×
Opinione

Çka po e sikletos bandën në pushtet

Reporteri
21 Prill 2023 | 13:43

Autor: Arben Idrizi


Duke e parë pushtetin kaq të sikletosur nga këto hetime, çfarë duhet të mendojmë? Se pushteti, nuk mund të lejojë të ndiqet një ndjekës i saj, për më tepër i deleguar në një post nga ku duhet të kryejë punë për të, pushtetin? Se banda politike VV nuk do ta lejojë kurrë prokurorinë, të vërë dorë mbi një bandit të saj, të devotshëm dhe të dobishëm? Se rrugëtimi i bandës politike VV sapo ka nisur, me velat e ndera nga era e mbarë, andaj çdo pengesë vetëm sa do të thërmohet (se kështu e keni kërkuar) nga bashi i anijës akullthyese?

Në rastin e kryeshefit të KEK-ut, Nagip Krasniqit, askush nga ne nuk di më shumë se sa (na) është thënë nga prokuroria, me të cilin, siç është e thirur, edhe merret. Në parim dhe në rast se përnjëmend nuk dimë asgjë më shumë, çdo ndërhyrje në punën e saj – sa absurde ta diskutojmë – është e jashtëligjshme. Dhe çdo veprim i jashtëligjshëm është i ndiqshëm dhe i dënueshëm.

E lehtë të kuptohet kënaqësia e opozitës, e cila, në raste të tilla, fatkeqësisht, më shumë se sa drejtësinë si të tillë, ndaj personit të caktuar, e do dhe kërkon përfoljen dhe fajin e pushtetit. Edhe kur në masën e caktuar ka të drejtë. Më e vështirë të kuptohet turrja e pushtetit për t’i sulmuar organet e pavarura të rendit, në këtë rast prokurorinë si institucion dhe posaçërisht bartësin e saj, mandator, prokurorin. Ose thënë më mirë, më e papranueshme, ngase e jashtëligjshme dhe absurde, turrja e pushtetit për ta penguar punën e prokurorisë.

Unë personalisht – dhe kjo natyrisht mund të mos ketë (dhe s’ka pse të ketë) asnjë rëndësi – nuk kam pasur asnjë iluzion për sjelljen e pushtetit të ri, për sjelljen e një pushteti të ri. Përkundrazi, frika ime ishte se do të kishim një pushtet më abuziv dhe më të rrezikshëm dhe po ashtu frika ime është tash se këtë që e kanë nisur do ta vazhdojnë, duke e rënduar.

Pushteti i tashëm, përkatësisht Vetëvendosje, si edhe pushtetet e tjera të mëparshme, përkatësisht LDK, PDK, AAK, është një bandë politike dhe eksponentët e saj thjesht banditë politikë. Duke pasur natyrën e një bande, edhe VV, në pushtet, pushtet, tash ka obligime dhe borxhe të kaluara, të grumbulluara nga joshjet e premtimet e burimet e tjera para se të vinte në pushtet. Nagip Krasniqi, sa e dimë ne, ka qenë një nga ato borxhe. Dhe për t’u larë me të, e kanë rehatuar në vendin e dhënë. Nuk e di nëse është thjesht një vevist i vevebordizuar, apo një një vevefil i vevebordizuar, apo mbase një vevefondist i vevebordizuar.

Nga akuza nuk mund të pretendojmë se po ndiqet pikërisht për këtë, dimë vetëm se po hetohet për keqpërdorim të detyrës zyrtare, si person i caktuar, përtej ndonjë përkatësie të tij të mundshme politike.

Për këtë, me mendjen e shëndoshë – përsëri sa banale të thuhet – ne duhet të presim përfundimin e hetimeve dhe verdiktin e drejtësisë.

Duke e parë pushtetin kaq të sikletosur nga këto hetime, çfarë duhet të mendojmë ne, qytetarët e shkretë?

Se pushteti, me pushtetin që ka, nuk mund të lejojë të ndiqet një ndjekës i saj, për më tepër i deleguar në një post nga ku duhet të kryejë punë për të, pushtetin? Se banda politike VV nuk do ta lejojë kurrë prokurorinë, cilado qoftë ajo, të vërë dorë mbi një bandit të saj, të devotshëm dhe të dobishëm? Se rrugëtimi i bandës politike VV sapo ka nisur, me velat e ndera nga era e mbarë, andaj çdo pengesë vetëm sa do të thërmohet (se kështu e keni kërkuar) nga bashi i anijës akullthyese?

Apo, e kundërta, siç po pretendon banda në pushtet, bandat e pushteteve të kaluara janë ende të gjalla brenda institucioneve dhe po e minojnë përpjekjen e saj për të vënë rend dhe ligj?

Ky nuk është sulmi i parë i bandës në pushtet ndaj insitucioneve të pavarura të drejtësisë në vend. As nuk do të jetë i fundit. Për shoqërinë, është edhe një dëshmi e banditizmit politik të insitucionalizuar në vend dhe pamundësisë së arritjes së një zhvillimi politik demokratik, ku të paktën s’do të kishim skandale të tilla të sulmit politik ndaj institucioneve të pavarura.

*Opinioni është botuar fillimisht në Express, në kuadër të kolumnave të rregullta të autorit.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!