Zëvendëkryeministri i Kosovës në konferencën e përbashkët sot me ministrin për Çështje Evropiane të Republikës Çeke, Martin Dvořák ka thënë se Kushtetuta e Kosovës ose duhet zbatuar në tërësi ose të mos zbatohet, shkruan Reporteri.net.
Këtu zëvendëskryeministri i Kosovës përmendi rastin me tokën e Manastirit të Deçanit, për të cilën tha se Bashkësia Ndërkombëtare insiston të zbatohet Kushtetuta, ndërsa siç tha ai po të njëjtit njerëz kur bëhet fjalë për nenin 11 për dinarin, thonë mos e zbato.
“Kushtetua e Kosovës ose duhet të zbatohet në tërësi, ose të mos zbatohet. Nuk ka logjik që në njërin rast të ketë insistim të Bashkësisë Ndërkombëtare që Kushtetuta të zbatohet në tërësi, siç është rasti i tokës për Manastirin e Deçanit, e pastaj kur është puna te neni 11 i Kushtetutës, ku thotë që ka vetëm një monedhë në qarkullim në Kosovë, të njëjtit njerëz thonë po këtë mos e zbato. Kushtetuta ose është e shenjtë e duhet të zbatohet, pra nëse duhet të zbatohet, duhet në të gjitha rastet”, tha Bislimi në konferencë.
Një zëdhënës i Departamentit Amerikan të Shtetit ka thënë se Kosova duhet të ofrojë më shumë kohë dhe të konsultojë komunitetet që preken nga vendimi i 27 dhjetorit të BQK’së me të cilin nga 1 shkurti përjashtohen pagesat me dinarë në Kosovë.
“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta rishikojë këtë vendim, të konsultohet me komunitetet e prekura, t’i përgjigjet shqetësimeve të shprehura nga bashkësia ndërkombëtare dhe të ofrojë kohë të mjaftueshme që vendimet e saj të zbatohen në mënyrë që të zbusë ndikimin që ato vendime do të kenë në qytetarë” ka thënë zëdhënësi për Pavlovic Today.
“Ne jemi të shqetësuar se rregullorja e miratuar më 27 dhjetor do të ndikojë negativisht në komunitetin etnik serb në Kosovë”, thuhet më tej në përgjigje.
Ditë më parë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës dhe Serbisë që të shmangin veprimet e pakoordinuara të cilat nuk janë në frymën e normalizimit të raporteve dhe, siç thanë nga blloku, mund të ndikojnë negativisht në situatën në terren.
Kjo thirrje u bë edhe lidhur me rastin e vendimit të Bankës Qendrore të Kosovës, e cila ka miratuar një rregullore për operacionet me para të gatshme. Kjo rregullore parasheh që pagesat të kryhen vetëm me valutën euro, vendim që nga Serbia është parë si ndalesë për pagesat me dinarë serbë.
Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, duke iu përgjigjur pyetjeve lidhur me këtë vendim të BQK-së, që do të hyjë në fuqi më 1 shkurt, tha se blloku evropian ende është duke e analizuar këtë çështje.
“Ne jemi ende duke e analizuar dhe duke kërkuar sqarime për këtë vendim, motivet dhe implikimet që ai mund t’i ketë… Kosova dhe Serbia duhet të shmangin veprimet e pakoordinuara që nuk shkojnë në frymën e normalizimit të raporteve dhe që mund të kenë ndikim negativ në situatën në terren”, tha Stano.
Javën e kaluar, Banka Qendrore e Kosovës ka bërë të ditur se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi rregullorja e operacioneve me para të gatshme. Me synimin për të luftuar paratë e falsifikuara dhe format e tjera të krimit financiar, ajo specifikon se euro është e vetmja monedhë e lejuar për pagesa “cash” (para të gatshme) dhe digjitale në vend.
Rregullorja thekson se valutat e tjera që nuk janë euro mundë të përdoren vetëm si gjëra me vlerë për t’u ruajtur në formë fizike, në llogari bankare për qëllime valutore./Reporteri.net/