×
  • Lajme
  • Lajme / Intervistimi i ambasadorit

    Zëdhënësi i Prokurorisë: Nuk ka aktakuzë ndaj Martinajt

    Reporteri
    29 Mars 2024 | 17:13

    Pas disa orësh pritjeje të mediave para Prokurorisë Speciale në lidhje me intervistimin e ambasadorit Martin Berishaj, zëdhënësi i Prokurorisë, Ekrem Lutfiu ka thënë se nëse do të kishte aktakuzë ndaj Berishajt, do të kishte edhe njoftim, përcjell gazeta online Reporteri.net.

    Në insistimin e gazetarëve, nëse ambasadori Berishaj është liruar, Lutfiu ka thënë se nuk ka informacione që mund t’i ndajë me mediat.

    “Kërkoj ndjese për mos ofrimin e informatave. As unë nuk jam i informuar dhe nuk e di se çfarë është t’u ndodhë dhe nuk e di a është duke u intervistuar dikush”, ka thënë Lutfiu.

    “Nuk kam informata, kërkoj ndjesë, por s’kam informata që mund t’i ndajë me ju”, ka shtuar tutje ai.

    Sa i përket asaj nëse është ngritur aktakuzë, Lutfi ka thënë se për derisa nuk kanë njoftuar, i bie që nuk ka aktakuzë.

    “Nëse do të kishte aktakuzë, do t’ju kishim informuar, si zakonisht që informojmë, përderisa nuk ka, nuk e kemi informu”, ka thënë shkurt ai.

    Avokati i Berishajt thotë se deklarata e tij është konfidenciale

    Ambasadori  i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj është duke u intervistuar nga Prokuroria e Speciale në Prishtinë. Ky intervistim vjen pas dyshimeve për një aferë financiare të Berishajt në Slloveni, për të cilën është raportuar gjerësisht në media.

    Në maj të vitit 2022, televizioni slloven “Planet TV”, publikoi disa dëshmi ku dyshohej se rreth 600 mijë Euro të derdhura në xhirollogaritë e biznesit të Berishajt në Mal të Zi, gjatë periudhës kohore 2019/2020, janë nga filiali në Beograd i GEN-I – një rrjet slloven për tregtim të energjisë i shtrirë në tërë rajonin.

    Ndonëse në Slloveni u duk si një aferë për efekt elektoral, tri ditë para mbajtjes së zgjedhjeve të 24 prillit atje, zbulimi i mediumit slloven rezultoi tejet i rëndësishëm edhe për Kosovën – me një ambasador të shtetit të përfshirë në dyshime për shpëlarje parash, me biznes të fshehur në Mal të Zi, me para të derdhura nga Serbia në llogaritë e tij, nga një kompani sllovene.

    Televizioni slloven raportoi se mbi gjysmë milion euro, në kesh, janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni, kurse rolin e mushkës [transportuesit] të parave dyshohet se e ka kryer ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj përmes “MB Consulting”.

    Ky televizion ka dëshmuar me dokumente tërheqjen në kesh të rreth 600 mijë eurove, por jo edhe pjesën tjetër të pretendimit se ato i janë dhënë Robert Golobit, ish-drejtor i GEN-i, dhe tani politikani që i ka fituar zgjedhjet e fundit në Slloveni. Ai, sikurse edhe Berishaj, i kanë mohuar akuzat dhe raportimet e televizionit slloven.

    Ndërsa një hulumtim i Gazetës Online Reporteri.net i publikuar në maj të vitit të kaluar kishte zbuluar afër 2 milionë Euro të hyra në xhirollogaritë e “MB Consulting”, biznesin e Martin Berishajt në Mal të Zi, në më pak se 5 vite – nga fundi i vitit 2016 deri në vitin 2020.

    Në hulumtimin e bërë nga Gazeta Online Reporteri.net në maj të vitit 2022, dëshmohet se ambasadori aktual i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, në llogarinë bankare të kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi, ka pranuar afër 2 milionë euro përgjatë viteve 2016 deri në vitin 2020. Ndërsa e dëshmuar me dokumente, sipas televizionit slloven, është se Berishaj gjatë viteve 2019 dhe 2020, i ka tërhequr në kesh rreth 600 mijë euro nga xhirollogaria e “MB Consulting”. Tutje, sipas Planet TV të gjitha të hyrat në xhirollogaritë e “MB Consulting” janë nga filiali në Serbi i GEN-i.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!