×
  • Lajme
  • Lajme

    Veseli: Gratë në PDK do të kenë përfaqësim në secilën degë

    Reporteri
    27 Mars 2019 | 14:48

    Kryetari i Kuvendit të Kosovës, njëherësh lider i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë “Javën e Gruas” se partia që ai drejton është hapur tërësisht drejt dhënies së përgjegjësive për gratë dhe të rinjtë.


    Ai tha se në procesin e deritashëm zgjedhor disa degë të PDK-së kanë rritur dukshëm numrin e përfaqësimit gjinor ndërsa në disa degë kanë kryetare të rinisë.

    “PDK në procesin e brendshëm zgjedhor ka vendosur të rritë dukshëm numrin e përfaqësimin e grave ndërsa kemi vendosur që secila degë të ketë një nënkryetare grua. Ky është një hap i rëndësishëm sepse jemi parti që besojmë në rolin dhe fuqinë e gruas në zhvillimin e vendit. Gratë përfaqësojnë gjysmën e popullsisë andaj ne do tu japim gjithë hapësirën e nevojshme”, tha Veseli.

    Duke folur para dhjetëra grave në “Javën e Gruas” që është organizuar nga NDI, Veseli tha se vajzat e Kosovës tashmë janë dëshmuar se janë të suksesshme jo vetëm brenda por edhe jashtë shtetit, duke përmendur shembujt e Majlinda Kelmendi, Rita Ora, Dua Lipa e të tjera.

    “E sa e sa Majlinda, Rita e Dua të tjera, janë në mesin tonë. Që ato të shfaqin talentin e tyre, potencialin e tyre krijues, ne duhet ta transformojmë Kosovën në një shoqëri të shanseve të barabarta për gratë dhe burrat e saj. Vetëm duke bërë hapa praktikë në këtë drejtim, ne mund të arrijmë rezultate konkrete në eliminimin e praktikave të diskriminimit gjinor, të cilat ende janë të pranishme gjithandej shoqërisë sonë”, theksoi Veseli.

    “Përfshirja në politikë e grave, integriteti i tyre në institucionet e shtetit, të nivelit qendror dhe lokal, është rruga që duhet ta ndjekim në mënyrë që një ditë barazia gjinore të kuptohet si fakt i natyrshëm i jetës sonë sociale e institucionale. Kjo do të thotë që një ditë të mos përbëjë lajm zgjedhja e një gruaje në krye të shtetit, në krye të komunës ose të partive politike”, tha kryetari i Kuvendit dhe i PDK-së, Kadri Veseli.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!