×
Opinione

Avancimi i barazisë gjinore përmes medias, teknologjisë dhe informacionit

Reporteri
08 Mars 2020 | 13:50

Autor: Argnesë Haxhiaj 


Diskriminimi gjinor llogaritet si nxitësi më i përhapur i pabarazive në botën e sotme.


Edhe pse me zhvillimin e teknologjisë, me shtimin e medieve dhe lindjen e rrjeteve sociale është krijuar mundësia që t’i luftojmë diskriminimet dhe stereotipet gjinore, ato shpesh vetë përcjellin përmbajtje dhe imazhe që ruajnë vlerat hegjemonike për gratë në shoqëri.

Ne jetojmë në një shoqëri e cila karakterizohet nga pabarazitë gjinore kundrejt gjinisë femërore, dhe kjo pabarazi shfaqet edhe në trajtimin dhe pasqyrimin që mediet ua mveshin vajzave dhe grave.

Shpërndarësit e informacionit vazhdojnë të krijojnë stereotipe të ndryshme të pamjes së jashtme të vajzave dhe të grave duke treguar si duhet të duket ajo. Për ta arritur këtë, ato shpesh përdorin si udhëheqëse të emisioneve vajza me peshë të vogël, të rregulluara edhe si metodë e atraksionit për shikuesit. Kështu, ato fusin në mendje të vajzave të reja një model të caktuar të imazhit femëror si model optimal.

Por, imazhi i trupit ideal është vetëm një element pasi vajzave të reja u ofrohen ‘kallëpe’ të tjera ku ato e kanë vendin. P.sh, ato më shumë shfaqen si udhëheqëse të emisione argëtuese se sa si udhëheqëse në debate politike.

Ngjashëm, në debate politike dominojnë panelistët e gjinisë mashkullore. Mesazhet të cilat përcillen nga mediet me këto lloj pozicionimesh të vajzave dhe grave krijojnë dhe përforcojnë stereotipet në baza gjinore.

Ngjashëm, mediet vazhdojnë t’i profilizojnë gratë si të dobëta, si persona që duhet të merren vetëm me familje, si emocionale dhe të nënshtruara përkundër burrave që paraqiten si të fortë, të orientuar në karrierë dhe si dominues.

Këtë strukturë të përfaqësimit gjinor në medie më se miri e paraqet ilustrimi më poshtë i Van Zoonen (1995), ndonëse kjo skemë ka 25 vjet që nga krijimi, pikat e saj mbeten aktuale edhe sot.

Por, mediet dhe ofruesit e tjerë të informacionit, përfshirë ato në internet, kanë fuqi të jashtëzakonshme t’i eleminojnë këto stereotipe. Por, në këtë proces mund të ndihmojmë edhe vetë ne.

Në mënyrë që përparësitë që ofrohen nga to me qasjen në informacione të ndryshme, t’i përdorim në favorin tonë, mes tjerash, ne duhet të pajisemi me kompetencat e edukimit mbi medien dhe informacionin që t’i sfidojmë këto pabarazi me baza gjinore.
Sipas The Guardian, mediet mund ta promovojnë barazinë gjinore në një shoqëri duke siguruar:

1. Ofrimi i rolmodeleve për vajzat dhe gratë e tjera. Duke i vendosur gratë në pozita udhëheqëse ose t’u japin hapësirë grave dhe vajzave që përfshihen në aktivitete sociale dhe politike. Kjo mund t’i motivojë edhe vajzat dhe gratë e tjera ta bëjnë të njëjtën.

2. Vendosjen e barazisë gjinore në agjendën e secilit. Mediet kanë fuqi ta nxjerrin çështjen gjinore nga sfera private dhe ta vendosin atë në agjendën politike. Por, ne duhet të shkojmë përtej kësaj.

Gratë dhe vajzat e reja, kanë filluar që t’i përdorin mediet e reja sociale si Instagrami, Snapchat, Twitter, Facebook etj., për të tërhequr vëmendje për kauzat e tyre pasi që këto rrjete sigurojnë bashkësi për gratë që më parë janë ndjerë të margjinalizuara dhe të pafuqishme, duke i ndihmuar ta forcojnë zërin e tyre.

Sipas kornizës së UNESCO-s për EMI krahas barazisë gjinore, kjo e fundit shkon dorë për dore me lirinë e shprehjes. Sa më shumë gra flasin, aq më shumë jemi në rrugën drejt balancimit dhe barazisë gjinore.

Pa edukimin dhe informacionin e duhur, gratë janë të kufizuara në sa mund të përfshihen në komunitetet e tyre, por edhe në vetë jetën e tyre.

Format e ndryshme të komunikimit dhe mediet janë ato të cilat mund t’u japin zë grave dhe eksperiencave të tyre, njëkohësisht edhe të zhvillojnë dhe inkurajojnë dialogun dhe debatin.

Në mënyrë të ngjashme, duke nxitur shkëmbimin e njohurive dhe informacionit, komunikimi mund të stimulojë vetëdijësimin dhe motivimin e grave, duke ua mundësuar atyre të marrin vendime të informuara për çështjet thelbësore që prekin jetën e tyre, qoftë në jetën private, qoftë në atë publike.

Pa kompetencat e EMI-t, gratë dhe vajzat e reja jo vetëm qe nuk mund të jenë të informuara, por as ta kenë të artikuluar nevojën për informim.

Përveç kësaj, EMI ndihmon që vajzat dhe gratë të zhvillojnë një kuptim kritik të natyrës së përfaqësimit mediatik të trupit, jetës së tyre dhe se pse këto imazhe janë përjetësuar.

Ato duhet të fuqizohen për t’i sfiduar këto përfaqësime dhe të avokojnë për përfaqësime më realiste. Për shkak e ekspozimi i vajzave ndaj këtyre mesazheve fillon herët, është gjithashtu thelbësore që ky arsimim të fillojë në moshë të re.

Me zhvillimin e teknologjisë dhe platformave digjitale, është rritur mundësia për qasje të lirë në gamën e gjerë të informacioneve, e cila grave dhe vajzave u ofron mundësi për punë, informacione shëndetësore dhe arsimim.

Tri mënyra se si shkathtësitë digjitale mund t’i fuqizojnë gratë:

• Qasja në shërbimet financiare (fuqizimi ekonomik) – Njohuritë dhe qasjet në këto shërbime mund t’i fuqizojnë gratë për të filluar biznese të vogla dhe t’u japë atyre kontroll më të madh mbi paratë dhe kursimet e tyre.

• Qasje në shërbime mjekësore dhe informacione të ndërlidhura – Interneti u mundëson grave që të hulumtojnë për sëmundjet e ndryshme, për një dietë të shëndetshme, rreth foshnjës, kontrollimin e lindjes, etj. Po ashtu, ai u mundëson të lexojnë për tema të cilat janë tabu në shumë komunitete konservatore si: shëndeti riprodhues, seksi, religjioni, politikat dhe normat shoqërore.

• Qasje në burimet arsimore – Një nga përfitimet më të mëdha duke qenë i edukuar digjital është se ka një bollëk me burime falas për të mësuar. Nga videot në Youtube tek aplikacionet si ‘Shnet’ , ‘Gjuha shqipe 2,3,4,5’, ‘eKarriera’ dhe platformat si ‘Milingona.al’ vajzat e reja mund të përdorin këto platforma për plotësimin e arsimimit që e marrin në shkollë dhe të mësojnë më thellë.

Përfaqësimi i paktë i grave dhe vajzave në medie dhe ofruesit e tjerë të informacionit, përfshirë ato në internet, rrit nevojën që t’i kuptojmë këto sisteme informative në mënyrë që të arrijmë t’i përdorim ato për fuqizimin tonë.

Edukimi për përdorimin e medieve dhe ofruesve të tjerë të informacionit, përfshirë ato në internet, është qenësor edhe për nevoja bazike; për arritjen e një pavarësie financiare, higjienë, parandalimin e sëmundjeve, etj.

Ndërkaq, nëse arrijmë të kuptojmë se si veprojnë mediet dhe të formësojmë mendimin kritik për përmbajtjen mediatike, por edhe përmbajtje të tjera, atëherë mund t’i përdorim këtë në favorin tonë.

Interneti i cili ka shndërruar botën në një fshat global ofron mundësi që zëri ynë të dëgjohet në gjithë botën, kështu na mundëson të ngrisim çështje për të drejtat tona, nevojat, kërkesat si dhe të lidhë gratë në të gjithë botën drejt fuqizimit të tyre.

Lufta për barazi gjinore është aktuale në të gjithë botën dhe zhvillimet teknologjike ofrojnë mundësi që kauza për barazi dhe mos-diskriminim gjinor të marrë jehonë në gjithë globin.

*Autorja është studente në UP. Artikulli është shkruar për revistën “INTRO”

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!