Distopia totalitare e Qorrfermanit

Autor: Afrim Kasolli


Ekziston një konstatim i përgjithshëm në filozofinë politike bashkëkohore dhe në teoritë sociale se shfaqja e sistemit totalitar ka shënuar një fenomen të paprecedent politik dhe ideologjik në historinë e civilizimit perëndimor. Kjo nuk do të thotë se në të kaluarën bota nuk kishte pasur regjime despotike dhe tiranike. Madje edhe ato ishin brutale. Apo liderë të pushtuar nga megalomania, paranojat dhe manitë e tyre për dominimin. Veprimet e tyre ende sot e kësaj dite ngjallin lemeri. Megjithatë totalitarizmi dallohet nga ato në shumëçka, qoftë sa i përket krimeve që prodhoi, organizmit teknokratik të mega-vdekjeve dhe më kryesorja qëllimeve që proklamoi dhe teknikave që aplikoi për ta implementuar synimin e tij për “dominim total”.

Karakterin ‘novator’ të këtij sistemi e kishte pikasur më të drejtë Hannah Arendt-i, në librin e saj të njohur “ The Origins of Totalitarianism”. Kjo teoriciene politike konstaton se ky regjim dallon rrënjësisht nga modelet tradicionale politike. Madje, si i tillë ai paraqet një zhvillim krejtësisht të panjohur e të papërjetuar më parë. Ndërkaq, gjykimi, vlerësimi dhe definimi i këtij regjimi nuk mund të bëhet mbi bazën e kategorive tradicionale të mendimit politik, të cilat datojnë që nga koha e Platonit dhe Aristotelit, sikurse janë tirania, demokracia, aristokracia etj, sepse me triumfin e këtij fenomeni politik, po ashtu kishte kolapsuar edhe ajo trashëgimi. Sipas Hannah Arendit, besimi omnipotent se “gjithçka është e mundur”, së bashku me kampet e përqendrimit e kishte vënë në rrezik edhe “natyrën njerëzore” ashtu siç e jemi mësuar ta njohim atë historikisht. Kombinimi i ideologjisë, si mjet i propagandës totalitare me motiv jo vetëm konvertimin e bindjeve njerëzore, por pardoksalisht “shkatërrimin e kapacitetit të tyre për bindje”, së bashku me terrorin me qëllim jetësimin këtij besimi, e përbënte “nomosin” e këtij regjimi.

Qëmtimi dhe zbulimi i kritereve dhe nocioneve të reja politike për të deshifruar dhe kuptuar “esencën” dhe strukturën e botës totalitare duhet të shndërrohet në një nevojë të domosdoshme për dijet moderne, sepse pavarësisht dështimit të tij, “ka shumë të ngjarë të qëndrojë me ne tani e tutje, taman si format tjera të qeverisjes, që u shfaqen në çaste të ndryshme historike dhe u bazuan në eksperienca të ndryshme fondamentale dhe që kanë qëndruar me njerëzimin, pa marrë parasysh dështimet e përkohshme –monarkitë, republikat, tiranitë diktaturat dhe despotizmi”.

Në këtë kontekst një kontribut të rëndësishëm në të kuptuarit e këtij zhvillimi të paprecedent në histori, krahas teorive politike, po ashtu e ka dhënë edhe letërsia. Kuptohet këtë mision ajo e ka kryer qoftë nëpërmjet romanit, poezisë etj, apo gjinive tjera të ekspresivitetit letrar dhe kulturor. E një impetus të tillë të pashoq pa mëdyshje që na e ka ofruar edhe shkrimtari i njohur Ismail Kadare. Në një sërë romanesh sikur “Pallati i Ëndrrave”, “Shkaba”, “Vajza e Agamenonit”, “Piramida” etj. ky shkrimtar me nam global, i ka pasqyruar në mënyrë të jashtëzakonshme mekanizmat intern të botës totalitare. Janë këto vepra që ia kanë siguruar atij dhe së bashku me të edhe kulturës shqiptare një vend të lavdishëm dhe meritor në majat e ‘krenisë’ së letërsisë botërore. Në secilën prej tyre ai ka inauguruar, nëpërmjet metaforave letrare, një kategori të panjohur më parë me qëllim deshifrimin e këtij sistemi. Le të kujtojmë këtu vetëm nocionin psikologjik të zhdrivillimit që zë një vend qendror në veprën “Pallati i Ëndrrave”. Si e tillë ajo përbën matricën e “nëndheshme” mbi të cilën ka operuar ai regjim. Lirisht mund të themi se nuk ka tejqyrë më të spikatur se sa opusi letrar i Ismail Kadaresë, për të zbërthyer përkitjen makabre ndërmjet shtypjes, terrorit dhe propagandës ideologjike të asaj bote. Paradoksalisht shumica e këtyre veprave fqinjërojnë me të kaluarën historike, mirëpo secila në mënyrën e saj ka treguar se si intenca e këtij modeli të organizimit politik ishte rrënimi i çdo gjëje të trashëguar nga historia e njerëzimit. Dhe këtë mision në mënyrë të shkëlqyer po ashtu e ka promovuar romani i njohur “Qorrfermani”. Ismail Kadare në këtë vepër me një mjeshtëri te jashtëzakonshme gjeniale dëshmon për pretendimet universit totalitar për të humneruar parimet dhe themelet qenësore të rendit tonë civilizues. Pra në këtë roman dekodohet në mënyrë impresive natyra e tij e paprecedent. Risia e tij. Regjim ky i cili fatkeqësisht me brutalitetin e tij nuk la pa e shkretuar edhe botën shqiptare.

Metafora e dritësimit si parim i metafizikës

Veçantia e kësaj vepre, e cila mbetet unike për nga tematika në opusin letrar të veprave të Kadaresë, ku shtjellohet ndërmarrja makabre e botës totalitare me synim “çsyzimin” e nënshtetaseve të saj, mbase mund të kuptohet më qartë, kur te marrim parasysh rolin dhe rëndësinë që ka luajtur ky organ i shqisësisë njerëzore në zhvillimin e mendimit filozofik, shkencor dhe kulturor në civilizimin perëndimor. Prandaj nuk është e rastësishme që ky sistem me anë të këtij “dekreti perandorak” i kishte shpallur luftë pikërisht burimit të dritës në jetën e njeriut. Kjo ishte një luftë edhe kundër kësaj tradite që si e tillë e kishte afirmuar këtë parim si qenësor për kultivimin e saj.

Metafizika perëndimore që nga fillimet e saj, siç ka pohuar filozofi i njohur gjerman Peter Sloterdijk në punimin e tij “Clearing and Illumination”, në kuadër të librit “The Aesthetic Imperative”, mund të konsiderohet edhe si meta-optik. Sipas këtij mendimtari, shumica e filozofëve të kësaj trashëgimie kanë përdorur “analogji optike” për të përshkruar procesin e njohjes njerëzore, gnoseologjinë, zbulimin e qenies dhe mirësinë e arsyes humane. Kështu “bota, mendja dhe njohja pretendonin të krijonin një asociacion të ngjashëm me atë të ndriçimit, syrit të dritës dhe sferës fizike”. Prandaj ky projekt për shkak të obsesionit të tij për të tërhequr paralele të tilla mund të quhet edhe si “meta-optikë”.

Në këtë kontekst, ky filozof pohon se nuk do të ishte ekzagjerim nëse themi se vet filozofia perëndimore në natyrën e saj mund të quhet si “heliologji, metafizikë e diellit, ose fotologji apo metafizikë e dritës”. Shembull tipik i kësaj trashëgimie, sipas Sloterdijk, mund të merret “alegoria e shpellës” që përshkruhet në veprën Republika të Platonit. Në këtë traktat monumental të filozofisë i cili konsiderohet edhe baza e projektit metafizik perëndimor, Platoni krahas syrit dhe objekteve aparente, ishte fokusuar edhe në elementin e dritës si kusht i domosdoshëm për sigurimin e njohjes së vërtetë njerëzore dhe çlirimit nga prangat e pushtetit të hijeve. Kurse vetë mendimi nuk ishte asgjë tjetër, pos zgjatim perfekt i kësaj analogjie. Shprehur metaforikisht, ai ishte një mënyrë tjetër sublime e “shikimit, por se tani në sferën e gjërave invisibile, pra të ideve”. E siç dihet, idetë te Platoni janë ato nga të cilat gjërat e dukshme e marrin esencën e tyre. Dhe se ato mund të njihen vetë me anë të “syve të mendjes”. E të mos flasim këtu për konstatimin e tij se si “syri ynë na ka mundësuar të shikojmë në yje, Diellin dhe kupën e qiellit. Ai shikim na ka dhënë shtytje për hulumtimin e gjithësisë. Nga ajo ka lindur filozofia, thesari më i madh që u kanë dhuruar perënditë njerëzve të vdekshëm”. Me këtë formulim platonik, shikimi, syri dhe mendimi, u pleksën në mënyrë të pashkoqshme. Kurse ky pasion për dritën u shndërrua në parim fondator për jetën mendore të rendit tonë civilizues. Kjo shtytje për dritësim u bë aq përcaktuese, saqë ajo do të shfaqet me tërë energjinë, potencën dhe kreativitetin e saj në epokën moderne nën emrin e iluminizmit. Mbartësit e lëvizjes iluministe i formuluan konturet e atij procesi ku arsyeja moderne do të shërbente si medium për gjenerimin e dritës në raportet sociale ndërnjerëzore madje edhe në botën natyrore. Ajo do të shërbente si forcë për çlirim përfundimtar. Se sa arriti ta realizojë këtë mision kjo ndërmarrje dhe cilat ishin devijimet që ajo i prodhoi është një tjetër temë dhe që i tejkalon caqet e këtij shkrimi. Sepse ende sot në mendimin bashkëkohor zhvillohet një debat i gjallë ndërmjet atyre që e konsiderojnë të papërfunduar këtë projekt (Jurgen Habermasi) dhe ngulmojnë se ai duhet radikalizuar deri një kufijtë e një transparence të plotë sociale, politike, kulturore dhe shkencore, dhe ithtarët e rrymës postmoderne që e mbrojnë këndvështrimin se tashmë kjo lëvizje është e tejkaluar dhe nuk ofron asnjë horizont të nevojshëm për problemet tona.

Megjithatë, pavarësisht këtyre diskutimeve, ngashënjyese mbetet kjo dëshirë që në traditën tonë “reflektimin mbi mendimin e kishte rrënjëzuar në termat shikimit”. Shprehje e kësaj pikënisjeje mund të merret pohimi Heraklitit se “sytë janë dëshmitarë më të saktë se sa veshët”. Madje siç ka pohuar filozofia e sipërpërmendur Hannah Arendt në librin e saj “The Life of the Mind” aq e fuqishme ishte kjo shtytje saqë edhe vet nocioni teori derivon nga kjo përvojë. Me këtë rast teoria përbënte atë aktivitet mendor që ofronte rrugëtimin e duhur drejt njohjes vetëm për hir të saj dhe nuk përdorej si mjet për qëllime instrumentale, manipulative dhe propagandistike siç do të ndodhte më vonë, qoftë nga implementimi i operacioneve shkencore apo strategjitë e mobilizimit politik ideologjik. Parimisht shndërrimi i metaforës së shikimit në parim drejtues edhe të aktivitetit mental, sipas Arendt, apologjetëve të kësaj pandehme u ofronte edhe avantazhe tjera. Kështu krijueseve të kësaj trashëgimie u dukej se asnjë organ tjetër shqisor nuk e promovon “një distancë më të sigurt ndërmjet subjektit dhe objektit; distancë kjo që përbën një kusht bazik për funksionimin e duhur të vizionit”. E, në saje të këtij modeli përfitohet “koncepti i objektivitetit i diçkaje siç është në vetvete, e ndryshme nga ajo që më afekton mua, kurse nga ky dallim pulson e tërë ideja e ‘theoria-s’ dhe e së vërtetës teorike”. Për më tepër ky pozicion shndërrohet në parakusht të lirisë së zgjedhjes. Është e ditur se kjo përparësi nuk e karakterizonte edhe shqisën e dëgjimit, sepse ai “kapërthen subjektin pasivisht”. Kurse si shprehje eklatante të këtij dallimi Hannah Arendt do të nënvizojë edhe faktin se si në gjuhën gjermane një grumbull fjalësh që e pasqyrojnë gjendjen e jolirisë dhe nënshtrimit, etimologjikisht derivojnë nga shprehja “hören,-ang to hear, të ndëgjosh dhe gehorchen, hörig, gehören, angl- to obey, be in bondage, belong”, të bindesh, i nënshtruar dhe t’i përkasësh”. Rrjedhimisht ngjashmëri të tilla gjuhësore nuk janë të rastësishme. Diferencime të tilla bëhen edhe më të theksuara sidomos kur kihet parasysh fakti se “deri te të vërtetat religjioze”, në dallim nga ato teorike për të cilat siç u tha metafora e shikimit luan rol primar, “arrihet nëpërmjet dëgjimit”. Në të gjitha religjionet monoteiste të vërtetat dhe urdhrat e Zotit u kumtohen profetëve dhe se ato përvetësohen nga kjo shqisë.

Dekreti i çsyzimit

Duke u bazuar në këto përsiatje mbase mund ta kapim më rrokshëm arsyen dhe motivin themelor se pse Ismail Kadare e portretizoi fenomenin e çsyzimit si qëllim final të distopisë totalitare. Pse bie fjala Ismail Kadare nuk e trajtoi shurdhërimin si mundësi për dominimin total, por pikërisht verbërimin? Pra shihet qartë se në këtë vepër, të shkruar në vitin 1984, Kadare këtë dekret e konsideron si aktin më brutal dhe me të kobshëm të këtij regjimi, ndonëse për arsyeje stilistike dhe metaforike e zhvendos në Perandorinë Osmane. Ka nga ata që thonë se edhe kjo zhvendosje ka qenë e qëllimshme. E nxitur nga gjakimi i shkrimtarit lidhur me temën e identitetit evropian te shqiptarëve, përkushtimi për t’i ruajtur me çdo kusht ‘xanxat’ tona pro evropiane. Vlerësimi tij për atë perandori si periudha më e errët në historinë tonë kombëtare; si sundim që i kishte ndarë shqiptarët nga ndriçimi i diellit perëndimor. Kurse besnikëria e tij ndaj kodit programatik të rilindëseve se “dielli për shqiptarët lind vetëm në perëndim”, shfaqet po ashtu me tërë forcën e saj në këtë roman.

Sidoqoftë, përtej këtyre interpretimeve nuk mund të mohohet fakti se “magjia e syve, dritës dhe diellit”, ka qenë një ushqim i vazhdueshëm për imagjinatën e këtij shkrimtari. Në librin “Ftesë në Studio” ai na tregon për tronditjen, dramën shpirtërore dhe ankthin e vazhdueshëm që e kishte shoqëruar që nga koha kur e kishte lexuar Iliadën e Homerit dhe atë veçanërisht pjesën ku pasqyrohet konflikti i Zeusit me Diellin. Ky tension, siç pohon edhe vet, nuk i është shqitur kurrë nga mendja dhe imagjinata e tij. Madje ai përbën kryevargun e asaj vepre. Në polemikë e sipër Dielli e kërcënon Zeusin se “do të zbres në ferr dhe të shëndris veç për të vdekurit”.

Për këtë shkrimtar as që mund të mendohet kërcënim më madhështor “i cili ndryn brenda vetës edhe kobin, edhe absurdin, edhe të pamundurën, që megjithatë është tmerrues”. Dielli, pohon Kadare “nuk i thotë Zeusit kërcënimin që pritej, do të iki, t’ju lë në terr, çka dhe do të ishte mjaft për t’u tmerruar. Ai s’mjaftohet me kaq. Pra i shpall se nuk do iki në punë të vet, nëpër kozmos, por do zbres atje ku drita është më papërfytyrueshme më e pamundur se kudo; në skëterrë. Pra dritën që do tua marr të gjallëve, dielli do t’ua jep atyre që nuk u duhet, të vdekurve”. E ky tmerr dhe skenar fantazmagorik, që duket i pamundur nga ky mit, sipas këtij shkrimtari u shndërrua në shtysë dhe projekt të botës totalitare, nga besimi i udhëheqësve të saj “se gjithçka është e mundur”. Vetëm se tani me role të përmbysura. Nuk është dielli që dëshiron të tërhiqet, por janë Zeusët politikë të këtij regjimi që aspirojnë ta bëjnë të paefektshëm ndriçimin e tij nëpërmjet dekreteve sikur ai Qorrfermanit. Dhe kështu ta fortifikojnë njëherë e përgjithmonë skëterrën e instaluar. Ta bëjnë realitet dhe ta provojnë se ferri totalitar mund të realizohet “pa e bërë qiellin të rrëzohet apo tokën të çahet”.

Organizimi dhe zbatimi i këtij makthi kolektiv fillimisht u duk si diçka rastësore. Kurse si target fillestar u listuan vetëm sykqinjët. Pasi ata konsideroheshin si burim i disa ligësive që kishin filluar ta molepsnin perandorinë. Prandaj duhej ndërmarrë masa që t’u hiqej sa më shpejt që të ishte e “mundur mundësia e krimit”. Jo “dënimi me vdekje”, por çsyzimi si ndëshkim.

Mirëpo, shumë shpejt u pa se kjo stihi momentale mori formën e një fushate të organizuar dhe planifikuar. Me zgjerimin e saj “askush, përveç të verbërve, nuk ishte i sigurt se mund të ndodhej jashtë veprimit të këtij dekreti”. Dhe pikërisht në këtë mjegullnajë totale mbështetej “fuqia hijerëndë e qorrfermanit”. Në këtë rast Gjoni, kryepersonazhi i veprës, zyrtar shtetëror ky, i ngarkuar me administrimin e dekretit, me të drejtë pohon se fuqia e tij tmerrshme qëndron në karakterin e tij nebuloz. Pra “para Qorrfermanit secilin e pushton dyshimi për tjetrin, askush nuk i shpëton dot ankthit, çdo njeri fillon ta ndjejë vetën fajtor. Pikërisht në këtë trandje totale qëndron fuqia e tij”. Në rrjedhë e sipër kuptohet se kësaj katrahure nuk mund t’i shpëtojnë as ata që punojnë në “qorroficë” Frika, ankthi dhe paranoja bëhen totale. Askush nuk mund të jetë imun dhe i sigurt. Perversiteti, absurdi dhe çmenduria arrin kulmin kur ofiçina e propagandës shtetërore e glorfikon dhe trumbeton rastin e një Abdurrahimi, i cili shërben si nëpunës protokolli në kryeqytet, e ku ndër të tjera kishte thënë se i “flijova me gjithë qejf sytë e mi. Përveç kënaqësisë që ndjeva, ngaqë munda të bëjë diçka për të mirën e shtetit, i jam mirënjohës Qorrfermanit që më shpëtoi nga vuajtjet e ndërgjegjes që më shkaktonte vetë mendimi se sytë e mi ishin një burim fatkeqësisish” Shtypi i kohës i kushton një hapësirë të jashtëzakonshme kësaj skene makabre.

Kur “fushata kundër sykeqojës” po pushtonte të gjitha poret e shoqërisë, atëherë si target përfundimtar i saj veçohen dy kategori të veçanta, ata që i kanë “sytë e ndritur ata që shohin më qartë dhe më larg në të ardhmen, dhe që janë të padëshirueshëm për çdo pushtet tiranik”. Dhe vazhdon dhe me ata që e administruan këtë gjah. Edhe sytë e tyre duhet të zhbëhen sepse duhet zhdukur gjurmët e krimit. “Sytë tanë” thotë Gjoni, “kanë parë shumë gjëra që nuk duhet të shihnin. Ne jemi dëshmitarë të shumë gjërave që duhet të harrohen”. Mbase ky përfundim tregon më mirë së asgjë tjetër për bilancin trishtues të kësaj gjëme. Ajo që filloi si luftë kundër syve të këqij përfundoi në luftë kundër “syve të ndritur”. E para shërbeu vetëm si pretekst për ta jetësuar të dytën. Ishte ky një skenar i llahtarshëm i distopisë totalitare. Një përmbysje brutale e parimit të dritësisë, që për mijëra vjet kishte shërbyer si princip qenësor i njohjes, qenies dhe arsyes njerëzore. Shndërrimi në skëterrë dhe ferr i jetës së përditshme nëpërmjet krimeve. Dhe me kryesorja organizimi i harresës për këto krime, me motiv përjetësimin e këtij sundimi.

Prandaj ky roman, edhe pse për fokus ka errësirën dhe zymtësinë, mbetet një vepër monumentale në galerinë e letërsisë evropiane që e mbars shkëlqimin çlirues dhe ndërgjegjësues. Sepse si i tillë ai ka dhënë një kontribut të pashoq në ndriçimin e mekanizmave të errët, të nëndheshëm dhe të panjohur më parë të atij regjimi, pasojat e të cilit vazhdojnë të ndjehen edhe sot.

Duke e perifrazuar Hegelin, i cili një herë kishte pohuar se mbase është dashur të ndodhte lufta e Peloponezit në mënyrë që njerëzimi t’i përfitonte librat e pavdekshme të Thukiditit për këtë ngjarje, lirisht mund të themi se ndoshta nga ambicia e projektit totalitar për verbërimin e nënshtetësave që i sundonte, njerëzimi nëpërmjet romanit Qorrfermani, ka fituar një zbardhëllim të përhershëm.