Amnezia politike e qëllimeve të luftës

Autor: Afrim Kasolli


Po flitet se shumë shpejt do të rifillojë dialogu ndërmjet autoriteteve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel. Janë shtuar me të madhe kërkesat dhe ftesat drejtuar autoriteteve politike, si në Prishtinë ashtu edhe ne Beograd, për rinisjen e këtij procesi nga të gjitha qendrat e vendosjes diplomatike ndërkombëtare. Nisma të tilla kanë marrë hov veçanërisht pas konstituimit të institucioneve qeverisëse në Kosovë, që dolën nga zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 14 shkurt. Siç është e qartë për të gjithë ne, me anë të kësaj ndërmarrjeje mëtohet që të arrihet një marrëveshje përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e raporteve ndërmjet dy shteteve.


Mirëpo, pikërisht në kohën kur presioni për rikthimin e palëve në tavolinën e dialogut po bëhej gjithnjë e më i theksuar, një pjesë e opinionit publik, si në shtetet e Ballkanit Perëndimor ashtu edhe në nivel më të gjerë ndërkombëtar, u trazua nga publikimi që portali i djathtë slloven “necenzurirano.si” i bëri një plani që u spekulua se ishte hartuar nga kryeministri i Sllovenisë, Janez Jansha. Këtë dokument ai ua kishte dërguar kohë më parë strukturave vendimmarrëse në Bruksel, përkatësisht presidentit të Këshillit të BE-së, Charles Michel, si rekomandim për zgjidhjen përfundimtare të krizës ish-jugosllave. Pak më vonë, kryetari i qeverisë në Slloveni e mohoi kategorikisht autorësinë e këtij non-paperi. E quajti spekulim dhe të orkestruar nga oponentët e tij politikë, si pjesë e një plani konspirativ për ta denigruar autoritetin e tij. Thuhet se ku ka tym ka edhe zjarr. Megjithatë, e vërteta e plotë për këtë dokument “bastard” mund të kuptohet me vonë, ose ndoshta edhe mund të mos zbulohet asnjëherë. Kjo mbetet të shihet. Inskenime të tilla sekrete mund të lansohen në opinionin publik nga disa instanca, me qëllim që të testohet opinioni publik. Të matet disponimi dhe prirjet e tij. Dhe nuk është e rastësishme që publikimi i tij ndodhi pikërisht në kohën kur Uashingtoni dhe Brukseli janë përfshirë në një aktivitet dinamik me qëllim të ringjalljes së dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit.

Fantazmat alarmuese

Ky non-paper që u “dekonspirua” konstaton se shpërbërja e ish-Jugosllavisë që filloi në fund të viteve ‘80 dhe vazhdoi përgjatë gjithë viteve ’90 të shekullit të kaluar, me tërë konsekuencat e saj tragjike, ende nuk ka përfunduar. Ndërkaq, ndarje të reja të shteteve ekzistuese, rishikim kufijsh dhe bashkime të mundshme shtetesh sipas linjave etnike, duhet të jenë terapia e vetme për ta përmbyllur një herë e përgjithmonë shkallmimin dhe dezintegrimin e asaj mini-perandorie.

Paralelisht më këtë dokument qarkulluan edhe disa harta “sekrete”, të cilat e paraqesin territorin e Kosovës pa komunat e banuara me shumicë serbe në pjesën veriore të saj, çfarë i shtuan dhe më shumë dyshimet dhe ankthet mbi prapaskenat e planeve dhe projeksioneve të tilla. Madje, mediumi i njohur gjerman Deutsche Welle, në një koment të tij, dokumentin e tillë e quajti ringjallje të fantazmave diplomatike të shekullit XIX, që ta kujtonte skemën e “Otto von Bismarck-ut, Lord Salisbury-it dhe Princ Gorcakov-it, kur uleshin së bashku përpara hartës së Ballkanit dhe brenda një muaji vendosnin me dorë për fatin e kombeve”. Ngjashëm, edhe kjo “shkarravinë sekrete” mëton të ofrojë “zgjidhje finale” për të gjitha “çështjet nacionale” që kanë mbetur të hapura nga ai proces detronizues historik dhe që aktualisht i ka bllokuar në një rreth vicioz shtetet e Ballkanit Perëndimor.

Ky dokument që “duhet të mbetet sekret deri sa vendimmarrësit nuk fillojnë ta adresojnë publikisht” sipas autorit të tij, që thuhet se është kryeministri slloven, me anë të disa rreshtave parasheh ndarjen e Bosnjës dhe bashkimin e Republikës Serbe me Serbinë si një shans për zgjidhjen e çështjes etnike serbe. Po ashtu, rekomandohet autonomia sipas modelit të Tirolit Jugor për kroatet e Bosnjës, ose eventualisht bashkimi i tyre me Kroacinë si mundësi për të zgjidhur çështjen nacionale kroate. Dokumenti parasheh edhe ripërcaktimin e kufirit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe eventualisht bashkimin e saj më Shqipërinë, si solucion adekuat për zgjidhjen e çështjes shqiptare.

Spekulohet se formula të tilla nuk është se s’janë diskutuar edhe më herët. Natyrisht, jo në këtë formë panrajonale dhe gjithëpërfshirëse. Supozohet se tema të tilla ishin hapur nëpër korridoret e salloneve diplomatike edhe gjatë negociatave në Bruksel, ndërmjet autoriteteve të Prishtinës dhe Beogradit. Këto pretendime atëbotë ngjallën reagime të ashpra ndaj ish-presidentit Thaçi, si në Kosovë ashtu edhe tek një pjesë e shteteve evropiane, veçanërisht nga Gjermania. Madje, në Samitin e Sigurisë në Munih të Gjermanisë, kryeministri Kurti – duke aluduar në këto spekulime dhe i nxitur nga një rivalitet i kahershëm ndaj ish-presidentit Thaçi, nuk nguroi t’i atakonte atë dhe presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si kreatorët e këtij projekti ogurzi. Ai shtoi se dialogu mund të zhvillohet vetëm atëherë kur të largohen duart e presidentëve nga hartat. I nxitur nga e njëjta bindje, Albin Kurti refuzoi të bëhet pjesë e bisedimeve në Uashington ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, të aranzhuara nga ish-presidenti Trump. Këtë refuzim ai e justifikoi me pohimin se nuk dëshiron të jetë në të njëjtën tavolinë ku, në vend të darkës, për meny shtrohet harta e Kosovës. Kurse thikat dhe pirunët në vend se te përdoreshin për ushqim, do të shërbenin për copëtimin e asaj harte. Ish-presidentit Thaçi iu pamundësua pjesëmarrja në atë ngjarje për shkak të zhvillimeve që u lidhen me Gjykatën Speciale. Dhe ish-kryeministrit Hoti i mbeti barra e përfaqësimit të Kosovës në Uashington, i cili fatkeqësisht nuk kishte legjitimitet të mjaftueshëm qytetar dhe me vonë, siç konstatoi Gjykata Kushtetuese, qeveria e tij ishte zgjedhur edhe në kundërshtim me procedurat legale. Ajo çfarë pasoi pas këtij tensioni është e njohur për të gjithë ne.

Sidoqoftë, idenë e rishikimit të kufijve me qëllim të mbylljes së kontestit të gjatë historik dhe politik ndërmjet dy popujve e kishte ravijëzuar kohë më parë në një studim edhe Grupi Ndërkombëtar i Krizave, me seli në Uashington. Në kuadër të opsioneve për nënshkrimin e marrëveshjes përfundimtare ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, kjo qendër analitike konstaton se krahas autonomisë shtesë për komunat veriore me shumicë serbe, nuk duhet përjashtuar as projektin e këmbimeve territoriale ndërmjet këtyre komunave dhe një pjesë të territorit të Luginës së Preshevës, të banuar me shumicë shqiptare, që ndodhet në jug të Serbisë. Madje, autorët e këtij vështrimi analitik marrin rol qortues edhe ndaj disa qendrave të vendosjes në BE, për rolin e tyre refuzues dhe bllokues ndaj këtij opsioni. Ky grup i këshillon këto instanca të diplomacisë perëndimore që të jenë më fleksibile, duke i inkurajuar palët për gjetjen e një zgjidhje inventive.

Studimi konstaton se problemi i vërtetë në terren mbetet ai i komunave në veri të Kosovës. Komuniteti serb që jeton atje ka refuzuar të integrohet në institucionet e Kosovës sipas Planit të Ahtisarit. Kështu, pyetja se kush do i qeverisë ato komuna, pas sabotimit që ato i kanë bërë në vazhdimësi stabilizimit të shtetit të Kosovës, është imponuar si temë e patejkalueshme e procesit të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit. Në këtë kontekst ka lindur edhe ideja e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, apo edhe ajo për shkëmbimin e territoreve. Kurse konkluzionet e Grupit Ndërkombëtar të Krizave, për dallim nga “zgjidhja magjike” rajonale që e kumton non-paperi slloven, fokusohen vetëm në raportet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. E nëse arrihet pajtimi eventual në përputhje më këto parime, ato duhet të vlejnë vetëm për dy vendet. Po ashtu, ky hulumtim përkujdeset që konstatimet e tij të mos kenë implikime gjeopolitike rajonale dhe kërkon që të merren masa mbi efektin domino që mund të ketë në Bosnje. Mirëpo, kjo frikë e eksportimit të kësaj formule edhe në Bosnjë flet më shumë së çdo gjë tjetër. Sepse në mënyrë implicite ajo tregon se sfidat me të cilat po përballen shtetet e Bosnjës dhe Kosovës e kanë të njëjtën origjinë, dirigjohen nga e njëjta qendër dhe motivohen nga i njëjti qëllim, por që manifestohen në forma të ndryshme. Derisa në atë shtet është Republika Serbe që po bllokon funksionalizimin normal të tij, në Kosovë veçanërisht janë serbët e veriut që po e minojnë stabilizimin e shtetit të Kosovës.

Vazhdimi i luftës me mjeta tjera politike

Pa mëdyshje, nuk mund të mohohet fakti se Bosnja dhe Kosova aktualisht kanë mbetur peng në procesin e normalizimit të shtetësisë së tyre, ndonëse secila me specifikat e veta. Dhe këtu nuk duhet të kemi iluzione për këtë realitet.

Madje, me të drejtë Grupi Ndërkombëtar i Krizave për rastin e Kosovës konstaton se refuzimi që komuniteti serb, veçanërisht në veri, ka demonstruar ndaj shtetit të Kosovës, e ka bërë gjendjen në atë rajon tejet fragjile dhe një vatër të vazhdueshme krize me potencial shpërthyes. Prandaj zgjidhja e kësaj çështjeje ka karakter urgjent.

Mirëpo, që analiza të jetë kuptimplote, duhet thënë troç dhe pa ekuivoke se gjeneza e kësaj krize nuk e ka burimin te mungesa e vullnetit të autoriteteve kosovare për ta integruar këtë segment të popullsisë në shtetin e Kosovës, as te kufizimet e Planit të Ahtisarit. Sepse i njëjti plan ka dëshmuar se ofron një kornizë tejet të avancuar për akomodimin e interesave të serbëve lokalë në pjesët tjera të Kosovës. Rezistenca që komunat në veri kanë shfaqur ndaj rendit legal në Kosovës e ka bazën në instrumentalizimin dhe manipulimin që Beogradi zyrtar u ka bërë në vazhdimësi serbëve të Kosovës. Është politika e shtetit serb ajo që e ka penguar integrimin e tyre në shtetin e Kosovës, me qëllim që t’i përdorë ata për llogari të veta dhe si levë për projeksionet dhe ambiciet gjeopolitike rajonale.

Këtu nuk duhet harruar faktin se ky keqpërdorim i serbëve lokalë në vendet që dolën nga
shpërbërja e ish-Jugosllavisë është metodë që Serbia e inauguroi në fund të viteve ‘80, kur filloi shthurja e atij shteti. Megjithatë, tani ky skenar abuziv po implementohet në forma tjera.

Atëbotë, kur u pa qartë se ajo krijesë amalgame nuk mund t’i rezistonte presioneve dhe forcave demokratike që u çliruan nga kolapsi i komunizmit dhe përfundimi i Luftës së Ftoftë, Serbia e Millosheviqit u mobilizua jo për zgjidhje legale të problemit, sikur njësitë tjera konstituive, por për opsion militar dhe gllabërim të territoreve të tyre me arsyetimin e mbrojtjes dhe bashkimit të gjithë serbeve të ish-Jugosllavisë në një shtet të vetëm serb.

Kjo politikë hegjemoniste e shpalli tokë serbe çdo vend ku mund të gjendet një varr serb. Një strategji të tillë, siç dihet, ajo e filloi në Kosovë. Me qëllim të shuarjes së identitetit politik, kushtetues dhe administrativ të Kosovës, propaganda e Beogradit i përdori si pretekst vuajtjet që serbët gjoja se i përjetonin nën sundimin e shqiptareve. Më qëllim të rehabilitimit të këtyre paranojave, ajo kërkonte privimin e një populli të tërë nga të drejtat e natyrshme politike, kulturore, ekonomike dhe sociale.

Pas suspendimit të institucioneve legale të Kosovës, Beogradi me ndihmën e ushtrisë së ish-Jugosllavisë e ndërmori militarizimin e popullsisë serbe etnike në Kroaci dhe Bosnje me qëllim që të pamundësohej pavarësia e këtyre dy republikave sipas kufijve të brendshëm kushtetues që ato i posedonin. Pra, luftën për territore Serbia e maskonte me anë të propagandës për mbrojtjeje të serbëve kudo që të mund të ishin ata. Kjo politikë u bë përgjegjëse për shpërthimin e luftërave në këtë hapësirë, që si e tillë shkaktoi tragjedi, humbje, vuajtje dhe shkatërrime të panumërta. Rrjedhimisht, ajo kauzën serbe e imponoi me anë të gjenocidit ndaj tjerëve.

Kjo ambicie për hegjemoni nuk ka ndryshuar as sot. Madje, nuk është e rastësishme që pinjojtë e regjimit fashist të Millosheviqit janë ende në pushtet në Serbi. Asnjë pendesë për krimet e bëra. Spastrimin etnik. Gjenocidin ndaj popujve tjerë. Përkundrazi, politika shtetërore e Serbisë po shfaqet vetëm si vazhdim i qëllimeve të luftës së saj, por tani me mjete tjera politike. E këto objektiva ajo pretendon t’i realizojë jo më me luftëra dhe pushtime, sikur në fillim të viteve ’90, sepse tashmë koniunktura ndërkombëtare ka marrë tjetër formë në këtë hapësire gjeopolitike, por duke i keqpërdorur serbët, qoftë në Kosovë, Bosnje, madje edhe në Mal të Zi, me qëllim që t’i destabilizojë këto shtete nga brenda. T’i bëjë jofunksionale dhe të dështuara. Në mënyrë që ta imponojë narracionin e saj si standard të pranuar edhe ndërkombëtarisht se vetëm zhbërja e Kosovës, Bosnjës, e pse jo nesër edhe Malit të Zi, dhe bashkimi i pjesëve territoriale të tyre me Serbinë të shfaqet si i vetmi shans për paqe afatgjatë në rajon. Janë këto lojëra që tregojnë se trashëgimtarët e Millosheviqit dhe Sheshelit që ndodhen aktualisht në kupolën drejtuese të Serbisë, po e ndjekin me zell fanatik doktrinën ultranacionaliste të etërve të tyre politikë. Asnjë ndryshim.

****

Në këto motive duhet kuptuar edhe bllokimin që ajo u bën serbëve të Kosovës të integrohen në kuadër të shtetit të Kosovës. Sepse me anë të këtij shantazhi ajo e mban gjallë procesin negociator, e maksimalizon relevancën për vete dhe imponon kërkesa të vazhdueshme për kompromise mbi kompromise mbi palën kosovare. Është e qartë se Serbia nuk lufton për përmirësim të të drejtave individuale politike, kulturore dhe etnike të serbëve në Kosovë. Ngase ato ky komunitet i gëzon plotësisht. Por, ky shtet angazhohet që vet të ketë të drejta shtesë mbi Kosovën. Të bëhet hisenik i plotë në ndarjen e pushtetit. E pjesëtarët e shoqërisë serbe i përdor në funksion të këtij programi hegjemonik. Pretendimet e vërteta të Beogradit janë minimi i shtetit të Kosovës nëpërmjet imponimit të dualizmit të plotë administrativ, qeverisës dhe politik mbi territorin e Kosovës. Konstatimet se Kosova duhet ta tejkalojë këtë problem me anë të lëshimeve të reja ndaj serbëve të veriut derisa të pajtohet Beogradi mbartin shumë rreziqe dhe pasiguri. Sepse ato nuk e ngopin, por vetëm e ushqejnë këtë politikë destruktive. Në këtë kontekst, politika kosovare ndodhet përballë një sfide të dyfishtë. Ta diskreditojë logjikën e kësaj politike malinje para partnerëve ndërkombëtarë dhe po ashtu të mos kualifikohet si fajtore për një dështim eventual të dialogut.

Rekomandimet dhe presionet që Prishtina duhet ta vazhdojë në pafundësi procesin e negociatave dhe kompromiseve me Beogradin nën emrin e agjendës së integrimit dhe perspektivës evropiane janë absurde dhe kontraproduktive. Sepse ta promovosh strategjinë e destabilizimit të vendeve fqinje për t’i mbajtur ato në një gjendje të tensionit dhe konfliktit permanent nuk është veprim konform normave integruese evropiane, por zbatim i përpiktë i modelit putinist. Skenarë të tillë kemi pasur rastin t’i shohim në Ukrainë, Gjeorgji, etj., ku Federata Ruse ndërmori aksione intervenuese militare ndaj ish-republikave të Bashkimit Sovjetik, duke e përdorur minoritetin rus të atyre vendeve si pretekst që Moska ta ushtrojë sundimin e saj në këto shtete. Ti mbajë në zonën e saj të influencës. Dhe ta stopojë procesin e integrimit të tyre në strukturat euro-atlantike. Të kërkosh sot legalizimin e këtij bashkimi me anë të një prerjeje cezariane do të thotë ta shpërblesh këtë politikë rrënimtare.

Mjerisht, këso zgjidhje e ofron për rajonin e Ballkanit Perëndimor non-paperi “anonim”. Të konstatosh se Bosnja duhet të ndahet për shkak të jofunksionalitetit të saj të brendshëm dhe të mos adresosh përgjegjësinë e Serbisë në gjenerimin e kësaj krize, qoftë gjatë luftës nëpërmjet gjenocidit dhe sot nëpërmjet Republikës Serbe që është krijesë e drejtpërdrejtë gjenocidiale e politikës së spastrimit etnik, apo të rekomandosh harta të Kosovës pa një pjesë të territorit të saj si zgjidhje për problemin e Kosovës, do të thotë ta amnistosh, inkurajosh dhe bekosh qëllimin se pse në të vërtetë Serbia i nisi luftërat e saj të përgjakshme kundër popujve tjerë dhe politikën që ajo sot po ndjek në minimin e funksionalitetit të këtyre shteteve. Dhe, në fund, ta propagandosh këtë variant nuk do të thotë asgjë më shumë se sa ta introjektosh narracionin zyrtar serb se këto shtete duhet të zhbëhen për shkak të dobësive të tyre imanente e jo obstruksioneve që po u bën atyre Serbia. Në mënyrë implicite kjo nënkupton edhe zhvleftësimin e përpjekjeve titanike që ato kanë demonstruar në akomodimin e interesave të serbëve lokalë.

***

Për fund, mund të themi se edhe përpjekja për të vënë paralele ndërmjet çështjes nacionale shqiptare dhe asaj serbe, siç e bën ky non-paper kontrovers, është një simplifikim malicioz. Shpërfillje flagrante e veçantive të tyre historike dhe politike. Sepse çështja nacionale shqiptare u imponua si realitet objektiv për shkak të fragmentarizmit dhe ndarjes që e pësuan territoret shqiptare që nga koha kur u shpall shteti shqiptar në vitin 1912, si dhe sanksionimit të kufijve shtetërorë që i bënë konferencat ndërkombëtare. Kurse çështja serbe u lind dhe u imponua nga mitologjia nacionaliste dhe pretendimet e saj hegjemonike në Ballkan.

Ideologët edhe projektuesit e kësaj kauze i përkufizuan si territore serbe edhe ato toka ku nuk kishte serbë, por nën emrin e një të kaluare hyjnore historike. E mbështetur ushtarakisht dhe në aspektin diplomatik nga Rusia, Serbia ndërmori ekspeditat e saj pushtuese me qëllim të gllabërimit të këtyre territoreve. Objektivi ishte që të ndryshohej realiteti në terren. Për jetësimin e kësaj politike u përdoren instrumentet e gjenocidit, spastrimit etnik, dëbimit të popullsive autoktone, etj. Metoda këto që kemi pasur rastin t’i shohim edhe gjatë procesit të dezintegrimit të ish-Jugosllavisë.

Kauza serbe është e shpifur. Joreale. Ajo rrjedh nga inkongruenca ndërmjet gjendjes konkrete dhe doktrinave të saj iluzore historike dhe nacionale. Kriza permanente dhe telashet në të cilat kjo shoqëri e futi veten dhe të tjerët, që nga vitet 1877-1878 kur u shfaq çështja lindore, e deri te luftërat e Millosheviqit, burojnë nga kjo shpërputhje ndërmjet mitit dhe realitet. Nga synimet e nacionalizmit serb për t’u zgjeruar në kurriz të të tjerëve. Prandaj, të kërkosh sot zgjidhje për këtë çështje me idenë e bashkimit të serbëve në një shtet do të thotë ta amnistosh idenë e gjenocidit. Viktimat e kësaj politike kanë nevojë për drejtësi e jo për shpërblim të fajtorit.

Amnezia nuk është terapi e duhur për tragjeditë. Shpërfillja e këtij parimi do të nënkuptonte riviktimizimin e tyre. Paqja të cilës i mungon drejtësia është e destinuar të dështojë.