×
Opinione

Ç’duhet të dimë për tensionet në rritje mes Kosovës dhe Serbisë

Reporteri
28 Dhjetor 2022 | 11:07
Një burrë kalon pranë një barrikade të bërë me kamionë të ngarkuar me gurë që ishte ngritur gjatë natës në një rrugë në pjesën veriore, të mbizotëruar nga serbët e qytetit të ndarë etnikisht të Mitrovicës, Kosovë, 27 dhjetor 2022. Fotografi: Bojan Slavkovic

Autor: Misha Savic, Bloomberg


Tri dekada që nga shpërbërja e përgjakshme e Jugosllavisë, armiqësitë etnike që shkëndijuan konfliktin vazhdojnë të jenë aty. Kosova deklaroi pavarësinë e saj nga ish-Republika jugosllave e Serbisë më 2008, por Serbia refuzon ta lë të shkojë. Pushtimi rus i Ukrainës i shtoi një dimension të ri kësaj ngecjeje. Dhe tash, ushtria serbe është urdhëruar të jetë në gatishmëri të lartë pas disa javëve tensione mes autoriteteve në Kosovë dhe minoritet lokal serb atje.

  1. Çfarë po i shtyn tensionet në Kosovë?

Kosova ka një popullatë mbizotëruese shqiptare prej 1.8 milionësh, por përfshin edhe më shumë se 100 mijë serbë. Në gusht, autoritetet synuan të detyrojnë minoritetin serb të ndërrojnë targat e veturave dhe dokumentacionin personal të lëshuar nga Kosova në vend të Serbisë. Shumë serbë etnikë e panë këtë urdhër administrativ si fyes dhe kërcënim ndaj identitetit të tyre. Autoritetet eventualisht u pajtuan të mos e shtrëngojnë këtë politikë, por jo para se një numër i madh policësh serbë të dorëhiqen në formë proteste në pjesën veriore të Kosovës. Pasi tre prej oficerëve policorë të këtillë u arrestuan nën dyshime terrorizmi, anëtarë të komunitetit u kundërpërgjigjën duke bllokuar rrugët dhe protestuar. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, akuzoi Serbinë për nxitje të trazirave. Presidenti e Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ngriti prospektin e dërgimit të trupave në Kosovë për të mbrojtur minoritetin serb.

  1. Si është historia?

Më 1981 në Kosovë shpërthyen protesta pas vdekjes së diktatorit komunist sundimgjatë Josip Broz Tito. Kërkesa fillestare nga shqiptarët etnikë që Kosova të ngritet nga niveli i provincës brenda Serbisë në republikë federale brenda Jugosllavisë ndezi nacionalizmin serb dhe ndihmoi të vë në lëvizje për të ardhur në pushtet Sllobodan Millosheviçin më 1987 derisa ai zotohej të luftonte separatizmin. Masat e tij të rrepta, sidoqoftë, përshkallëzuan kërkesat e mazhorancës kosovare për të kërkuar pavarësi të plotë. Lufta rreth atij territori nisi më 1998, duke lënë të vrarë më shumë se 10 mijë njerëz. Luftimet përfunduan më 1999 me bombardimet e Organizatës së Atlantikut të Veriut që detyruan largimin e trupave serbe jashtë Kosove, me afërisht edhe 200 mijë civilë serbë që u larguan gjithashtu. Serbia është zotuar që kurrë të mos pajtohet me shkëputjen e asaj që e konsideron si “tokë historike shpirtërore” e saj, një qëndrim ky i mbështetur nga Rusia, Kina dhe madje edhe pesë shtete anëtare të Bashkimit Evropian.

  1. Cili ka qenë ndikimi i luftës ruse në Ukrainë?

Përçarjet gjeopolitike rreth Kosovës janë bërë edhe më akute që nga pushtimi i shkallës së plotë të Ukrainës nga Rusia nën Presidentin Vladimir Putin, një mbështetës i madh i Serbisë. Putin ka kritikuar Perëndimin për atë që e quan standarde të dyfishta. Putin ka krahasuar shkakun e Kosovës – që është njohur nga shumica e botës perëndimore – me atë të dy rajoneve lindore të Ukrainës të kontrolluar nga separatistët e mbështetur nga Rusia që nga 2014’ta. Nga ana tjetër, liderët në Serbi dhe Kosovë e kanë përdorur luftën në Ukrainës për të intensifikuar retorikën. Ka rrezik që një përshkallëzim mund të bartej në pjesë tjera shpërthyese të Ballkanit Perëndimor, përfshirë Bosnje-Hercegovinën. Megjithatë, një forcë paqeruajtëse e NATO-s me 3 mijë e 800 trupa ka ndihmuar të mbajë paqen në Kosovë me vite dhe ka thlënë se janë të përgatitur të intervenojnë po qe se kërcënohet stabiliteti.

  1. Kush janë lojtarët kyç?

Kurti i Kosovës ka akuzuar Serbinë se po i shërben interesave ruse, derisa Vuçiçi i Serbisë ka thënë se zyrtarët e Kosovës po provojnë të shfrytëzojnë alarmimin rreth Ukrainës për qëllime të tyre. Që të dy kanë kundërshtarë përbrenda që ua vënë në dyshim trajtimin e tyre të tensioneve që përsëriten, por popullatat e tyre mbeten të ngulitura në nacionalizëm rival. ShBA në përgjithësi ka më shumë ndikim se BE në lidershipin e Kosovës, derisa Serbia kërkon mbështetjen e Moskës si dhe nga Uashingtoni dhe Brukseli për kontestin. Vucic ka dënuar pushtimin e Ukrainës në Kombe të Bashkuara derisa nuk ka miratuar sanksionet e BE’së kundër Rusisë. Më 2022, Vuçiç siguroi edhe pesë vite mandat si president, me partinë e tij që mban mazhorancë në parlament. Refuzimi i Kurtit që bëjë ndonjë koncesion ndaj Serbisë e ka komplikuar më tej çfarëdo bisedimi me kombin fqinj.

  1. Çfarë për marrëdhëniet e BE’së me Serbinë dhe Kosovën?

Serbia dhe Kosova nënshkruan një marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE në vitin 2013 për tregtinë, energjinë dhe komunikimet, dhe e cila parashikonte t’u jepej serbëve të Kosovës vetëqeverisje. Kosova më vonë tha se nuk do t’i jepte autonomi popullatës pakicë dhe kërkoi njohjen e plotë të Serbisë përpara çdo shqyrtimi të mëtejshëm. Ndërsa BE-ja mbetet investitori kryesor në të dy vendet, përparimi në përpjekjet e tyre për t’u bashkuar me bllokun ka qenë i ngadaltë. Serbia është duke negociuar hyrjen e saj dhe është më përpara në proces sesa Kosova, e cila ende nuk është bërë kandidate zyrtare. BE-ja e ka vendosur zgjidhjen e kontestit mes tyre si kusht për anëtarësim. Zhgënjimi me bllokun po rritet në Serbi, ku BE-ja shihet si gjithnjë e më e largët dhe e preokupuar me çështjet e veta./Reporteri.net/

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!