×
Opinione

“Dimri i Madh” i partive tona dhe si të votohet me 17 tetor

Reporteri
19 Shtator 2021 | 11:19

Autor: Afrim Kasolli


Partitë politike janë një instrument vital në demokraci. Kjo është e ditur nga të gjithë. Nëpërmjet tyre mobilizohet elektorati, nxitet pjesëmarrja në proceset vendimmarrëse, kanalizohen energjitë politike të një shoqërie etj.


Pa rolin dhe funksionin e tyre ndërmjetësues as që mund të paramendohet konsolidimi i një demokracie. Prandaj, duhet të jetë interes primar që ato të avancohen sa më shumë që të jetë e mundur.

Mirëpo, fatkeqësisht në politikën kosovare, partitë tona deri më tani kanë qenë në masë të madhe të uzurpuara nga dy forca antagoniste në thelb anti-politike. Ato janë dominuar ose nga shtresa e koniunkturave të biznesmenëve rishtarë që i përvetësuan dhe i shfrytëzuan ato si trampolinë për ta konsoliduar oligarkinë e tyre, të cilën e krijuan së bashku me pushtetin që e gëzuan, ose nga një mentalitet rigjid ideologjik, që operon në një botë ideosinkratike paralele dhe e shkëputur nga eksperiencat reale jetësore. Të dyja këto ekstreme kanë bërë që demokracia te ne të mos operojë në dimensionin e reales. Që qytetari i zakonshëm të mos jetë i përfaqësuar politikisht në mënyrë të duhur nëpërmjet tyre.

Kjo ka bërë që partitë të jenë drejtuar ose nga nevojat për të mbrojtur interesat dhe pushtetin e të parëve, ose për të shërbyer si medium për amplifikim të afshit dogmatik ideologjik. Një mision ky aspak politik.

Ky shpërfytyrim i “esencës” së tyre askund nuk vërehet sot më mirë se sa në parlamentin e vendit. Një pjesë të madhe të këtij institucioni e përbëjnë protagonistët e këtyre dy ekstremeve. Diskursi mediokër dhe aspak politik i tyre është shprehje tipike e këtij deformimi dhe si i tillë i dominon formacionet politike. Mjerisht është bërë shenjë identifikuese e tyre. Maja e ajsbergut të këtij fenomeni.

Kjo edhe është arsyeja që politika kosovare vazhdon të ndodhet në një krizë të thellë të përfaqësimit. Ajo është e shkëputur nga proceset sociale. Ka mbetur pa kauzë. Pa identitet të qartë politik. Dhe pa agjendë. Sepse prirjet, nevojat, interesat, pasionet dhe opinionet e përgjithshme publike nuk përkojnë me mënyrën se si po funksionon kjo politikë. Format e deritanishme janë bërë neveritëse. Të kota. Ato ndodhen në shtratin e “vdekjes”. Janë në gjendje komatoze. Mbijetesa e tyre është bërë e mundur vetëm falë faktit se askush s’ka arritur që t’i tejkalojë përfundimisht. Dhe në këtë interregnum morbid ende s’po gjejnë hapësirë që të shfaqen dhe lulëzojnë variante të reja. Situatë tipike kjo si e përshkruan Antonio Gramshi fenomenin e krizës.

Sidoqoftë, qëllimi s’është që të mohohen tërësisht vlerat e partive politike që aktualisht veprojnë te ne. Apo të kultivohet një qëndrim nihilist në raport me to. Sepse në fund të fundit ato, së bashku edhe me formacionet tjera të organizmit shoqëror, shërbejnë si medium për prodhimin e common-sensit publik. Janë mjete që e integrojnë individin në orbitën e jetës së përbashkët politike. Prodhojnë pushtet kolektiv. Dhe siç e thamë as që mund të imagjinohet evoluimi i një rendi demokratik pa kontributin e tyre vital. Me këtë rast edhe qytetarët mund të japin një kontribut krucial në përshpejtimin e demokratizmit të tyre të brendshëm.

Pra intenca është që ato të ndihmohen, që të çlirohen nga këto presione që e kanë asfiksuar frymëmarrjen e tyre politike dhe i kanë inhibuar potencialet kreative të aksionit, fuqinë e të cilit për vepra të mrekullueshme politike e ka analizuar shkëlqyeshëm Hans Joas në librin e tij “The Creativity of Action”.

Në këtë kontekst, zgjedhjet lokale që do mbahen më 17 tetor janë një mundësi ideale për ta avancuar këtë proces të domosdoshëm politik.

Është me rendësi jetike që të votohen ata kandidatë, qoftë për kryetar komunash apo edhe për asamble lokale, pavarësisht partive ku participojnë , që s’janë produkt i skemave të sipërcekura. Që të margjinalizohen ata individë që i mbajnë peng partitë politike dhe rrjedhimisht demokracinë tonë të brishtë. Ata që e pushtuan këtë hapësirë vetëm falë afërsisë me strukturat vendimmarrëse politike e duke i shndërruar ato në byro të administrimit oligarkik. Apo ata që nga devotshmëria militanteske i introjektuan pa asnjë sens kritik dogmat ideologjike “parapolitike” të promovuar nga lidershipi i partisë. Me fitoren e secilës prej këtyre palëve asnjë ndryshim s’mund të ndodhë. Përkundrazi, do të vazhdojë avazi i vjetër.

Biznesmenët rishtakë partiakë, të pajisur me pushtet shtesë institucional, do të angazhohen vetëm për krijim të mundësive për t’i shtuar resurset e tyre ekonomike. E të dytët do ta kenë mendjen vetëm te subordinimi ideologjik partiak.

Kategori këto që s’kanë çka të humbin. Sepse nga të humbur në saje të politikës u bënë dikushi. Dhe në këtë mënyrë shoqëria do të jetojë brenda të njëjtit rreth vicioz. Logjika e këtij “pertetuum mobile”, do të thellohet edhe me tej. Nga ky proces, humbës do dalin qytetarët, demokracia dhe politika jonë. Do varrosen mundësitë e saj për t’u këndellur. Prandaj është me rëndësi që të stopohen këta mekanizma që i gllabëruan perspektivat e normale politike. Dhe me këto zgjedhje të hedhen mirëfilli mundësitë e rithemelimit të politikës.

Me ndëshkimin elektoral të këtyre individëve shtohet presioni mbi partitë politike që ta rimendojnë seriozisht qasjen e tyre kadrovike. Atyre u bëhet e qartë që nëse dëshirojnë të mbijetojnë evolucionin demokratik, atëherë vlerat, standardet dhe personalitetet që i promovojnë duhet të jenë reflektim i kësaj tendence historike. Sepse vetëm në këtë mënyrë ndryshimi do të jetë avancim, e jo riciklim dhe prapakthim.

Prandaj, është me rëndësi që në këto zgjedhje qytetarët t’i mbështesin dhe votojnë ato figura që s’kanë lidhje me këtë estabilshment. Që s’e përdorin partinë politike vetëm si sekt për të akomoduar rrethet e ngushta shoqërore, familjare dhe biznesore. S’e shndërrojnë atë në entitet fisnor para-politik. Medium të realizimit të interesave krono-financiare. Apo që krijuan firma fantome, vetëm për ta shfrytëzuar buxhetin e shtetit për llogaritë e tyre personale. Si dhe për të investuar në prodhimin e narracionit publik për ta, sipas modelit të “mitit” të suksesit. E ku në fund ata na shfaqen si shembulli që duhet ndjekur, sepse janë dëshmuar edhe si investues, ndërmarrës, biznesmenë, politikanë etj etj. Pra persona që, po ta vështrojmë mirë jetëshkrimin e tyre, janë edhe pa profesion në “substancë”. Ata mund të kenë tituj formal akademikë, por s’janë dalluar kurrë për asnjë qëndrim publik apo eseistik në veprimtarinë e tyre profesionale, të cilën e proklamojnë në CV-të e tyre se gjoja e kanë. Por që janë emëruar në pozita publike institucionale vetëm për të mbrojtur interesa partikulare klanore. Që nuk dallohen për asgjë tjetër, pos si gllabërues të pushtetit partiak.

Këtë frymë të aktivizimit mbase shumë kohë me parë e ka përshkruar në mënyrë të përkryer shkrimtari ynë i madh Ismail Kadare, nëpërmjet dilemave dhe vramendjeve të personazhit Besnik Struga, në romanin e tij të njohur “Dimri i Madh”. Ja se çfarë shkruante gjeniu ynë i letrave për këto karikatura politike: “Ata e kishin vetëquajtur veten njerëz të afërt të Partisë, më të afërt se të tjerët, më të besueshëm, njerëz të brendshëm të shtëpisë, kurse të tjerët ata i quanin të jashtëm, jo edhe aq të besuar. Ata ishin “ne” kurse të tjerët “ ata”,,,, nga kishte lindur kjo forcë e errët uzurpuese? Mendoi ai. Ata shfaqen aty ku s’i pret, tha me vete pas pak. Në lagje, në qendra pune në organizata rinie, partie, në situata të ndryshme, në mbledhje në mitingje, bile thjesht nëpër darka apo festa ditëlindjesh, ata mbinin papritur, vetëquheshin, vetëshpalleshin”.

Çlirimi i potencialeve të brendshme demokratike dhe shkëputja nga ky mentalitet që i ushqen deformimet e lartshënuara s’mund të arrihet nëse riciklohet fuqia e kësaj kaste politike.

Prandaj, është e rëndësishme që të favorizohen ata individë, po brenda këtyre partive që i kemi, pavarësisht pezhishkës së tyre formale ideologjike, por që janë dalluar dhe veçuar në zhvillimin e tyre në mënyrë të pavarur. S’janë përfshirë në aranzhmane dhe transaksione financiare edhe pse vepruan në njërën nga partitë e caktuara.

Të tillë ka sa të duash në secilën prej formacioneve që aktualisht konkurrojnë në këto zgjedhje. Pra të krijohen kushtet që të fitojnë më të mirët. Dhe të afirmohen vlerat e njëmendta politike, morale dhe profesionale në kuadër të partive tona. Sepse këta e kanë jetike që të angazhohen për interesa publike, ngase kjo kategori ka çka të humbas. Fillimisht emrin e tyre. Karrierën. Dhe arritjet e tyre, nëse nuk spikasin në menaxhimin e të mirave publike. Sepse ata i fituan ato jashtë petkut partiak.

Vetëm në këtë mënyrë apetiti i qytetarëve të Kosovës për ndryshim do të merrte kuptim. Dhe këto zgjedhje kanë shansin që të shndërrohen në akselerues të këtij procesi.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!