Dy persona janë vrarë dhe një tjetër është plagosur nga të shtënat me armë zjarri që ndodhën sot në fshatin Livoç i Ulët të Gjilanit.

Sipas informacioneve të siguruara nga Gazeta Online Reporteri.net, e vrarë me armë zjarri në këtë rast ka mbetur N.B., rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se u qëllua për vdekje nga bashkëshorti i saj, V.R.. Viktima tjetër që mbeti i vrarë është vëllai i gruas, E.B., ndërsa i plagosur në po ketë rast ka mbetur M.B., djali i axhës së dy viktimave tjera.

Burri i dyshuar për vrasjen e dyfishtë dhe plagosjen është vetëdorëzuar në stacionin policor në Gjilan. Gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, që dyshohet se është përdorur në rast.

Reklamë

Dyshohet se ngjarjes së rëndë i kanë paraprirë probleme në çift, por Policia e Kosovës ka bërë të ditur se motivi ende nuk dihet.

Në një njoftim zyrtar, Policia ka njoftuar se informatën për të shtënat me armë zjarri në Livoç të Ulët e ka pranuar rreth orës 14:25.

Njësitë relevante policore dhe dy prokurorë të Shtetit kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku është gjetur i vrarë një burrë rreth 30-vjeçar, brenda një veture.

Ndërkohë, gruaja është dërguar në Spitalin e Përgjithshëm të Gjilanit pa shenja jete.

I plagosuri, pas marrjes së ndihmës së parë në Emergjencën e këtij spitali, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Reklamë

Sipas Policisë, të dyshuarin dhe viktimat i lidh një raport familjar.

Hetimet po vazhdojnë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit.

Njoftimi i plotë zyrtar i Policisë:

Sot, më 09.10.2026 rreth orës 14:25, Policia e Kosovës, përkatësisht Stacioni Policor në Gjilan, ka pranuar një informatë lidhur me të shtëna me armë zjarri në fshatin Livoç i Ulët, në Komunën e Gjilanit.

Reklamë

Menjëherë pas pranimit të informatës, në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë relevante policore, si dhe dy prokurorë të Shtetit, me ç’rast është konstatuar se bëhet fjalë për një incident të rëndë, ku dyshohet se nga arma e zjarrit është vrarë një person i gjinisë mashkullore rreth 30-vjeçar i cili është gjetur brenda një veture. Po ashtu ne vendin e ngjarjes ka dal edhe Drejtori i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Gjilan.

Gjithashtu në Spitalin e Përgjithshëm në Gjilan është sjellë pa shenja jete një person i gjinisë femërore, rreth 30-vjeçare, e cila dyshohet se po ashtu është vrarë nga arma e zjarrit nga i njëjti i dyshuar.

Ndërkohë, një person tjetër i cili ka pësuar lëndime nga arma e zjarrit, pas marrjes së ndihmës së pare në Emergjencën e Spitalit të Përgjithshëm në Gjilan, është transferuar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Sipas informatave fillestare, dyshohet se në mes të të dyshuarit dhe viktimave ekziston një lidhje familjare. Deri në këtë fazë të hetimeve, motivi që ka çuar në këtë ngjarje ende nuk dihet.

Reklamë

I dyshuari është vetë dorëzuar, ndërsa gjatë veprimeve policore është sekuestruar edhe një armë zjarri, e cila dyshohet se është përdorur në rast.

Policia e Kosovës, në koordinim me Prokurorin e Shtetit dhe njësitë relevante hetimore, është duke ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore me qëllim të sqarimit të plotë të rrethanave të ngjarjes, përcaktimit të motivit dhe dokumentimit të rastit.