×
  • Lajme
  • Lajme

    Vajza e Blerim Devollit me veturë të babait me targa diplomatike, vozitje të rrezikshme dhe nuk i ndalet policisë

    Reporteri
    27 Prill 2019 | 17:29

    Edhe pse ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Gent Cakaj i ka hequr titullin Konsul Nderi i Shqipërisë në Kosovë, Blerim Devollit, ai ende vazhdon të shfrytëzojë privilegjin e targave diplomatike, dhe përveç kësaj veturën e nget edhe vajza e tij, e cila për më tepër vozitë kundër rregullave të trafikut, dhe nuk i bindet urdhërave të policisë për ndalim.


    Ministri në detyrë i Punëve të Jashtme dhe Çështje Evropiane të Shqipërisë, Gent Cakaj, ka marrë vendim që t’ua heqë titujt e Konsujeve të Nderit të Shqipërisë për Kosovë, biznesmenëve Rrahim Pacolli e Blerim Devolli.

    Pacolli dhe Devolli u vlerësuan të padenjë nga Gent Cakaj për të bartur titujt e Konsujve të Nderit të Shqipërisë.

    Pacolli ishte Konsull Nderi për Komunat Prizren, Dragash, Suharekë dhe Mamushë dhe me zyre në Prizren, kurse Blerim Devolli Konsull Nderi për Pejë, Deçan, Junik, Klinë dhe Istog.

    E privilegjet që ia jep të qenit Konsull Nderi janë edhe targat diplomatike, të njohura si CD (Corpus Diplomatic).

    Këto targa, Blerim Devolli, biznesmeni i njohur nga Peja, pronar i kompanisë Devolli Group, i shfrytëzon ende.

    Mirëpo, veturën e tij Mercedes AMG me targa diplomatike e vozitë edhe një person tjetër. Dhe pikërisht ky person më datën 4 mars të këtij viti ka bërë shkelje të rëndë në komunikacion.

    Ballkani.info e ka siguruar raporton e Policisë së Kosovës të datës 04.03.2019 në të cilin thuhet se vetura Mercedes AMG me targa diplomatike të Republikës së Shqipërisë 05-CD-033 ka bërë ngasje të rrëzikshme.

    Me të ndaluar veturën, policia e ka parë që drejtuese e mjetit ishte Vlera Blerim Devolli, vajza e Blerim Devollit.

    “Me datën 04.03.2019 rreth orës 13:00 në vendin e quajtur Krivovë, në magjistralen Pejë-Prishtinë kemi vërejtur një veturë Mercedes AMG me tabela të ambasadës së Shqipërisë 05-CD-033 pronë e Konsullatës së Nderit të Republikës së Shqipërisë me seli në Prishtinë, e cila veturë bënte ngasje tejet të rrëzikshme duke drejtuar me shpejtësi të madhe”, thuhet nder tjerash në raportin policor.

    Tutje në raport thuhet se kjo veturë bënte ndërrim të shiritave në mënyrë të pa kontrolluar, duke mos mbajtur kurrfarë distance me automjetet tjera, as ditancë para e as distancë anësore, si dhe duke mos kyçur treguesit e drejtimit fare gjatë ndërrimit të shiritate.

    “Ne ju kemi vënë pas kësaj veture e cila në shënjat tona nuk ndalonte prej Sllatinës e deri në Miradi të Ulët afër Bresjes. Aty ka ndaluar dhe e vërejtëm se bëhej fjalë për personin Vlera Blerim Devolli dhe e cila nuk kishte autorizim për ngasje të kësaj vetyre. Në fillimisht kemi kërkuar me telefon që në vend të ngjarjes të vije edhe rreshteri duke menduar se bëhej fjalë për ndonjë të huaj dhe se rreshteri është njohës i gjuhës angleze, por kur komunikuam e vërejtëm se bëhej fjalë për një person femër banore e Kosovës. Drejtueses i kemi marrë dokumentat dhe me urdhër të rreshterit i kemi shqiptuar një gjobë për ngasje të rrezikshme”, thuhet në fund të raportit policor.

    Në anën tjetër, ministri Gent Cakaj, tri ditë më parë, u bëri thirrje disa prej konsujve të nderit që veprojnë në Shqipëri, të dorëzojnë targat e tyre diplomatike me të cilat lëvizin krejt lirshëm me privilegje të veçanta, në atë që e quajti si rasti më unik në Evropë e mbase edhe në botë.

    Cakaj ka deklaruar se një pjesë e konsujve të nderit nuk i janë përgjigjur thirrjes së dorëzimit të targave. Prandaj, ndaj këtyre do të merren masa për shkak të mosbindjes.

    Kështu targat nuk i kanë dorëzuar akoma edhe dy biznesmenët e njohur në Kosovë: Blerim Devolli dhe Rrahim Pacolli, pasi shihen duke shëtitur me veturat e tyre luksoze në Prishtinë.

    “Një pjesë e konsujve të nderit nuk iu janë përgjigjur thirrjes së për të dorëzuar targat e diplomatike. Sot kemi patur një takim me ministrin e Brendshëm për të bërë të mundur tërheqjen e këtyre targave diplomatike”, tha Cakaj, që sipas tij këto targa janë keqpërdorur.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!