    Presidenti Hashim Thaçi ka dhënë detaje për bisedën e zhvilluar në darkën e përbashkët me liderët.


    Ai ka deklaruar se shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet për marrëveshje gjithëpërfshirëse.

    Thaçi më tej ka dekalruar se Serbia po e kushtëzon vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës, shkruan Reporteri.net.

    Postimi i plotë i Thaçit:

    Me kancelaren Merkel, presidentin Macron dhe liderët e Ballkanit Perëndimor, në darkën e përbashkët vazhduam të diskutojmë për të tashmen dhe të ardhmen e rajonit tonë. Për bllokadën në të cilën gjendet dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, unë theksova disa faktorë që e kanë sjellë këtë situatë të pashpresë.

    Së pari, Serbia në mënyrë të njëanshme e ka kushtëzuar vazhdimin e dialogut me heqjen e tarifës për prodhimet serbe. Ky veprim është i papranueshëm dhe në kundërshtim me parimin kryesor udhëheqës të dialogut, të cilin e kemi respektuar që nga pikënisja e tij.

    Së dyti, faktori ndërkombëtar, në mënyrë specifike shtetet e Kuintit, nuk kanë dëshmuar unitet dhe përkrahje për përpjekjet tona për marrëveshje gjithëpërfshirëse. Këtë marrëveshje nuk mund ta arrijmë nëse shtetet e Kuintit nuk janë të bashkuara dhe nuk flasin me një zë.

    Po ashtu, edhe shtetet e Kuintit, edhe ne e dimë se kjo marrëveshje është e pamundur të arrihet pa rolin vendimtar të SHBA-së. Kundërshtimet kryesisht janë bërë duke keqinformuar dhe duke rritur frikën se gjoja ne po përpiqemi t’i ndryshojmë kufijtë në Ballkan dhe ata i duam përgjatë vijave etnike.

    Por, këto pretendime kanë qenë dhe janë tërësisht të pavërteta! Kurdo që arrihet një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, demarkimi i kufirit ndërmjet dy shteteve është i pashmangshëm.

    Sovraniteti shtetëror i Kosovës është dhe do të mbetet i pacenueshëm. Serbia duhet ta njoh pavarësinë e Kosovës dhe të heq dorë nga cenimi i sovranitetit tonë.

    Pretendimet apo ëndrrat e kujtdo se në veri të Kosovës mund të themelohet një Asociacion me kompetenca ekzekutive e modelit të Republikës Serbe, nuk do të realizohen kurrë.

    Nuk mund të këtë një zgjidhje as në modelin gjermano-gjerman dhe as me një sovranitet të dyfishtë.

    Kosova në mënyrë të përgjegjshme dhe legjitime interesohet dhe përkrah aspiratat e shqiptarëve që jetojnë në Luginën e Preshevës.

    Kosova është e gatshme për marrëveshje gjithëpërfshirëse përfundimtare për normalizimin e marrëdhënieve ndërshtetërore me Serbinë! HTH

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!