×
  • Lajme
  • Lajme

    Tre muaj pa paga, Sindikata e Punëtorëve të Trepçës fajëson menaxherin e ndërmarrjes

    Reporteri
    18 Mars 2019 | 17:43

    Përveç punëtorëve të minierës me flotacion në Stan Tërg që i kanë marr pagat e muajit të kaluar, deri më tani punëtorët e njësive të tjera të Trepçës nuk i kanë marr ende ato. Këta punëtorë kanë pritur që sot t’iu dalin paratë në llogaritw e tyre bankare, por kjo nuk ka ndodhur.


    Nga Blendi Gashi / Reporteri


    Kryetari i Bordit të Trepçës, Ardian Syla, thotë se arsyeja kryesore pse janë vonuar pagat lidhet me çështje teknike, ndërsa shprehet i bindur se nesër (e martë) punëtorët do i marrin rrogat e tyre.

    “Vonesat në paga kanë ndodhur për shkak të disa procedurave teknike pas regjistrimit të Trepça sh.a. Regjistrimi i ndërmarrjes Trepça sh.a. është formalizuar zyrtarisht me datë 08.03.2018 dhe që nga kjo ditë Trepça gjindet në një situatë të re juridike. Prandaj, pas regjistrimit të Trepça sh.a. është dashur që të hapen llogari të reja bankare, të krijohen vulat e reja, autorizimet e ndryshme për veprimet juridike dhe krejt këto procedura kanë marrë kohë duke shkaktuar vonesa të alokimit të mjeteve të buxhetit. Jemi të bindur se transferi nga buxheti i Kosovës në llogarinë e Trepça sh.a. do të ndodh nesër dhe menjëherë do të paguhen pagat e muajit të kaluar. Për shkak të mjeteve të pa mjaftueshme financiare nga prodhimi, vonesave të lartëcekura ka ndodhur vonesa në pagat e muajit të kaluar”, thotë Syla për Reporteri.net.

    Ai shton se mjetet e buxhetit janë vetëm një ndihmesë për stabilizimin e gjendjes financiare për disa muaj, ndërsa thotë se duhet të dyfishohet prodhimi në mënyrë që të kemi gjendje stabile financiare dhe mos të ketë vonesa në paga.

    Ndërsa kryetari i Sindikatës së punëtorëve të Trepçës, Shyqyri Sadiku, thotë se janë në pritje të pagave, ndërsa e quan padrejtësi dhënien e tyre vetëm për një njësi të Trepçës, e për tjerat jo.

    “Jo nuk kam njohuri se kur ju dalin pagat. Sipas disa informacioneve që kam por presim që nesër të bëhet ekzekutimi i pagave”, thotë Sadiku.

    Ai tregon se vonesa në dhënien e pagave ka pasur edhe më herët.

    “Çka është shumë me rëndësi të ju njoftojmë që menaxhmenti ka bërë ndarje në dhënien e pagave. Minierës së Stantergut ju ka dhënë paga të premten, ndërsa njësive tjera nuk ju ka dhënë ende paga, dhe kjo është një ndarje e padrejtë dhe shumë e dëmshme për të gjithë të punësuarit në Trepçë. Kjo po ndodhë për herë të parë. Sa i përket vonesave të pagës ky është muaji i tretë që po ndodh një gjë e tillë. Po prej ardhjes se ushtruesit të detyrës të drejtorit të Trepçë, ky zotriu Xhevdet Tahiri është duke i vonuar pagat”, ka thënë Sadiku për Reporteri.net.

    Ai shton se vonesa e pagave godet jo pak punëtorët pasi sipas tij 90 % e tyre janë në kredi dhe duhet të shlyejnë ato.

    “Nesër është data 18.03.2019, ndërsa ne rrogat zakonisht i kemi marrë më së largu me datë 08. Diku rreth 90% të punëtorëve janë në kredi nëpër banka dhe afatin e fundit e kanë që me datë 10 të paguajnë kreditë”, thotë Sadiku. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!