×
Opinione

Analizë e Reporterit: Kryeministri Hoti – betejat që e presin njeriun që u pa gjithë si i dyti

Reporteri
03 Qershor 2020 | 14:37

Të mësuar duke e parë gjithnjë pas Isa Mustafës, Avdullah Hoti kurrë nuk kishte arritur të bindte njerëzit se do të ishte i pari dikur. Edhe Qeveria e tij nuk ngjalli shumë debat në Kuvend, për dallim kur votoheshin të tjerat. Por, ndoshta qendron krejt e kundërta në realitet, shkruan Reporteri.


Me gjasë shumë prej jush kur keni parë Avdullah Hotin nuk e keni menduar asnjëherë se ka guximin, ambicien dhe perkrahjen për të qenë i pari.

Ekonomisti nga Rahoveci u zgjodh sot Kryeministër me 61 vota në një koalicion me disa parti, AAK-në, Nismen dhe minoritetet.

Ai po e pason Albin Kurti, kreun e Vetëvendosjes, që për nja 100 ditë ishte në krye të Qeverisë bashkë me LDK-në, por që u prishen për shumë e shumë arsye.

Avdullah Hoti ishte njëriu i dytë në Qeverinë e Albin Kurtit. U shkarkua nga Kurti natën që edhe Qeveria e tij u shkarkua nga Kuvendi, me 82 vota.

Në fakt, Hoti ishte dukur gjithmonë si i dyti, një politikan teknokrat që nuk duket se ka ambicien, perkrahjen dhe guximin për të qenë i pari.

Kishte qenë Nënkryetar i Komunës së Prishtinës kur kryetar ishte Isa Mustafa, dhe më pas Ministër i Financave kur Kryeministër ishte po Isa Mustafa. Edhe në partinë e tij, LDK-në, ai kurrë nuk ishte parë pjesë e betejes për të qenë Kryetar i saj.

Por, në momentin ndoshta më kritik për vendin, në aspektin politik dhe ekonomik, Avdullah Hoti vjen në krye të Qeverisë.

Para tij ka sfida të jashtëzakonshme që shpesh duket se nuk do të gjejnë zgjidhje, shkruan Reporteri.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Evropian insistojnë që këtë vit një marrëveshje finale mes Kosovës dhe Serbisë të arrihet.

Në tavolinë flitet për zgjidhje jo fort populiste, të tilla që përfshijnë kompromis të dhimbdshme për të arritur një pajtim mes dy vendeve. Dialogu në fakt, rrezoi deri tash dy kryeministra: Ramush Haradinajn dhe Albin Kurti. Flitet për ndarje, shkembime territoresh e asocioacione. Por, Hoti duket i vendosur që të mos e bllokojë dialogun dhe ta perfundojë atë, duke gjetur një zgjidhje tjetër, që nuk përben kompromis të dhimbshëm.

Dilema se a do të jetë ai kryesori në dialog apo Presidenti, Hashim Thaçi do të sqarohet në ditët në vazhdim. Pritjet janë që të jetë edhe këtu i dyti, ndonëse ai ka thënë se këtë proces e udhëheq Qeveria.

Sfida tjetër e radhës është ekonomia. Sikur edhe shumë vende, ekonomia kosovare po perjeton humbje të mëdha si pasojë e mbylljes nga pandemia Covid 19.

Ai ka premtuar një pako 1 miliardeshe dhe shumë masa tjera që do të mundësojnë që bizneset të mos falimendojnë dhe punëtorët të mos humbin vendin e punës. Një pjesë të madhe të fjalimit të tij ia kushtoi pikërisht kësaj komponente, shkruan Reporteri.

Sfida e tretë është legjitimiteti politik. Avdullah Hoti kur ishte kandidat për Kryeministër, në vitin 2017, doli i treti. Sot, ai ka shumë pak vota krahasuar me plot tjerë në skenën politike.

Disponimi qytetar duket se nuk është ende shumë në favor të tij. Prandaj, ai me gjasë do të perballet me sfida të renda të legjitimitetit politik e qytetar.

Avdullah Hoti edhe sot kur është Kryeministër mund të na duket ‘i dyti’, pa ambicie, pa perkrahje dhe pa guxim. Por, ai na demantoi të gjithëve për disa gjera. Ka vendosur që të jetë në krye të te gjitha këtyre sfidave të mëdha dhe shumë të tjerave që e presin vendin.

Se a do të vendosë vetë apo do të dirigjohet nga kreu i partisë, Isa Mustafa dhe se do të mbette nën hijen e Hashim Thaçit në kuadër të dialogut, kjo mesohet shpejt.

Pertej dallimeve mbi çeshtje të caktuara që secili mund të keni karshi tij dhe partive në koalicion me të, Avdullah Hoti e meriton një duartrokitje për guximin e treguar që të marrë persiperdrejtimin e Qeverisë në një kohë shumë të vështirë politike dhe ekonomike.
/Reporteri

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!