×
Opinione

Aplikimi do rreshtim

Reporteri
15 Dhjetor 2022 | 14:15

Autor: Agron Hoti


Nuk do mend që shqiptarët që nga Perandoria Osmane e tutje janë trajtuar si periferia e Evropës. Si të tillë ishin bërë mish për top për të dyjat, Evropën dhe Perandorinë Osmane.

Evropa historikisht synonte zgjerimin në Lindje, kurse Perandoria Osmane në Perëndim. Në përcepsionin e Evropës shiheshim si popullsi osmane, kurse në përcepsionin e Osmanëve shiheshim si evropianë. Kur rri me evropianët ta thonë në sy: a s‘është shqipja dhe a s’tingëllon muzika shqip si orientale në drejtim të turqishtes? Kurse turqit ta thonë po ashtu në sy “ju shqiptarët nuk jeni muslimanë si ne dhe arabët, asnjëherë s’keni qenë të tillë“. As sot asgjë s’ka ndryshuar në përcepsion. Këtë kontradiktë të thellë që po na përbrendësohet nga jashtë askush s’e shpjegon më mirë sesa gara e pasluftës në Kosovë mes Vatikanit dhe Turqisë për fetarizimin e qendrës së Prishtinës dhe hapësirave publike gjithandej Kosovës dhe pse jo të gjitha hapësirave shqiptare.

Historia me të tashmen ngërthehet shumë mirë. Futja nën ndikimin e një zone të interesit apo aleance automatikisht do të thotë të jesh, ndër të tjera, edhe ushtar i asaj zone apo aleance në rast nevoje. Ashtu siç Evropa na përdorte si pararojë përballë Perandorisë Osmane, të njëjtën gjë e bënte me ne Perandoria Osmane përballë Evropës. Në kuadër të kësaj përplasjeje, trojet shqiptare shkonin duke u rrudhur, e kjo po rrezikonte vetë ekzistencën e popullit shqiptar, shfarosja totale e të cilit po përgatitej të kryhej menjëherë pas rënies së Perandorisë Osmane.

Rënia e Perandorisë Osmane në periferi të Evropës u shoqërua dhe me rënien edhe të asaj Austro-Hungareze në qendër të Evropës, ndërkohë që lindi Perandoria Ruse në periferi. Këtë zbraztësirë të krijuar në Evropë, Perandoria Ruse po përpiqej ta mbushte me elementin sllav me Serbinë në epiqendër. Meqë kostoja e zgjerimit të Serbisë në veri të saj ishte e papërballueshme, sepse aty ishte Gjermania, atëherë duhej goditur jugun e saj, aty ku ishte më së dobëti. Synimi madhor rus, ishte dalja në Adriatik nga ku mund të sfidohej Perëndimi.

E në jug të saj kë do ta godiste Serbia përpos popullin shqiptar që historikisht kishte qenë aty. Serbia për qëllimi politike të saj dhe për ta arsyetuar para Evropës zgjerimin e saj në jug ua theksonte shqiptarëve bashkëpunimin me Perandorinë Osmane, ndërsa ua heshte rezistencën ndaj saj. Rusia përmes Serbisë dhe me heshtjen (miratimin) e disa aleatëve evropianë duhej përzënë shqiptarët në Turqi në maskën e kthimit të osmanëve në shtëpi. Kjo po ndodhte para syve të evropianëve përmes shkëmbimit publik të popullsive nën pranimin në heshtje të fuqive të mëdha. Ideja evropiane ishte që turqit duhej shkuar në Turqi, evropianët në Evropë. E pse ishin shqiptarët kurbanë të këtij shkëmbimi brutal popullsirash, pak kujt i bënte kjo përshtypje.

Pavarësisht gjithë kësaj katrahure tërësisht antishqiptare, në perëndim të Atlantikut po lindte një Superfuqi. Ajo ishte SHBA. Mërgata shqiptare duke e parë që shqiptarët ishin bërë mish për top mes rusëve, turqve dhe evropianëve ia kishin mësyrë tanimë kontinentit të ‘ri’ për të gjetur dritë në tunel. Edhe inteligjenca evropiane, pra ajo pjesa që përbënte frymën e arsyes, po vendosej në SHBA. Në këtë kuadër, mërgata shqiptare po punonte fuqishëm në opinionalizimin e çështjes shqiptare në SHBA-në që po projektonte prezencë në Evropë. Antagonizmat mes fuqive evropiane dhe rusëve sollën dy luftëra botërore që çonin ujë te fuqizimi i SHBA-së si Superfuqi. Synimi madhor i dy luftërave botërore ishte që masa tokësore e Euroazisë, pra pjesa më e madhe dhe më e pasur në glob, të binte nën një hegjemon evropian, aziatik apo nën një hegjemon euro-aziatik.

Asnjëherë në histori masa tokësore e Euroazisë s’kishte rënë nën një hegjemon të vetëm, e kishte provuar Napoleoni, pastaj Hitleri, Stalini e Putini, por të gjithë kishin dështuar. Sundimi i Euroazisë nga një hegjemon i vetëm, do ta sfidonte seriozisht supremacinë globale të SHBA-së. E kjo nuk do të tolerohej nga SHBA as atëherë e as sot. Mbështetja e SHBA-së ndaj Ukrainës ka pikërisht këtë qëllim që aleanca mes rusëve dhe evropianëve të prishej, e cila në fakt u prish tashmë. Kombinimin dhe balancimin e fuqive rajonale në Euroazi dhe glob, SHBA e bën në asi mënyre sa dy fuqi rajonale të mos bëhen bashkë, sepse kjo e rrezikon SHBA-në.

Edhe pse bota pas Luftës së Dytë Botërore u nda mes SHBA-së, BRSS-së dhe të Painkuadruarve, Shqipëria, pavarësisht që u la nën BRSS, pra në lindje të Perdes së Hekurt, megjithatë ngeli si shtet i pavarur me kontroll të plotë të kufijve të saj për herë të parë në histori, diçka që ishte jetike për Perëndimin, ngase hyrja në Adriatik po kontrollohej nga Shqipëria dhe Italia. Një Shqipëri e prishur me BRSS e Kinë, automatikisht çonte ujë te SHBA. Kaq i interesonte SHBA-së gjatë periudhës komuniste për Shqipëri, thjeshtë që BRSS e Kina mos të kishin kurrfarë prezence në Adriatik. Ndërkohë, rënia e BRSS dhe e të Painkuadruarve i dha frymë pjesës tjetër të popullit shqiptar që kishte ngelur nën Jugosllavi. Me këto lëvizje të mëdha po forcohej Perëndimi në kurriz të Lindjes dhe mbi këtë bazë po përmirësohej pozita e shqiptarëve si asnjëherë më parë në histori.

Në këtë drejtim Lufta Çlirimtare e Shqiptarëve në Kosovë, Luginë të Preshevës dhe Maqedoni po e shtynte Rusinë drejt lindjes. Ishte pikërisht Lufta Çlirimtare e Kosovës dhe e shqiptarëve në rajon ajo që përpejtoi zgjerimin e NATO-s dhe BE-së në lindje të Evropës edhe atë sa më afër kufijve rus. Lufta Çlirimtare e Shqiptarëve në Ballkan ishte shtysa kryesore e zgjerimit të NATO-s dhe BE-së drejt lindjes që nga viti 2004.

Sulmi i Rusisë në Ukrainë, pra në Evropë, vetëm sa i përshpejtoi përpjekjet e SHBA-së për t’i shtyrë kufijtë e NATO dhe BE-së sa më në lindje të Evropës që nga Finlanda e deri në Turqi. Sigurimi i Evropës përfshirë Turqinë nga SHBA ka tri synime madhore: 1) Një Evropë e kthyer kah SHBA ia ruan SHBA-së krahun lindor të saj, pra Atlantikun, prandaj ishte formuar NATO me baza edhe në Turqi, 2) Një Evropë e kthyer kah SHBA pengon çfarëdo aleancë ruso-evropiane, e cila do të mund të bëhej Superfuqia numër 1 në glob, prandaj po bëhet lufta në Ukrainë për ta parandaluar atë, 3) Një Evropë e kthyer kah SHBA do të thotë sigurim dhe mbrojtje e tregut për SHBA dhe vetë Evropën në një kohë kur tregjet në lindje janë duke u rrudhur nga dinosaurët aziatikë në rritje, prandaj po i bëhen kufizime Kinës në tregun evropian.

Krahas zgjerimit të Perëndimit drejt Lindjes, Rusia me ardhjen në pushtet të Putinit po kundërpërgjigjej duke rifituar terren në Evropë në kohën kur SHBA ishte duke e luftuar terrorizmin në Lindje të Mesme. Aq thellë kishte ndërhyrë Rusia në Evropë saqë e kishte përçarë tërë BE-në bile duke e nxitur frymën e dezintegrimit brenda saj (shih Brexit), kishte ndalur procesin e Integrimit Evropian për Ballkanin Perëndimor përmes nxitjeve të hasmërive të vjetra dhe përmes thyerjeve të shteteve nga brenda. Nuk ka korruptim më të madh në glob sesa korruptimi i mendjes njerëzore, të cilin Rusia me ndihmën e Serbisë dhe disa aleatëve të saj evropianë ia kanë arritur me sukses brutal në hapësira shqiptare dhe tërë BE-në. Fakti që një shqiptar sot e quan shkatërrim një projekt të përfunduar dhe në shfrytëzim euromiliardësh dhe të cilin as në ëndërr s’e ka parë më parë, përbën korruptim brutal mendjeje njerëzore, për shërimin e së cilës do të duhen vite të tëra nëse jo edhe dekada.

Me një fjalë, gjatë kësaj kohe sa SHBA po luftonte terrorizmin, Rusia përmes shantazhit energjetik dhe diplomacisë agresive e kishte futur pothuaj në kontroll të plotë Brukselin. Si rezultat i kësaj, perspektiva evropiane për shqiptarët po shkonte duke u zbehur, ndërsa për serbët po avansonte. Për t’i dëmtuar edhe më shumë hapësirat shqiptare po nxitej antiamerikanizmi përmes diskursit politik dhe islamit politik. Meqë Rusia po kontrollonte Brukselin, çfarëdo projeksioni ekonomik amerikan nëpër hapësira shqiptare po kundërshtohej nga një pjesë e politikës shqiptare në Kosovë e Shqipëri ashtu siç vazhdon të kundërshtohet edhe sot. Pra, një pjesë e politikës shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë, duke refuzuar projeksionet amerikane, po çonin ujë te Brukseli i kontrolluar prej Rusisë.

E agresioni rus në Ukrainë ishte vetëm Maja e Ajsbergut, i cili tanimë po kërkonte kundërpërgjigje të fuqishme dhe të shpejtë amerikane. Po të pushonte SHBA së ekzistuari si Superfuqi, Serbia menjëherë pas agresionit rus në Ukrainë do ta sulmonte me të gjitha mjetet Kosovën. Fryma antishqiptare që Rusia kishte mbjellë në Bruksel dhe rajonin tonë do të kërkojë kohë të gjatë derisa të tejkalohet. Evropianët e varur dhe pse jo të kontrolluar nga Rusia po mbështesnin hapur forca të caktuara politike nëpër hapësira shqiptare, kryesisht ato që në esencë kishin qenë dhe që ende janë antiamerikane.

Duhet përmendur që pavarësisht zhvillimeve në Ukrainë, interesat kanë ngelur të njëjta: Turqia e Rusia me asnjë çmim nuk duan Evropë të unifikuar, e aq më pak një Evropë të unifikuar sipas kushteve amerikane, ky është qëllimi madhor i tyre. Si Rusia ashtu edhe Turqia mundohen ta rrisin ndikimin në Ballkan duke nxitur përçarje kryesisht politike dhe përmes islamit politik, sepse vetëm kur je i përçarë, je më lehtë i kontrollueshëm, i manipulueshëm dhe lehtësisht i depërtueshëm me masa subversive për përmbysje realiteti politik dhe shoqëror. Sa më shumë që shqiptarët kthehen kah Turqia aq më shumë realizohen projeksionet serbe e ruse për t’i paraqitur shqiptarët si refuzues të BE-së. Sigurisht që me Turqinë duhet të bashkëpunojmë ngaqë është aleat i SHBA-së kundër Rusisë, por jo të tjetërsohemi kombëtarisht. Bashkëpunim me të gjithë, por orientimin duhet ta kemi perëndimor, sepse pa Perëndimin, e sidomos SHBA, s’do të kishte sot as Kosovë, aq Shqipëri e as shqiptari.

Një Ballkan i kthyer dhe i integruar në BE, automatikisht do të thotë humbje e ndikimit të Turqisë dhe Rusisë në të. Duhet thënë që edhe një Ballkan me prezencë projektesh amerikane bie plotësisht ndesh me projeksionet evropiane, ruse e turke, prandaj edhe shfrytëzohet një pjesë e politikës shqiptare në Kosovë e Shqipëri, për të refuzuar çdo projeksion amerikan. Vetë refuzimi i Marrëveshjes së Uashingtonit të shtatorit 2020 mes Kosovës dhe Serbisë është ndikim i drejtëpërdrejtë evropian me mbështetje ruse e turke mbi një pjesë të politikës shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri. Kjo sepse një prezencë amerikane në bregdetin shqiptar dhe në tërë Shqipërinë, automatikisht do të thotë humbje tregjesh për evropianët, rusët e turqit.

Prandaj, përpjekjet për t’i paraqitur si ruse iniciativat dhe projeksionet amerikane kanë për qëllim diskreditimin e amerikanëve në hapësirat shqiptare. Për fat të keq asgjë në Kosovë e Shqipëri nuk është kundërshtuar e refuzuar më shumë nga një pjesë politike sonë dhe jo vetëm sesa iniciativat e projeksionet amerikane. Në vend që shqiptarët t’ua hapnin dyert e zemrën iniciativave e projeksioneve amerikane, sepse projeksionet e tyre janë para se gjithash edhe siguri kombëtare për ne, një pjesë e jona politike, ka bërë dhe po bën të kundërtën, pra ka gjetur ta refuzojë SHBA-në dhe të gjitha projeksionet e saj, thua ti se të këqijat e jo të mirat na ardhkan nga ajo.

Si duket sulmi i Rusisë ndaj Evropës, ka filluar ta vetëdijësojë këtë të fundit. Kjo sepse Evropa tanimë ka filluar faktorizimin e Shqipërisë, gjersa Kosovën ende e mban të izoluar për kalkulime politike me Serbinë. Organizimi i Samitit BE-Ballkan Perëndimor për herë të parë në rajon dhe atë në Shqipëri, përbën një kthesë të madhe të Evropës në favor të shqiptarëve. Përpjekjet e SHBA-së për ta zgjidhur problemin Kosovë-Serbi synojnë paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon. Zgjidhja e nyjes shqiptaro-serbe do t’i jepte shans integrimit të rajonit në BE, diçka që bie ndesh me projeksionet e Rusisë, Serbisë dhe Turqisë në rajon. Pa e zgjidhur problemin me Serbi, çdo aplikim i Kosovës për anëtarësim në BE do të jetë vështirë i suksesshëm. Prandaj, e kemi jetike ta ruajmë rreshtimin kah SHBA, sepse pa u rreshtuar kah SHBA nuk do të mund të futemi kurrë as në BE, të cilën fundja vetë SHBA e ka formuar dhe e ruan edhe sot.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!