×
Opinione

Kosova “speciale”

Autor:Bekim Çollaku
10 Nëntor 2023 | 22:40

Vetëm disa ditë më parë, hetuesit e Zyrës së Prokurorit Special që funksionon në kuadër të Dhomave të Specializuara të Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, bastisën dy atdhetarë, publicistë dhe shkrimtar të mirënjohur në Kosovë. Këta të dy, kanë përjetuar, mbijetuar dhe luftuar regjimin diskriminues të Millosheviçit. Në Kosovën e lirë dhe shtet, ata as në ëndërr nuk kanë mundur të paramendojnë trokitjet e forta në shtëpitë e tyre një ditë, e lere më që ato të mbushën me hetues dhe policë ndërkombëtarë. Arsyeja se përse ata kanë ngelur të tronditur nga “bastisja speciale”, ndërlidhet me gjithë jetën dhe veprimtarinë e tyre në shërbim të paqes dhe shtet-ndërtimit. Ata të dy, i kanë kushtuar një jetë të tërë edukimit, emancipimit të shoqërisë sonë dhe kanë kryer me nder punën e tyre në shërbim të lirisë dhe shtet-ndërtimit. Mirëpo, duket se “mëkati” i tyre i vetëm ishte fakti që ata të dy ishin dhe mbeten miq e bashkëpunëtor të ish-presidentit të Kosovës z. Hashim Thaçi. Si duket, ky fakt ka qenë i mjaftueshëm që këta të dy, dhe shumë të tjerë që kanë qenë bashkëpunëtor të ish-presidentit Thaçi, të kthehen në shënjestër të monitorimit konstant dhe bastisjeve speciale. Kosova është një shtet i krijuar bazuar në parimet dhe vlerat perëndimore. Prandaj, është krejtësisht e panevojshme dhe paradoksale që trokitjet e forta, bastisjet dhe akuzat speciale drejtohen kundër brezit të fundit qind për qind pro-amerikan dhe pro-perëndimor.

Kuvendi i Kosovës i ka dhënë ligjshmëri të plotë Dhomave të Specializuara për të nxjerr të vërtetën lidhur me pretendimet dhe akuzat të cilat pasuan si rrjedhojë e një raportit kontrovers të miratuar nga Këshilli i Evropës. Mirëpo, një gjë e tillë, nuk nënkupton devijim nga mandati dhe fushëveprimi i saj special i përcaktuar me ligj. Kritikat publike për mungesë transparence dhe këtë gjykimin maratonik që është duke ndodhur, nuk guxon të kthehet në hakmarrje apo cenim të lirisë së shprehjes dhe mendimit të lirë. Fatkeqësisht, lehtësia me të cilën kryhen këto bastisje kundër personaliteteve me kredibilitet të lartë publik dhe shtetëror, është e tmerrshme. Këto veprime të kryera nga bashkësia ndërkombëtare në emër të Kosovës dhe drejtësisë, sigurisht që mund të nxisin dyshime serioze lidhur qëllimet e tyre përfundimtare. Ndërsa, heshtja e shoqërisë dhe institucioneve tona në kontekst të këtyre bastisjeve, është e frikshme. Thjesht, askujt nuk i bëhet vonë nëse cenohet dhe njolloset kaq vrazhdë kredibiliteti dhe nderi i personaliteteve publike dhe shtetërore. Mjerisht, të krijohet përshtypja se mjafton që personalisht të mos jenë subjekt i këtij trajtimi special. Turp i madh!

Shtetet e lindura nën kujdesin apo syrin vigjilent të ndërkombëtarëve, duket se kanë një trajtim të veçantë. Si pasojë, ato shpesh mbesin në një lloj laboratori politik, ku “zgjidhjet speciale” ofrohen si ilaçe për të gjitha problemet e tyre. Një fat i tillë, po e përcjell Kosovën e cila ende nuk po arrin dot të bëhet një shtet që funksionon në mënyrë normale. Kosova vazhdon të mbetet një laborator interesant dhe poligon trajnues ndër të tjera, edhe për bastisje speciale.

Nuk kemi nevojë të kthehemi shumë mbrapa në histori, por që nga marrëveshja e Rambujesë, Kosova është shembulli par ekselencë i këtij trajtimi special ndërkombëtar. Për më shumë se dy dekada, Kosova ka kaluar nga njëra zgjidhje “sui generis” në tjetrën – nga statusi i saj i veçantë si territor nën administrimin e OKB-së, pavarësia e mbikëqyr e tek dialogu me Serbinë të cilit nuk ia dinë fundin askush. Aktualisht, jemi në fazën kur Kosova duhet të themelojmë një asociacion special për komunat me shumicë serbe në Kosovë, sepse ato nuk duan të bëhen anëtare të asociacionit ekzistues të komunave të Kosovës. Sigurisht, se një themelimi i një asociacion të tillë special, do të prodhoj efekte apo ndoshta edhe pasoja speciale në të ardhmen për Kosovën. Në rastin më të mirë, do ta prolongoj Kosovën do bëhet një shtet normal, kurse për skenarin tjetër, nuk ia vlen të spekulohet.

Përgjatë gjithë kësaj periudhe të gjatë të shtet-ndërtimit, disa nga këto zgjidhje speciale të imponuara nga faktori përcaktues ndërkombëtar, kanë qenë tepër të favorshme për Kosovën. Nuk është se nuk na ka pëlqyer të kemi një trajtim të veçantë si shtet. Këtë cilësim e kemi përdorur si argument kryesor të prezantimit tonë shtetëror në arenën ndërkombëtare. Padyshim, ne kemi bërë një rrugëtim mjaft të gjatë dhe të suksesshëm së bashku me partnerët tanë ndërkombëtar. Mirëpo, zhvillimet e fundit që ndërlidhen me imponimin e zgjidhjeve speciale në kuadër të dialogut me Serbinë dhe gjykimin maratonik të Gjykatës Speciale me seli në Hagë, duket se do të na shtyjnë që si shoqëri të mendojmë se ka ardhur koha që Kosova të jetë vetëm një shtet normal. Asgjë më shumë!

Kosova është shpallur si shtet i pavarur duke iu falënderuar përkrahjes ndërkombëtare. Mirëpo partnerët duhet ta kuptojnë se nuk ka nevojë për më shumë “zgjidhje speciale”. Kosova ka nevojë për njohje, integrim dhe trajtim si çdo shtet tjetër – me të drejta dhe përgjegjësi të plota. Ajo ka nevojë për partnerë që e shohin jo si një eksperiment social apo politik, por si një partner të barabartë në arenën ndërkombëtare. Fatkeqësisht, Kosova sot ndodhet nën sanksionet e imponuara nga Bashkimi Evropian, dhe është shteti i vetëm në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë (përjashto Rusinë dhe Bjellorusinë) që ende nuk e ka fituar statusin e vendin kandidat për anëtarësim në BE. Prandaj, pyetja e pashmangshme që shtrohet është se si e mundur që përkundër të gjitha këtyre zgjidhjeve speciale të komunitetit ndërkombëtar, Kosova mbetet e fundit në të gjitha përpjekjet e saja për integrim në BE dhe NATO?

Për një vend që ka luftuar për liri dhe për të qenë pjesë e komunitetit ndërkombëtar, ironia qëndron në faktin se sa më shumë Kosova synon normalitetin, aq më shumë i ofrohen zgjidhje ‘të veçanta’. Ndërsa botës i pëlqen të trajtojë Kosovën si një rast të veçantë, ajo që vendi ka nevojë është një trajtim normal. Normaliteti do të thotë të merresh seriozisht si një shtet sovran, jo si një subjekt që vazhdimisht duhet të përshtatet me zgjidhje të reja dhe të pazakonta. Tani është koha që BE-ja dhe NATO ta lejojnë edhe Kosovën të troket butësisht në dyert e tyre.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!