×
Opinione

Imituesi i hipokrizisë

Reporteri
21 Shtator 2022 | 20:36

Autor: Xhezair Dashi


Për sa kohë jam unë këtu ti veç dëgjon […] unë këtu (në Kuvend) jam në shtëpi time […] e ke kthyer dinjitetin në para […] i ke marrë fëmijët peng”.

Prej një pozicioni financiarisht të dinjitetshëm (shih deklarimin e tij të pasurisë), Dimal Basha i drejtohet një përfaqësuesi të mësuesve grevistë –  që kërkojnë dinjitet minimal financiar jetese –  se “e ka kthyer dinjitetin në para”.

A keni punuar para lufte pa para”, i thotë Dimal Basha, Jasharajt, me mllef e britma histerike nervash militanti – por, edhe me një palogjikësi përcjellëse kur Jasharaj i thotë se “Po”.

Eeee”, kthehet Basha sikur fitoi admirueshëm argumentin, si një i pamendë.

S’dihet a do të punonte Dimal Basha si deputet në Kuvendin e Kosovës pa pagesë si mësimdhënësit në vitet e 90’ta.

Ky i fundit, sot, deklarativisht, mishëron “dashurinë e çiltër ndaj shtetit”, dhe paraqitet si çjerrës i të keqes me ndershmëri morale kopshti edenian të Vetëvendosjes.

Në parajsën fillestare, ku mëkati nuk tolerohet, as dija mbi të mirën e të keqen.

Këtu jam në shtëpi time”, i thotë Basha kreut të SBAShK-ut, derisa shpërthen në helme verbale ndaj tij. Pra, Kuvendin, deluzionalisht, e sheh si pronë të tij, ku, me moral të pakontestueshëm, linçon njeriun jetëgjatësia e të cilit pulson kërkim të kushteve më të mira për punonjësit që i përfaqëson.

Dimal Basha është deputeti i kryeministrit ish-Albin Kurti, që tashmë s’është Albin Kurt (thënë në frazimin e tij).

Ekskomunikimi i tillë i të gjithë atyre që guxojnë të kërkojnë diçka më shumë, si rasti i Rrahman Jasharajt, do të mbetet njollë e zezë në demokracinë kosovare.

Nga shpallja e tij si anëtar të një partie serbe, në analfabet, në linçimin më stërkeq të mundshëm që i bëhet nga strukturat e pushtetit, në demonizimin dhe faturimin e së keqes mbi të, në personifikimin e tij si mallkim i shoqërisë – të gjitha këto helme, në fund të fundit, s’janë asgjë më shumë se parathënie e një pushteti që i janë zhbërë instinktet, që s’beson më në vete, që s’di të mendojë, që janë mbyllur në kështjella kristali e ku vështrimi bëhet me lente rozë.

Ky Dimal Basha nuk të lë as shije të një hipokriti, por të një imituesi të hipokrizisë./Reporteri.net/     

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!