×
Opinione

Doktrina për rikthimin e orës së historisë

Reporteri
18 Mars 2022 | 12:15

Autor: Afrim Kasolli


Intervenimi brutal i Rusisë mbi shtetin e Ukrainës, ka ngritur shumë dilema dhe pikëpyetje mbi qëndrueshmërinë e rendit ndërkombëtar që triumfoi pas përfundimit të Luftës së Ftohtë. Analistë dhe ekspertë të shumtë kanë pohuar se sulmi i Putinit mbi një shtet sovran dhe të njohur ndërkombëtarisht, është edhe atak i drejtpërdrejtë edhe mbi parametrat e këtij rendi. Si dhe paraqet dhunimin më flagrant të mundshëm ndaj parimeve të tij.

Kështu, mbrojtja e arritjeve historike dhe politike që u kurorëzuan më rënien e Murit të Berlinit, duhet të ketë karakter imperativ për vendet demokratike, përballë kësaj doktrine të kaosit. Përndryshe, nëse nuk preservohen themelet e këtij rendi, atëherë fantazmat e rivaliteteve gjeopolitike, presionet e antagonizmave historike dhe lufta e të gjithëve kundër të gjithëve do të rikthehen me tërë potencialin e tyre destruktiv, për ta tërhequr botën në një vorbull tragjike. Me një fjalë, me fatin e Ukrainës sot është i lidhur edhe fati i një pjese të një njerëzimit.

Profeci të tilla ogurzeza janë kuptimplota, sidomos kur të marrim parasysh refrenin e vazhdueshëm të ish-agjentit të KGB-së, të shndërruar tashmë në Car Absolut, se pikërisht suksesi i këtij rendi ishte “një katastrofë gjeopolitike për Rusinë”. Prandaj, çmontimin e konturave të tij, Moska e konsideron si interes strategjik, sepse në këtë mënyrë pretendon ta garantojë sigurinë e saj nacionale dhe shtetërore në plan afatgjatë. Mirëpo, ajo që mbetet problematike, është pikërisht mënyra se si Kremlini e projekton mbrojtjen e sigurisë së tij shtetërore. Dhe kjo qasje nuk është e re në mendimin strategjik të Moskës, por ka rrënjë të thella historike. Madje, si e tillë, në vazhdimësi ajo i ka kushtëzuar pretendimet gjeopolitike të Rusisë, çfarë ka ndikuar që ky shtet të sillet kështu si sillet si me veten ashtu edhe me fqinjët e tij.

Fillimisht mënyra si e ushtron pushtetin Putin ia lejon atij të ndërmarr aventura të tilla pa llogaritur në ndonjë kundërshtim serioz nga opinioni publik. Mungon opozita dhe forcat e pavarura shoqërore dhe ekonomike, që do të mund ta kontestonin regjimin tiranik të Putinit. Mirëpo, paradoksalisht që kur ka filluar invazioni i tij në Ukrainë, sipas shumë matjeve të opinionit publik, është rritur po ashtu popullariteti i tij politik. Fakt ky, që tregon se për momentin politika e tij kundër shtetit të Ukrainës gëzon një solidaritet shoqëror. Shumë kush mund të thotë se në çdo fazë fillestare të luftës, kjo është normale. Shtohet adrenalina nacionaliste. Madje nuk ka situatë me ideale për ta diskredituar opozitën edhe ashtu të dërmuar, se sa, kur një vend përfshihet në një luftë me armiqtë të jashtëm.

Këto rrethana shndërrohen në “minierë ari” për pushtetin dhe në “xehe qymyri” për zërat kundërshtues. Sepse, nëpërmjet propagandës, teorive konspirative si dhe manipulimit publik dhe emocional, pushteti ka shansin që këtë kategori ta ekspozojë si kolonë e pestë të armiqve të jashtëm, që kanë depërtuar brenda vendit për të cenuar fuqinë, unitetin, prestigjin dhe interesat kombëtare. Dhe hiç më larg se dje, Putini u shfaq para popullit rus me këtë narracion. Kjo është arsyeja, që zakonisht regjime të tilla kolapsojnë jo gjatë kohës sa zhvillohet lufta, por vetëm nëse dështon ajo dhe nuk realizohen qëllimet se pse pat shpërthyer. Të gjithëve na kujtohet sundimi i Milosheviqit në Serbi. Ai e humbi pushtetin jo deri sa ishte duke i zhvilluar luftërat kund popujve tjerë të ish-Jugosllavisë. Por, kur i humbi ato dhe nuk ia doli ta jetësoi parajsën e premtuar për popullin serb.
E mënyra se si funksionon pushteti në Rusi ka ndryshuar pak gjatë historisë. Putini sot është ndodhet në maje të asaj piramide që është trashëguar brez pas brezi. Ai shfaqet vetëm si inkarnim i forcave të errëta të së kaluarës. Intelektuali dhe kritiku i njohu rus, Vladimir Sorokin në një shkrim për prestigjiozen britanike The Guardian të titullar “Vladimir Putin sits atop a crumbling pyramid of power”, ka dëshmuar se gjenealogjia metodave të këtij modeli të ushtrimit të pushtetit në Rusi, daton që nga koha e Ivanit të Tmershëm.
Ishte ky sundimtar mizor që nëpërmjet veprimeve të tij e pat plasuar rrugën e sjelljes për të gjithë carët dhe sundimtarët e mëvonshëm të Rusisë. Me anë “të ushtrisë së tij –oprichnina- ai në mënyrë mizore dhe të përgjakshme e ndau pushtetin nga populli, miqtë nga armiqtë, duke krijuar klimën se vetmja mënyrë për të qeverisur këtë vend të pamasë ishte detyrimi i nënshtetasve për t’i nënshtruar më anë të forcës dhe duke i frikësuar masat, që ta adhurojnë dhe respektojnë sundimin e tij” Prandaj, sipas V. Sorokinit, sot Putini, nuk është asgjë tjetër pos mishërim i kësaj tradite, ashtu siç ishin para tij Pjetri I, Nikola II, Stalini, Brezhenevi, Andropovi, etj etj.

E një përvojë e tillë ka lënë gjurmë edhe në doktrinën gjeopolitike të Rusisë. Siç ka pohuar, Stephen Kotkin, në artikullin e tij të shkruar qysh ne vitin 2016 në revistën “Foreign Affairs” me titull “Russia’s Perpetual Geopolitics -Putin Returns to the Historical Pattern” pikërisht Ivani I Tmerrshëm ia kishte dalur që t’i zgjeronte kufijtë e shtetit të tij me nga 50 milje katror në ditë”. Kjo politikë për uzurpim konstant territorial i ka prodhuar jo pak telashe këtij shteti. Sepse, është zhvilluar në kundërshtim më aftësitë shtetërore për t’i administruar ato.

Sipas këtij historiani, e meta e tjetër e këtij vendi qëndron në besimin e saj të verbër për misionin planetar që e ka. Kështu, fillimisht e ka quajtur veten si “Roma e Tretë (Third Rome), në ndërkohë e mori rolin e Piemontit për mbretërinë pan-Sllave, në shekullin 20 si qendra botërore e Internacionales Komuniste. Ndërkaq, sot operon me një koncept tjetër nebuloz, sikur se; ai i Euroaziatizmit, i cili ishte shpikur nga emigrantet rus në vitin 1921, si pjesë e projektimit për rolin e veçantë që duhet ta ketë kombi rus as në Azi apo Evropë plotësisht, por si një fuzion sui generis”. Mirëpo problemi është se ky shtet, kurrë nuk e ka pasur kapacitete, politike, industriale, ekonomike për ta ushtruar këtë mision. Rusisë i mungon joshja ideologjike, inspirimi politik, potenciali kulturor dhe forca shoqërore për ta pajisur veten me një aureole ndriçimi dhe fuqi magnetike për pjesën tjetër të botës.
E vetëdijshme për këto hendikepe, ajo ka tentuar që ta imitoi perëndimin me qëllim që ta kap ritmin e tij zhvillimor. Mirëpo këtë simulim e ka bërë në mënyrë të përçudnuar duke krijuar forma hibride monstruoze. Dështimi ka qenë fat i pashmangshëm i këtij apetiti.

Prandaj edhe ndjenjat kolektive të frustrimit, mërisë, zemërimit, hakmarrjes dhe mendësisë konspirative e kanë ushqyer në vazhdimësi politikën ruse. Bie fjala, edhe sot e kësaj dite Putini, fitoren e demokracive perëndimore mbi bllokun komunist, nuk e sheh si rezultat të dështimit të brendshëm të këtij të fundit, por si një komplot të së parës. Prandaj motivi për t’u hakmarrë ndaj asaj pabesie qëndron në thelb të politikës të tij.
Nga ky tejhuasim ka lulëzuar edhe pasiguria konstante gjeopolitike e Kremlinit. Kurse, tejkalimin e kësaj ndjenje, elita politike e këtij vendi ka besuar se mund ta kalojë vetëm me anë të pushtimeve të reja. Pra “vetëm nga një zgjerim më shumë mund të ruhen zotërimet e mëparshme”. Ukraina sot është viktimë e kësaj tendence agresive dhe imperiale, nga e cila historikisht Perandoria Ruse ka përfituar jo pak territore, duke u bërë një shtet që zotëron një hapësirë të pamasë gjeografike.

Rrjedhimisht, doktrina aktuale gjeopolitike e Putinit, nuk është asgjë tjetër, pos vazhdim i kësaj trashëgime historike, por e adaptuar në rrethanat e reja. Parimet e saj bazike, sipas Angela Stent, në shkrimin “The Putin Doctrine -A Move on Ukraine Has Alëays Been Part of the Plan” mëtojnë ta bindin “Perëndimin që ta trajtojë Rusinë sikur të ishte Bashkimi Sovjetik, një fuqi që duhet të respektohet dhe frikësohet, me të drejta të privilegjuara mbi vendet e saj fqinje. Sipas kësaj doktrine, vetëm disa shtete kanë të drejtë të plota deh sovrane”. Të tjerat duhet tu nënshtrohen autoritetit të këtyre fuqive. Po ashtu, të përmbysen pasojat e që pat prodhuar fundi i Luftës së Ftohtë, dhe të çmontohen aleancat transatlantike”. Pra, rendi i ardhshëm botëror në një farë mënyrë duhet të jetë një lloj ekuilibri i ri i forcës, apo duhet t’i ngjasojë disi të Koncertit të Evropës. Por, se tani këtë rol primar në tavolinën e negociatave duhet ta kenë SHBA-të, Rusia, Kina dhe mbase India. Të tjerat mund të jenë vetëm pjesë e menysë së kësaj darke glamuroze të të mëdhenjve.

Përfundimisht, sforcimi i këtyre synimeve subversive nuk është asgjë tjetër, pos përpjekje e dëshpëruar për ta rikthyer pas orën e historisë. E për t’i trajtuar shtetet demokratike sot me të njëjtin kut që dikur i kishte trajtuar principatat e vogla në Azi, të cilat ia doli t’i nënshtroi njëra pas tjetrës pa ndonjë rezistencë të madhe. Prandaj, vendosmëria e vendeve demokratike për ta frenuar me çdo kushte këtë politikë do të dëshmonte se njëmend “historia ka përfunduar” për doktrinat e kaosit dhe aventura të tilla të errëta.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!