×
  • Lajme
  • Lajme

    Vuçiq “vajton” 20 vjetorin e bombardimeve të NATO-s: Askush nuk e ndihmoi Serbinë

    Reporteri
    24 Mars 2019 | 23:35

    Ndërsa në Kosovë 20 vjetori i bombardimeve të NATO-s u prit me falënderime e përulje, në Serbi mbretëroi një atmosferë krejt ndryshe.


    Para rreth 20 mijë personave të mbledhur në Nish për shënimin e kësaj ngjarjeje që në Serbi konsiderohet tragjedi, foli presidenti serb, Aleksander Vuçiq.

    Me tone nacionaliste, Vuçiq tha se askush nuk do ta lejojë askënd të shkelë mbi lirinë dhe pavarësinë e Serbisë.

    “Për pesë vite radhazi ne shënojmë agresionin NATO-s ndaj një shteti të vogël, të lirë dhe asnjëherë pushtues”, filloi fjalimin e tij Vuçiq.

    Sipas tij, në ato momente të vështira, askush nuk i qëndroi pranë shtetit serb.

    “Ne nuk kishim miq në atë kohë. Faleminderit atyre që nuk ishin kundër nesh, mirëpo askush nuk na ndihmoi”, citohet të ketë thënë presidenti serb.

    Siç u shpreh Vuçiq, Serbia u konfrontua me aleancën më të fortë ushtarake, me një aleancë të pasur dhe të fuqishme, me 22 tonë të bombave që sipas tij kishin vetëm një qëllim: mposhtjen e Serbisë, shkatërrimin e saj dhe marrjen e territorit për t’ia dhënë dikujt tjetër, transmeton Lajmi.net.

    Në vazhdën e fjalimit të tij, Vuçiq tha se nuk do të lejojë të cenohet siguria e serbëve të Kosovës.

    Madje sipas tij serbët e Kosovës po e mbajnë gjallë emrin e tyre dhe atë se çfarë përkasin.

    Ai ripërsëriti edhe njëherë se shkaku i ngjarjeve të 24 marsit, Serbia do të qëndrojë neutrale dhe nuk do aspirojë asnjëherë anëtarësimin në NATO.

    E kujtojmë se pikërisht Vuçiq po përballet me protesta masive në Serbi kundër siç e quajnë ata “diktaturës” së instaluar në këtë shtet.

    Çdo të shtunë, protestuesit mblidhen në sheshet kryesore të Beogradit për të kundërshtuar politikat e Vuçiqit, njeriut që po vlerësohet se i ka rënë dukshëm përkrahja në popullin serb. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!