×
  • Lajme
  • Lajme

    Votat “kundër” në Beograd shihen si mundësi për rrëzimin e Vuçiqit nga pushteti

    Reporteri
    17 Janar 2022 | 9:35

    Sërgjan Nogo, ish-deputet dhe anëtar i opozitës, në ditën e referendumit theu kutinë e votimit në shenjë proteste ndaj pushtetit

    Rezultatet preliminare të referendumit të djeshëm të mbajtur në Serbi, tregojnë se opsioni “Po” i promovuar nga pushteti, ka fituar bindshëm.

    Qytetarët serbë, rreth 60 për qind e atyre që dolën në referendum, votuam për ndryshimet kushtetuese në fushën e gjyqësorit, ndërkohë që rreth 40 për qind ishin kundër.

    Megjithatë, në kryeqendrën e Serbisë, Beograd, rezultatet ishin ndryshe dhe partitë opozitare, po i lexojnë ato si mundësi për ndryshime edhe në pushtet më 3 prill, kur mbahen zgjedhjet presidenciale në këtë vend.

    Në Beograd, rreth 55 për qind votuan kundër ndryshimeve kushtetuese.

    “Beogradi ka treguar se nuk pajtohet me manipulimet e reja progresive dhe shkatërrimin e demokracisë në shoqërinë tonë”, tha në një deklaratë lëvizja “Ne davimo Beograd” (Mos e mbyt Beogradin), përcjell N1. “Rezultatet e referendumit në kryeqytet, tregojnë potencial të madh për ndryshim në zgjedhjet e ardhshme”.

    Opozita në Serbi ka kohë që është duke bashkëpunuar për të dalë me një emër të përbashkët si kandidat për president të Serbisë, ndërkohë që pushteti tashmë ka propozuar Vuçiqin edhe për një mandat.

    Vuçiq, kryetar edhe i Partisë Progresive Serbe, është në koalicion me Partinë Socialiste të Serbisë që udhëhiqet nga Ivica Daçiqi, Lëvizjen e Socialistëve që udhëhiqet nga Aleksandar Vulini dhe disa parti të tjera të vogla. Të gjithë këta politikanë ishin pjesë e pushtetit edhe gjatë luftës në Kosovë.

    Vuçiqi është kthyer në pushtet më 2012.

    Në Kosovë, me vendim të institucioneve, nuk u lejua të zhvillohet referendumi. Serbët e Kosovës shkuan në qytete të ndryshme të Serbisë për të votuar.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!