×
  • Lajme
  • Lajme

    Zyra e Kryeministrit blen 552 Euro çizme, thotë se janë për hetuesit e aksidenteve

    Reporteri
    27 Mars 2019 | 14:39

    Zyra e Kryeministrit në janar të këtij viti ka blerë çizme për teren në vlerë 552 Euro. Përzgjedhja është bërë përmes procedurës së mbyllur te prokurorimit. Në njoftimin për “dhënien e kontratës” nuk tregohet sa palë çizme janë blerë me këtë çmim. Sipas Kryeministrisë, çizmet e blera kanë qenë për Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.


    Tenderin në fjalë, Zyra e Kryeministrit e ka dhënë më 15 janar 2019, një ditë pasi e shpalli atë, shkruan Reporteri.net.

    Për çizme, sipas Njoftimit për Nënshkrimin e Kontratës, e publikuar nga Komisioni Rregullativ i Prokurorimit Publik, Zyra e Kryeministrit Haradinaj kishte ndarë 600 Euro.

    E ofertuesi më i lirë ka dalë të jetë “Melodia” sh.p.k., e cila e ka furnizuar kryeministrin dhe stafin e tij me çizme të reja për vetëm 552 Euro.

    Kompania në fjalë është përzgjedhur përmes procedurës së mbyllur të prokurorimit. Me këtë rast, Zyra e Kryeministrit përveç nga fituesja e tenderit ofertë për furnizim me çizme ka kërkuar edhe nga dy kompani tjera.

    Zëdhënësja e Qeverisë, Donjeta Gashi, ka thënë për Reporteri.net se çizmet janë blerë për Komisionin për Hetimin e Aksidenteve dhe Incidenteve Aeronautike.

    “Është para dy muajve. Janë ble pajisje për Agjencionin KHAIA. Çizme, jelekë, e elemente tjera, për dy zyrtarë hetues të aksidenteve hekurudhorë. Nuk kanë të bëjnë me kabinetin fare”, ka thënë Gashi, duke i konsideruar “Fake News” raportimet e disa portaleve se çizmet janë blerë për nevojat e zyrës së Kryeministrit Haradinaj.

    Nga ana tjetër, në tenderin e publikuar në faqen e KRPP-së përshkrim i shkurtër i lëndës së kontratës jepet vetëm “Furnizim me çizme tereni”, elementet tjera nuk përmenden. /Reporteri.net/.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!