×
Opinione

“Kundër Socialistëve të Shampanjës”

Reporteri
05 Janar 2022 | 16:17

Autorë: Jason Brennan dhe Christopher Freiman


Pse Bernie Sanders, Hasan Piker dhe Elizabeth Warren duhet hapur portofolet e tyre para se ta hapin gojën.

Ka qenë një vit i keq në marrëdhëniet me publikun për “Socialistët e Shampanjës”, ose nëse preferoni t’u thoni, “Marksistët Neiman”. Transmetuesi socialist Twitch dhe prezantuesi i “The Young Turks”, Hasan Piker, blenë shtëpi prej 2.7 milionë dollarësh në Beverly Hills, me një pishinë e një ekran të madh të jashtëm, tamam për argëtim.

Milionerja Aurora James, dizajnoi fustanin për deputeten demokrate të New Yorkut, Alexandria Ocasio-Cortez, të cilin ajo e veshi në Met Gala me një biletë prej 35,000 dollarësh.

Ky fenomen i egalitarëve që jetojnë në luks duke i denoncuar të këqijat e pabarazisë, nuk është diçka e re. Në 2018-n, senatori socialist i Vermontit, Bernie Sanders, pagoi një normë tatimore efektive prej 26 për qind, ani pse bëri fushatë në një platformë që atij do t’i kërkonte të paguante prej më shumë se 40 për qind. Pas taksave e donacioneve, Sanders mbeti brenda 1 përqindëshit më të lartë të fituesve amerikanë dhe 0.02 përqindëshit më të lartë në botë. Vëzhguesit kuriozë mund ta pyesin Sanders se pse, një kritik i palodhur i këtij 1 përqindëshi nuk shet shtëpinë e tij të pushimeve prej 575,000 dollarësh dhe nuk i jep të ardhurat e tij për bamirësi, ose, nuk i ofron ato si donacion për qeverinë amerikane përmes pay.gov. Por e njëjta gjë vlen edhe për senatoren e Massachusetts Elizabeth Warren, një progresiste prej shumë kohësh, e cila ka të ardhura neto prej 10 milionë dollarësh dhe megjithatë në vitin 2018, ka dhuruar si donacion vetëm 50.128 dollarë.

Në pamje të parë, hipokrizia e egalitarëve të pasur që kanë stil jetese të pabarabartë, duket aq e pamohueshme. Ata, bëjnë thirrje për taksa më të larta për njerëz si ata, sepse mendojnë se është e padrejtë që disa të kenë aq shumë, e disa të tjerë pak. Duket gabim, pra, që ata të shpenzojnë paratë e tyre shtesë për veten në vend që t’ua dhurojnë të varfërve. Në fund të fundit, sipas dritës së tyre të barazisë, të varfërit kanë një pretendim moral më të fortë për këto para sesa vet ata.

Në anën tjetër, egalitarët e pasur i konsiderojnë të ardhurat e tyre të tepërta si pronë që mbahet padrejtësisht. Por, është e çuditshme të kërkosh që shteti t’ju detyrojë që t’ua jepni pronën tuaj pronarëve të paligjshëm, në vend që t’ua jepni vet atyre. Në rast se të varfrit kanë pretendim më të fortë për të ardhurat tuaja të tepërta sesa ju, mos prisni që IRS (Shërbim i të Ardhurave të Brendshme – Departament Qeveritar në Britaninë e Madhe), t’i marrë ato, veçanërisht nëse e dini se ata s’kanë ndonjë plan.

Por ndoshta “Socialistët e Shampanjës”, nuk mund ta mbrojnë veten. Egalitarët (barazitarët), shpesh thonë se pabarazia është problem strukturor në lidhje me modelet e shpërndarjes së pasurisë, të të ardhurave e statusit. Kjo pabarazi shkaktohet nga institucione të padrejta, dhe kështu, ky eliminim i pabarazisë kërkon edhe ndryshim të këtyre institucioneve në vend të ndryshimit të sjelljes individuale. Në të vërtetë, Piker e argumenton vet në Twitter, “domosdoshmëria e bamirësisë është tregues i dëshimit sistematik. Është akoma e dobishme të ndihmosh organizatat nevojtare reciproke në afat të shkurtër, por nuk është mënyra se si e zgjedh problemet strukturore”. Ai sugjeron: “Dëgjo, nëse je i inatosur me mua, vendosu taksa të dreqit njerëzve si mua”.

Realizimi i barazisë ekonomike, thotë ai, kërkon ndryshime në kodin tatimor dhe jo ndryshime në sjelljen e dhënies. Rregullimi i padrejtësisë kërkon prej nesh, jo prej Piker, të hapin portofolin e tij.

Megjithatë, siç ka theksuar edhe filozofi i Oksfordit G.A Cohen në librin e tij “If You’re an Egalitarian, How Come You’re so rich? – “Nëse je një egalitar, si është e mundur të jesh kaq i pasur?”, fakti i thjeshtë që nuk mund ta rregullosh një institucion të padrejtë nuk do të thotë që nuk duhet të rregullosh disa nga dëmet e shkaktuara nga po ai institucion. Supozoni që po zbulojmë se policët po inkuadrojnë sistematikisht njerëz të pafajshëm duke vendosur gjurmët e gishtërinjve në skenat e krimit. Do të ishte absurde që një juri ose një avokat qarku që e dinte këtë, të refuzonte të lironte një person të vetëm të pafajshëm me arsyetimin se, shpëtimi i një viktime nuk e rregullon sistemin.

Në mënyrë të ngjashme, supozoni se hendeku midis të pasurve dhe të varfërve është i padrejtë, të pasurit kanë shumë dhe të varfërit kanë pak. Do të ishte moralisht e gabuar që një person i pasur të refuzonte t’u jepte të varfërve një pjesë të tepricës së tij me arsyetimin se, të dhënit nuk rregullon sistemin tatimor që i mundëson atij të grumbullonte tepricat.

Një mbrojtje e lidhur e “Socializmit të Shampanjës”, pretendon se donacionet individuale janë thjesht një “pikë në oqean”, për të huazuar frazën e Cohen. Edhe dhurimi i një milion dollarëve për të varfërit nuk do të bëjë një ndryshim domethënës në shpërndarjen e përgjithshme të pasurisë dhe të ardhurave. Ndonjëherë argumente të tilla kanë kuptim. Supozoni se një person thotë: “Ndryshimi i klimës është një problem serioz”, por nuk drejton biçikletën ose veturën elektrike. Ai mund ta justifikojë këtë duke thënë, saktë, se një vendim për të ngarë biçikletën ose për të kaluar në një veturë elektrike do të kishte fjalë për fjalë një efekt të papërfillshëm në ndryshimin e klimës. Nuk do të ndihmonte askënd. Ndryshimi i klimës është padyshim një problem klasik i veprimit kolektiv, ku ajo që ka rëndësi është po ajo që bëjmë ne, jo ajo që bën secili prej nesh.

Është e vërtetë që egalitarja e pasur nuk mund të eliminojë personalisht pabarazinë mbarëkombëtare duke dhuruar të ardhurat e saj që janë të tepërta. Është e vërtetë që nëse e bën këtë, ndryshimi në shpërndarjen e të ardhurave apo pasurisë do të jetë i papërfillshëm. Por, ndryshe nga rasti i klimës, ajo në fakt mund të bëjë një ndryshim të rëndësishëm pozitiv për diçka që i intereson: mirëqenien e të varfërve. Një individ nuk mund të eliminojë pabarazinë, por mund të shpëtojë një jetë ose t’i japë fund privimit të dikujt. Kur një egalitar i pasur dhuron për të varfërit, ajo transferon para nga dikush që ajo beson se nuk duhet t’i ketë te dikush që ajo beson se duhet. Një dhurim i vetëm mund të jetë “një pikë në oqean”, por ndonjëherë, këto pika në oqean kërkohen moralisht. Lirimi i të burgosurit të dënuar gabimisht, mund të mos ketë një efekt domethënës në numrin total të të burgosurve të dënuar gabimisht.

Për më tepër, duke marrë seriozisht argumentin “një pikë në oqean”, do të nënkuptojë se njerëzit nuk janë të detyruar të bëjnë shumë nga gjërat që egalitarët mendojnë se duhet, të tilla si votimi për Bernie Sanders. Vota juaj për Sanders nuk do të përcaktojë rezultatin zgjedhor, por ai na nxit ta bëjmë gjithsesi. Sigurisht, Sanders duke inkurajuar të tjerët për t’i dhënë atij pushtet e ndihmon atë, ndërsa paratë që ai ka dhuruar do ta dëmtonin atë. Sanders mund të thotë se nëse mjaft prej nesh votojnë në mënyrën e duhur, ai mund të fuqizohet për të ndihmuar në uljen e pabarazisë. Por nëse mjaft prej nesh dhurojnë në mënyrën e duhur, ne mund të reduktojmë pabarazinë dhe varfërinë mbarëkombëtare.

Një egalitar mund të thotë se arsyeja e vërtetë për t’i dhënë përparësi ndryshimeve sistematike në shkallë të gjerë nuk është pasurimi i të varfërve, por fundi i shfrytëzimit kapitalist. Një donacion për bamirësi nuk do ta bënte këtë. Teoricieni politik i Kolegjit Brooklyn, Corey Robin pohon: “Nën kapitalizëm, ne jemi të detyruar t’i nënshtrohemi shefit. Të tmerruar nga ana e tij e keqe, ne përkulemi dhe gërvishtemi, bëjmë lajka dhe flirtojmë, ose më keq – vetëm për të marrë një rritje ose të sigurohemi të mos na largojnë nga puna. Argumenti socialist kundër kapitalizmit nuk është se ai na bën të varfër. Ai na bën neve jo të lirë.

Ngjashëm, Mathew Snow shkruan në artikullin Jakobin në gusht të vitit 2015  “Kundër Bamirësisë”, se përqendrimi i vëmendjes sonë morale në dhënien e efektshme individuale në mënyrë ironike “i lutet individëve të përdorin paratë e tyre për të blerë gjërat e nevojshme për ata që kanë nevojë dëshpërimisht për to, por nuk thotë asgjë për sistemin që përcakton se si prodhohen dhe shpërndahen ato nevoja në radhë të parë”. Nëse Piker heq dorë nga grupi i tij për të dhuruar të ardhurat e kursyera për të varfërit, ai përsëri nuk do t’i çlironte përfituesit e tij nga dominimi i klasës kapitaliste. Ndoshta ata tani mund të rregullojnë ajrin e kondicionuar të Chevy-t, por gjithsesi do ta çojnë atë në punë për të punuar nën gishtin e madh të shefit.

Edhe nëse e japim këtë kritikë të dyshimtë të kapitalizmit, kundërshtimet nuk funksionojnë. Nuk ka asnjë dyshim se një socialist i pasur nuk mund të shfuqizojë në mënyrë të vetme shfrytëzimin kapitalist, megjithatë, ajo mund të zvogëlojë shfrytëzimin kapitalist në kufi. Ajo, ndoshta duke marrë një sugjerim nga filozofi i Harvardit, Robert Nozick, mund t’i përdorte milionat e saj për të financuar një firmë të kontrolluar nga punëtorët që funksionojnë sipas parimeve demokratike socialiste. Nozick argumentoi se sindikatat që synojnë të çlirojnë punëtorët nga dominimi i punëdhënësve do të bënin mirë që t’i merrnin gjërat në duart e tyre: Ata mund të zbrazin thesaret e tyre për të krijuar firma që i bëjnë punëtorët, shefa të tyre. Vendimet që duhet marrë, kush të punësohet e kush të pushohet nga puna mund të merren kolektivisht, me secilin punëtor që të jenë në të njëjtën fjalë.

Ndërsa Nozick u përqendrua në sindikatat e punëtorëve, pika e tij përgjithëson: egalitarët e pasur mund të përdorin milionat e tyre për të financuar kooperativat e punëtorëve. Do të vërejmë se ky ishte pikërisht lloji i marrëveshjes që Nathan Robinson, autor i “Why you Should be a Socialist”, “Pse duhet të jesh socialist” i vitit 2019, dhe avokat i zëshëm i sindikalizimit, dyshohet se u përpoq ta mbyllte revistën e tij. (Robinson më vonë kërkoi falje për planet e tij për të riorganizuar revistën duke mohuar se ai “u përpoq të parandalonte (Current Affairs) të bëhej një kooperativë. Sidoqoftë, demokratizimi i një vendi të vetëm pune do t’i linte strukturat ekonomike kapitaliste të paprekura diku tjetër.

Filozofi i Universitetit të New Yorkut, Thomas Nagel, ofron një arsyetim tjetër për mbajtjen e parave të tij: Është e paarsyeshme që ai të mbajë mbi supe barrën e dhurimit të të ardhurave të tij të tepërta kur të tjerët nuk e bëjnë këtë. Ky lloj argumenti është i besueshëm kur flasim për një konkurs. Për shembull, Sanders mbron financimin publik të zgjedhjeve, por pranon fondet private të fushatës. Ne mund ta justifikojmë këtë mospërputhje të dukshme: Ju mund të bëni thirrje për ndryshimin e rregullave aktuale duke mos qenë i detyruar të vini në disavantazh veten duke ndjekur rregullat tuaja ideale, veçanërisht kur kjo zvogëlon shanset tuaja për të reformuar rregullat. Kjo është e vërtetë në futboll dhe në zgjedhje.

Por drejtësia shpërndarëse nuk është një garë si zgjedhjet. Qëllimi i të qenit egalitar nuk është të mposhtni të tjerët, është për të ndihmuar ata që kanë nevojë. Nëse njerëzit po mbyten për shkak të mungesës së mjeteve mbrojtëse, ju duhet t’i hidhni ato tuajat për të shpëtuar jetën e tyre, pavarësisht nëse fqinjët tuaj nuk po bëjnë të njëjtën gjë.

Konsideroni se sa i çuditshëm tingëllon argumenti i “drejtësisë”, kur zbatohet për pothuajse çdo çështje tjetër të drejtësisë. Imagjinoni që po i luteni një rrëmbyesi që t’ua kthejë fëmijët që ua ka marrë dhe të heqë dorë nga rrëmbimi përgjithmonë. Ai do të pëgjigjet, “Por kjo do të ishte e padrejtë! Unë nuk do t’i kthej këta fëmijë dhe do të tërhiqem nga rrëmbimi derisa të gjithë të tjerët ta bëjnë të njëjtën gjë”. Ky argument është absurd. Siç thotë një shprehje, dy gabime nuk bëjnë një të drejtë. Duke vënë në dukje se  egalitarët tjerë nuk po japin pasurinë e tyre nuk është as justifikim dhe as shfajësim, siç mund t’ju thonë fëmijët më të vegjël (dhe na besoni, ata nuk janë dijetarë moralë).

Nagel, po ashtu pretendon se vendosja se kur dhe ku t’i dhuroni paratë tuaja është “më e bezdisshme” sesa të paguani taksat tuaja. A është, megjithatë? Ruajtja e informacioneve të kartelës sonë të kreditit për të lejuar donacione bamirësie mujore, është shumë më e lehtë sesa të depozitojmë taksat tona. Dhe të kuptosh se cilat organizata bamirëse ndihmojnë në mënyrë efektive të varfërit nuk është gjithashtu e bezdisshme, sepse vlerësuesit e bamirësisë e kanë bërë tashmë këtë për ju. Për të dhënë një shembull, Fondi i Ndikimit Maksimal i Givewell.org, shpërndan fonde për ato organizata bamirësie që arrijnë në përfundimin se bëjnë më të mirën për dollarin e dhuruar.

Për të qenë të qartë, nuk po themi një pikë banale që njerëzit ndonjëherë punojnë brenda institucioneve apo strukturave që ata i refuzojnë. Një anarkist nuk ka zgjidhje tjetër veçse të vozisë në rrugë publike. Një liridashës mund t’i dërgojë fëmijët e tij në shkollat ​​publike për të cilat paguan taksat. Një marksist mund të përçmojë prodhimin privat, por ende punon në një firmë fitimprurëse. Nuk mund të pritet që njerëzit të martirizohen për ideologjitë e tyre dhe kanë të drejtë të jetojnë jetë të denjë duke pasur parasysh strukturat përreth, që ata nuk mund t’i kontrollojnë.

Por Neiman Marxists, që dhurojnë të ardhurat e tyre të tepërta, do të vazhdojnë të jetojnë një jetë të denjë. Çështja jonë nuk është se ata duhet të dobësohen për t’u bërë dëshmorë për kauzën e tyre. Ne pretendojmë vetëm se ata duhet të japin shumën që ata vetë e konsiderojnë të përshtatshme për të  taksuar, para të cilat, sipas standardeve të tyre, në radhë të parë nuk duhet t’i kenë. (Në vitin 2018, Sanders zbriti 18,950 dollarë në donacione bamirësie – vetëm 3.3 për qind të të ardhurave të tij totale.)

E fundit, është veçanërisht e gabuar që dikush ta përdorë qëndrim moral për t’u bërë të pasur dhe të famshëm, dhe më pas, në vend që të shmangni sjelljen që ata pretendojnë se është e gabuar, të kënaqeni me të ose të përfshiheni në të shumë më tepër se të tjerët. Ka diçka qesharake dhe të neveritshme te pastori i krishterë fundamentalist, i cili bëhet i famshëm për dënimin e marrëdhënieve jashtëmartesore, por që punëson edhe një harem prostitutash. Ose merrni parasysh liderët e qeverisë që kërkojnë distancim social dhe maskim për masat, por kanë parti të mëdha dhe të pamaskuara derisa shtetet e tyre janë në mbyllje. Ose intelektuali publik që dënon komodifikimin e çdo gjëje, por kërkon 30,000 dollarë dhe bileta ajrore të klasit të parë për të dhënë leksione të ftuar mbi komodifikimin.

Kur shkëputja midis sjelljes personale dhe ideologjisë së shprehur është kaq dramatike, dhe kur personi bëhet i pasur dhe i famshëm për shprehjen e asaj ideologjie, ne duhet të pyesim veten nëse ai ka qenë ndonjëherë i sinqertë apo thjesht është përpjekur të promovojë veten.

Realiteti është se, për shumë njerëz, shprehja publike e ideologjisë nuk ka të bëjë me përpjekjen për të thënë se çfarë është e drejtë dhe çfarë e gabuar, ka të bëjë me përpjekjen për t’u dukur mirë te të tjerët. Është masturbim moral, jo teori morale. Në vend që të  ndihmojnë të  tjerët, gjë që mund t’u kushtojë diçka, ata mbrojnë të tjerët. Në vend që të përmirësojnë disa nga efektet e këqija të padrejtësisë, që mund t’u kushtojë diçka, ata mbrojnë drejtësinë. Ata më pas konsumojnë shkëlqimin e ngrohtë të altruizmit të lirë dhe fitojnë admirimin e bashkëmoshatarëve me mendje të njëjtë, vetëm duke jetuar një mënyrë jetese luksoze egoiste.

Ekonomisti i Universitetit George Mason, Tyler Cowen, njëherë vuri në dukje se në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, politika dhe sjellja e qyteteve duket se janë në kundërshtim. Qytetet egalitare me shpërndarje mjaft të barabartë të të ardhurave, priren të kenë një etikë konservatore, ndërsa qytetet që kanë pabarazi masive në pasuri dhe që shpërblejnë njerëz me status të lartë – si Los Angeles dhe New York, priren të kenë ideologji të majta dhe egalitare. Një mundësi është që veshja e një ideologjie të majtë është një lloj mbulese për të jetuar një jetë të krahut të djathtë. Ndoshta kjo shpjegon pjesërisht pse universitetet elitare janë kaq të majta. Ata shesin statusin e elitës, por këtë e mbulojnë me lëvdata të pandërprera të drejtësisë sociale. Mund të ndodhë që Harvardi është një institucion i krahut të djathtë që minon drejtësinë sociale, por nëse nuk ndalet kurrë së foluri për barazinë, ndoshta nuk do ta vini re.

Merrni parasysh ritualin amerikan të dhënies së një unaze të shtrenjtë fejese kur dikush propozon martesë. Ndër të tjera, unaza shërben për një qëllim sinjalizues: Fakti që propozuesi ishte i gatshëm të përballonte një kosto, të sakrifikonte rrogën e dy muajve për një xhingël, është një dëshmi e fortë se ky person është i sinqertë dhe i përkushtuar. Në përgjithësi, kur njerëzit mbajnë një kosto reale për të jetuar sipas pikëpamjeve të tyre të pretenduara, si kur njerëzit fetarë abstenojnë nga ushqimi i shijshëm (Ramazan), kjo është dëshmi që ata e nënkuptojnë këtë.

Në të njëjtën frymë, Piker mund të shesë shtëpinë e tij në Beverly Hills dhe të japë pjesën më të madhe të parave për bamirësi për të treguar përkushtimin e tij ndaj barazisë. Të flasësh për socializmin është e lirë (madje edhe  fitimprurëse), një donacion prej 2 milionë dollarësh nuk është. Megjithatë, në vend që të përballojnë një kosto reale për të ndihmuar me të vërtetë të varfërit, Piker dhe egalitarët tjerë të shquar, adoptojnë një filozofi që ata mendojnë se demonstron zemrat e tyre të mira, por që u lejon atyre të jetojnë sa më lartë ndërsa njerëzit po vdesin. /Përkthim nga Reason.com/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!