Një laborator i madh për kultivimin e drogës u zbulua sot në fshatin Jabllanicë e Vogël të Pejës.
Prokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Sahide Gashi, ka dhënë detaje nga aksioni i tyre bashkë me Policinë të laboratorit.
Ajo ka konfirmuar se në laborator përdoreshin pajisje të avancuara për krijimin e kushteve të kultivimit të drogës.
“Kemi marë informata nga puna në terë nga Njësiti i Antidrogës në Pejë, dhe nga burimet e sigurta i kemi konfirmuar fillimisht ato informata dhe pasi kemi siguruar urdhrin e gjykatës kompetente sot Njësiti bashkë me prokurorin e shtetit kemi ardh në kontrollorë në lokacionet e dyshuar e cila ka rezultuar me sukses. Ku kemi gjete lokacionin e saktë, një laborator dhe bimët të cilat kanë qenë në proces e sipër të kultivimit, pajisje jashtëzakonisht të avancuara për krijimin e kushteve për kultivim”.
Ajo tutje ka thënë se në vendin e ngjarjes ka dalë edhe Njësiti i KEDS-it, pasi dyshohet se energjia elektrike për kultivimin e tyre u shfrytëzua në mënyrë ilegale.
“Kemi dyshuar se energjia elektrike për kultivimin e tyre është duke u shfrytëzuar në mënyre ilegale e kemi thirrë në vendin e ngjarjes edhe Njësiti i KEDS-it”, ka thënë Gashi për Dukagjinin.
Avokatja e të dyshuarit, Zana Krasniqi ka folur para gazetarëve me ç’rast ka dekalruar se i dyshuari është treguar bashkëpunues.
Krasniqi shtoi se në këtë fazë, nuk mund të jepen më shumë detaje rreth rastit.
“Jam sipas detyrës zyrtare, klienti im, është prezantu mjaft bashkëpunues, më tutje nuk kemi çka me deklaru në këtë fazë. Kemi bisedu me të, njëherë nuk kemi çka me deklaru.Nuk muj me thënë, as me u lëshu në atë aspet (kse a e ka pranu veprën), por është tregu bashkëpunues”, tha ajo.
Zëdhënësi i Prokurorisë në Pejë, Shkodran Nikçi për Gazetën Online Reporteri.net ka thënë se pritet të ketë arrestime.

