Pas konfirmimit të fitores së Zheljko Komshiç për postin e Anëtarit kroat të Presidencës tripalëshe të Bosnje-Hercegovinës, ka reaguar presidenti kroat, Zoran Millanoviç, i cili tha se “kjo është situatë e paqëndrueshme”, raporton gazeta online Reporteri.net.
Millanoviç tha se Kroacia “nuk po bën mjaftueshëm” për popullin konstituent kroat në BeH ndërsa komuniteti ndërkombëtar “asgjë”.
“Derisa është e mundur që për kroatët të zgjidhet dikush tjetër si antëar të Presidencës, kjo quhet mashtrim”, raportoi të ketë thënë presidenti kroat, shërbimi për shtyp i presidencës kroate.
Zagrebi zyrtar nuk e njeh Zheljko Komshiçin për përfaqësues të popullit kroat, ngase beson se ai (mbi)votohet nga boshnjakët dhe jo kroatët për të përfaqësuar popullin kroat të BeH-së.
Millanoviç ka thënë se ngase “kjo situatë është e papërballueshme” ai do të mbështesë “çfarëdo forme vetë-qeverisje të kroatëve brenda Bosnje-Hercegovinës”.
Milanoviç beson se Kroacia duhet ta udhëheqë dhe ta menaxhojë vetë këtë problem në Bosnje dhe Hercegovinë, dhe jo “të varet nga mëshira e zyrtarëve”.
“Fati i kroatëve në Bosnje dhe Hercegovinë në katër vitet e ardhshme varet nga kjo. Është një situatë e paqëndrueshme”, tha presidenti kroat.
Milanoviç thekson se më parë ka pasur marrëdhënie të mira me politikanët në Bosnje dhe Hercegovinë, si Komshiçin, por se ai e ka kuptuar se ata janë “mashtrues dhe se këtyre njerëzve nuk mund t’u besohet”, sepse ata janë atje për të “përfituar nga fakti që ka pak kroatë”, raportojnë mediat kroate.
Në zgjedhjet e djeshme, Zheljko Komshiç u rizgjodh anëtar kroat i Presidencës së BeH-së, derisa partia dhe kandidati i cili ka mbështetjen e Zagrebit zyrtar, Dragan Çoviç i Unionit Demokratik të Kroatëve të Bosnje Hercegovinës (HDZ BiH) nuk arritën të fitojnë në zgjedhjet presidenciale të BeH-së./Reporteri.net/