A keni menduar ndonjëherë nëse produktet që i lavdërojnë influencerët janë vërtet të mira, apo nëse bëhet fjalë për reklamë të paguar?
Në Kosovë, kjo nuk është gjithmonë e qartë për ndjekësit.
Në Instagram, TikTok e platforma të tjera online, influencerët reklamojnë çdo ditë produkte kozmetike, veshje, restorante, vetura, pompa derivatesh e shërbime të ndryshme, por institucionet nuk kanë një pasqyrë të plotë për këtë treg: sa para qarkullojnë, kush paguan tatime, dhe kush kujdeset që reklamat e paguara të dallohen nga rekomandimet personale.
Me termin influencerë zakonisht përshkruhen krijuesit e përmbajtjes në rrjete sociale, të cilët kanë ndjekës të shumtë dhe përdorin ndikimin e tyre për të promovuar produkte, shërbime, marka apo ide.
Të ardhura të tatueshme
Sipas Administratës Tatimore të Kosovës (ATK), veprimtaria e influencerëve që fitojnë të ardhura përmes krijimit dhe shpërndarjes së përmbajtjes në rrjetet sociale konsiderohet aktivitet ekonomik dhe, si e tillë, të ardhurat nga kjo veprimtari janë të tatueshme, sipas legjislacionit në fuqi.
Por, institucioni që mbledh tatimet nuk ka një pasqyrë të veçantë për këtë kategori.
Fatime Krasniqi, zyrtare e lartë për komunikim me publikun në ATK, në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, thotë se nuk mund të ofrojë të dhëna statistikore për numrin e influencerëve që deklarojnë të ardhura apo paguajnë tatime, sepse ata nuk evidentohen si kategori e veçantë në sistemin tatimor.
Në sistemin e ATK-së, tatimpaguesit ndahen sipas statusit juridik: individët apo bizneset individuale regjistrohen si persona fizikë, ndërsa format e tjera të regjistrimit trajtohen si persona juridikë.
Sipas Krasniqit, nëse një person ka kontratë pune apo kontratë për shërbime të veçanta, që krijon raport punëdhënës-punëmarrës, atëherë ai duhet të evidentohet në listën e pagave të biznesit që e ka kontraktuar. Ajo shton se nëse këta persona ushtrojnë veprimtari ekonomike në mënyrë të pavarur, atëherë janë të obliguar të regjistrohen si biznese, sipas aktivitetit përkatës.
ATK-ja, në prill të këtij viti, nisi edhe një fushatë informuese për influencerët, blogerët, freelancerët dhe personat e tjerë që krijojnë të ardhura online.
Përmes një videoje në rrjetet sociale, ATK-ja njoftoi për një takim me disa influencerë, duke thënë se qëllimi i fushatës ishte informimi i tyre për detyrimet ligjore dhe rritja e transparencës.
Por, nga njoftimi publik nuk u bë e qartë se si do të zhvillohet fushata, sa influencerë synon të përfshijë, nëse do të ketë kontrolle konkrete, apo nëse ATK-ja planifikon të krijojë ndonjë mënyrë më të qartë për evidentimin e kësaj kategorie.
Kontroll i kufizuar, regjistrime të pakta
Nga 12 influencerë që Radio Evropa e Lirë kontaktoi për këtë temë, asnjëri nuk pranoi t’u përgjigjet pyetjeve për mënyrën se si paguhen, nëse kanë kontrata me bizneset dhe nëse deklarojnë të ardhura.
Në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve në Kosovë (ARBK), vetëm tre prej tyre figurojnë si biznese të regjistruara. Nga këta tre, vetëm njëri është i regjistruar me aktivitet kryesor në fushën e publicitetit, ndërsa dy të tjerët janë të regjistruar për fotografim dhe për shpërndarje të filmave, videove e programeve televizive.
Ish-drejtori i ATK-së, Ilir Murtezaj, thotë se aspekti ligjor nuk ka ndryshuar asgjë, dhe se “influencerët kanë qenë dhe janë të obliguar të paguajnë tatim për të ardhurat që realizojnë”.
Por, se sa mund të fitojë shteti nga ky aktivitet, Murtezaj vlerëson se askush nuk mund ta thotë me saktësi.