×
  • Lajme
  • Lajme / Kthim në kohë

    Viti 2018, kryeterroristi i Manastirit të Banjskës hapareshej me Ramush Haradinajn në Zyrën e Kryeministrit të Kosovës

    Reporteri
    26 Shtator 2023 | 21:50

    Zyra e Kryeministrit të Kosovës ishte “përdhosur” si kurrë më parë në historinë e shtetit të pavarur, pasi ish-kryeministri Ramush Haradinaj kishte vendosur që brenda saj ta mirëpriste kriminelin serb nga veriu i Kosovës, Milan Radojiçiq.

    Në kohën kur Haradinaj si shef i ekzekutivit të vendit dhe Radojiçiq si nënkryetar i Listës Serbe “haparesheshin” në Zyren e Kryeministrit të Kosovës, krimineli serb dyshohej për rastin e vrasjes së politikanit serb të veriut, Oliver Ivanoviq, raporton gazeta online Reporteri.net.

    Në takimin me Haradinajn, në zyrën e tij si kryeministër i vendit, Radojiçiq ishte shoqëruar nga kryetari i partisë Goran Rakiq – ndonëse ishte “sekret publik” se krimineli serb që kërkohej nga shteti i Kosovës në fakt ishte “kryetari real” i Listës Serbe.

    5 vite pas, Radojiçiq veç e ka rritur dozën e të qenurit kriminel i fuqishëm. Ai së fundi del të ketë qenë lideri i grupit terrorist serbë që të dielën nga Manastiri i Bansjkës në Zveçan sulmuan Policinë e Kosovës, duke e lënë të vrarë një pjestar të saj dhe dy tjerë të plagosur.

    Pak muaj para takimit zyrtar me Haradinajn, për të cilin në vitin 2018 kishte shpërndarë komunikatë edhe vetë Qeveria e Kosovës, ish-kryeministri i Kosovës, njëherit ish-komandant i UÇK’së gjatë luftës dhe Milan Radojiçiq ishin takuar bashkë edhe privatisht në një nga restorantet në qendër të Prishtinës.

    Si i kishte arsyetuar Haradinaj dy takimet me Radojiçiqin, që Kurti ia përmend vazhdimisht

    Para se të përfshihej direkt në terrorizëm, shefi i nëntokës dhe krimit në veri të Kosovës tash e një vit figuron në listën e zezë të Amerikës dhe Britanisë së Madhe, shkaku i aktiviteteve të tij krejtësisht të rrezikshme e jashtëligjshme.

    Pamjet dhe dëshmitë tjera për përfshirjen direkte të Radojiçiqit në sulmin terrorist të së dielës mbi Kosovën i kanë nxjerrë, sot e dje, në publik Policia e Kosovës dhe Ministria e Brendshme, përmes Ministrit të saj.

    Madje, ka raportime e dyshime se kryeterroristi i guerilëve të Manastirit të Banjkës është plagosur të dielën në veri të vendit, dhe është arratisur për trajtim mjekësor në Spitalin Ushtarak në Beograd të Serbisë, raporton Gazeta Online Reporteri.net.

    Radojqiq, përveç “mikpritjes” që i kishte bërë Ramush Haradinaj në Kryeministri, rreth një vit më parë, në 2017-ën, ishte pritur në jahtin e tij edhe nga biznesmeni Behgjet Pacolli. Ky i fundit, gjatë qeverisjes së Haradinajt kishte qenë Ministër i tij si Kryediplomat i vendit.

    Edhe në foton e Radojqiqit me Pacollin në jahtë, nenkrytetari i Listës Serbe shoqërohej nga Goran Rakiqi.

    Behgjet Pacolli vazhdon të heshtë për takimin në jaht luksoz me njeriun e nëntokës serbe

    Kush është Milan Radojiçiq?

    Krimineli serb, Milan Radojiçiq ndodhet në listën e zezë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Britanisë së Madhe. Në dhjetor të vitit 2021, Ministria e Financave e SHBA-së ka futur në listë të sanksioneve Millan Radoiçiqin, Zvonko Veselinoviqin, vëllain e tij, Zharkon, dhe dhjetë persona të tjerë të lidhur me ta.

    Në sqarim është thënë se Radoiçiq ka qenë zëvendës i Zvonko Veselinoviqit dhe udhëheqës i një grupi të organizuar kriminal, kur Veselinoviq është tërhequr për pak kohë.

    Po ashtu, është thënë se Radoiçiq ka qenë përgjegjës për kontrabandën e armëve në grupin e krimit të organizuar të Veselinoviqit.

    Sipas Ministrisë së Financave në SHBA, grupi kriminal i Veselinoviqit është i përfshirë në një skemë të gjerë të ryshfetit, së bashku me zyrtarë të sigurisë kosovarë dhe serbë, të cilët lehtësojnë tregtinë e paligjshme të mallrave, parave, narkotikëve dhe armëve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

    Radioiçiqi është zgjedhur nënkryetar i Listës Serbe pak muaj pas vrasjes së politikanit serb nga Kosova, Oliver Ivanoviq, më 2018. Emri i tij lidhet edhe me këtë vrasje, por epilog për këtë rast nuk ka ende.

    Urdhri për arrestimin e Radoiçiqit është tërhequr pa asnjë shpjegim në mars të vitit 2021 – mirëpo më vonë është kthyer prapë.

    Radoiçiq i ka shpëtuar dy herë arrestimit nga Policia e Kosovës, duke u arratisur nga Kosova.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla, ka thënë se Radoiçiq është njëri prej udhëheqësve të grupeve kontrabanduese që sulmojnë policinë në veri të Kosovës.

    Nga gjetja e dokumenteve tek Manastiri, deri tek raportimet për plagosjen e tij – Krejt çka dihet deri tash rreth përfshirjes së Radojiçiqit në sulmin terrorist në veri

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!