×
Opinione

Imagjinata e hallakatur e masave, manipulimi politik dhe realiteti kokëfortë

Reporteri
01 Shtator 2021 | 15:36

Autor: Milazim Krasniqi


Çka na tregon numri i madh i njerëzve tanë që dyshojnë në vaksina, që refuzojnë vaksinën, që nuk respektojnë masat antikovid, që kujtojnë se sëmundja nuk ekziston, se gjasme e tëra është një konspiracion global, e njerëzve që si të çartur shtijnë me kallashikov në dasma, që harxhojnë mijëra euro për një syneti, që keqtrajtojnë gratë, që bien në bela për një fjalë…


Në këtë kontekst, çka tregon fakti që shumë njerëz nuk u besojnë as masave e as thirrjeve të qeverisë, të cilën e kanë sjellë në fuqi me votën e vet?! Ku e ka burimin ky kjo prirje dyshimtare ndaj çdo gjëje, ky fodullëk primitiv, ky refuzim jo vetëm ndaj qeverisë së zgjedhur legalisht, po edhe ndaj interesave të vetvetes? Pse pothuajse askush nuk i beson askujt, kur e thotë të vërtetën? Fjala vjen nuk beson kur i thuhet se manastiri i Deçanit është manastir serb, i ndërtuar nga shteti mesjetar dhe si i tillë i përket Kishës Ortodokse Serbe. Por beson kur i thuhet se është manastir shqiptar! Nuk beson nëse i thua se Karagjorgje ka qenë serb, të beson nëse i thua se ka qenë shqiptar! Pra, nuk e beson atë që e sheh, ndërsa e beson atë që e imagjinoin, që e dëshiron! Imagjninatë e hallakatur, në luftë me realitetin kokëfortë.

Ata që e njohin mirë kombin shqiptar, e dinë ku e ka burimin dhe çka tregon kjo prirje iracionale, refuzuese ndaj fakteve, në shumë raste tejet fanatike. Por, shumica absolute e drejtuesve politik e shtetëror të vendit tonë, nuk e njohin fare kombin shqiptar në konstantat, po edhe në lakoret e tij antropologjiko-kulturore, historike, politike e shoqërore. Prandaj edhe hartimin e politikave, pra, duke përfshirë edhe politikat në rastin me pandeminë, i kanë të gabueshme. Nuk dinë të komunikojnë me imagjinatën e hallakatur, me ndjenjat, me paragjykimet, me fobitë, me intuitën, ose edhe me idealet e këtij kombi. Kjo mosnjohje është arsyeja themelore që ka eksploduar pandemia ndër ne, jo vetëm këtu në Kosovë, po edhe në Zvicër e në Gjermani, ku ka më shumë shqiptarë të Kosovës.

Fatkeqësisht, shumica absolute e politikanëve tanë nuk kanë fare njohuri të vlefshme se si duhet të punohet me këtë komb, as në periudha normale e aq më pak në periudha krizash.

Prandaj ka aq shumë refuzime, rebelime, anarkizma, disfata e tragjedi edhe në historinë tonë më të re. Vetëm nga viti 2004 e këndej, pra në liri, ka pasur disa trazira e rebelime, të cilat e kanë destabilizuar Kosovën deri ne themele. Në të gjitha ato raste e edhe në rastin e pandeminë është saktësisht siç thotë Eqrem bej Vlora: “Askund dhe askush nuk mund të ketë sukses te një popull, pa qenë kuintesenca e shpirtit të këtij populli.” Vërtet pa më shkuar aspak mendja të akuzojë në këtë kontekst vetëm qeverinë e tashme, por vetëm po konstatoj se as kjo qeveri dhe as këto elita që janë në skenë, nuk e njohin saktë këtë komb, prandaj kanë refuzime, moskuptime, rebelime. Manipulimi që ndodhë me ndjenjat e votuesve në fushata parazgjedhore, nuk është njohje e popullit, nuk është as mirëbesim që i qëndron provës. Shqiptarët mund të të votojnë, por nuk do të thotë se të besojnë. Kur po i ndodhë ky refuzim e moskuptim kësaj qeverie që ka fituar 50 % të votave të votuesve, kjo tregon saktë se elita politike e sotme dhe populli që ata qeverisin, lëvizin në binarë paralel, por jo në një kompozicion të përbashkët. Por, kjo nuk po i ndodhë vetëm partisë në pushtet. Këtë problem e kanë pasur edhe partitë e tjera të mëdha, LDK e PDK konkretisht.

I vetmi lider që pati filluar ta kuptojë kuintesencën e popullit tonë ishte Ibrahim Rugova, por edhe ai vetëm në vitet 1989-1991. Mbas Kuvendit të parë të LDK-së, maj 1991, edhe ai hoqi dorë pjesërisht prej atij kursi, nga presioni që erdhi në atë parti nga grupet e tjera ideologjike. Ndaj fundi i asaj politike të tjetërsuar nga kuitesenca e popullit, qe një dështim i hidhur. Disi ngjashëm ndodhi edhe me PDK-në, pas mandatit të parë qeverisës. Në atë rrugë është edhe LVV me qeverinë e saj. Ka filluar, sado nëndheshëm, t’i skicohet edhe LVV-së konflikti me popullin. Edhe në rastin e saj është pasojë e mosnjohjes së kuintesencës së tij. Pse? Fjala vjen, kur hoqi masat antikovid në fillim të korrikut 2021, nuk e kishte idenë se prirja e njeriut shqiptar nëpër histori, kurdo kur i është dhënë mundësia, ka qenë të mos e këtë ndjenjën e masës, të humb ndjenjën e realitetit, të injorojë rrezikun konkret e në vend të kujdesit, të kapardiset, të shet mend. Po të kishin politikëbërësit njohuritë e duhura për prirjet e këtilla, minimalisht do të bënin më shumë kujdes, do ta mbanin disi nën kontroll zdërhalljen e diskotekave, të dasmave e të argëtimeve të shfrenuara të kësaj vere. Por, nuk e mbajtën nën kontroll, demek duke besuar në “popull”, për ç’arsye gjendja eksplodoi. Pra, kjo gjendje që tashmë ka marrë përmasat e tragjedisë, në instancë të fundit është pasojë e paditurisë së njërëzve të qeverisë. Jo vetëm padituria në këtë rast konkret, po në fakt edhe i tërë korpusi ligjor, duke përfshirë edhe ligjin zgjedhor e madje edhe Kushtetutën, nuk janë fare në harmoni me prirjet antropologjiko-kulturore, historike, politike e shoqërore të popullit dhe të kombit tonë. As masat policore që po ndërmirren, duke poshtëruar qytetarët për një maskë, nuk do të japin asnjë rezultat. Në fakt ato masa do ta rrisin iritimin dhe do ta nxisin imagjinatën se edhe këta policë e kjo qeveri janë pjesë e një konspiracioni.

E keqja është se te ne politika hartohet në bazë të tarafeve, më e shumta në bazë të ndonjë ideologjie hibride. Ndërsa shkenca nuk mirret fare në konsiderim. E pra, baba i Eqrem bej Vlorës, Syrja Vlora, në fillimet e ekzistimit të shtetit shqiptar e dinte se “kemi nevojë të vëmë në zbatim inspirimet dhe mendimet e atyre që janë të specializuar në shkencat shoqërore, të kërkojmë e të shqyrtojmë të gjithë mjetet e faktorët për t’ia arritur këtij qëllimi.” Mungesa e shkencës në politikëbërje, e ka shndërruar politikën në qitje fall, në manipulim me njerëzit e si pasojë edhe në një konflikt të pafashitur ndërmjet imagjinatës së hallakatur të masave dhe realitetit jetësor. Politika e drejtë dhe realiste, si ndërmjetës mes imagjinatës së hallakatur të masave dhe realitetit kokëfortë, nuk po funksionin. Prandaj nuk ka as edukim të duhur politik, as mirëbesim, as zbatim të ligjeve. Ka cubni në njërën anë dhe reaksion represiv në tjetrën anë. Politika që do ta frenonte me mirëbesim e me shtet ligjor imagjinatën e hallakatur të masave dhe do ta bënte ta kuptonte realitetin kokëfortë dhe interesin e vet brenda tij, nuk është formuluar ende. As mund të formulohet pa ndihmën e fuqishme të shkencës. Ndërsa pa qenë e atillë, ajo nuk arrinë ta kuptojë as për vete e lere më ta transmetojë e ta bëjë të zbatueshme të vërtetën.

Fatkeqësisht, ende jemi viktima të imagjinatës së hallakatur të masave dhe të mashtruesve, që të bashkuar në një aleance hipokrite, e imponojnë diskursin dominant në shoqërinë tonë. Aty ku më shumë u besohet harambashave lokalë dhe mashtruesve ordinerë politikë se sa shkencëtarëve, punën e ka marrë lumi. Siç e ka marrë edhe në fatkeqësinë tonë të radhës, kësaj here për shkak të rebelizmit ndaj masave antikovid përkatësisht me përhapjen tragjike të pandemisë në vendin tonë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!