×
Opinione

Kur konspiracionistët udhëheqin shtete

Reporteri
03 Tetor 2022 | 15:51

Autor: Gideon Rachman, Financial Times


Mendoja se teoritë konspirative ishin strehë për të pafuqishmit dhe të pashkolluarit. Bindjet se forca të errëta dhe të fshehta manipulojnë ngjarjet botërore ishin shënjues të një të huaji, që kërkon nëpër internet ose bërtet rrugëve. Në korridoret e pushtetit dinë më mirë. Siç ua ka qejfi të pëshpërisin shërbyesit civil britanikë, kur gjërat shkojnë për së keqi, zakonisht “është ndonjë huqje e madhe, dhe jo konspiraci”.

Por teoricienët konspirativë janë ngritur prej rrugëve në kostume. Janë bërë presidentë shtetesh, përfshirë Turqinë e Brazilin. Në ShBA, Donald Trump – që shihte komplote kundër tij gjithandej – po planifikon kthimin politik të tij. Konspiracisti më i rrezikshëm ndër ta është Vladimir Putin, i cili tash për tash po kërcënon botën me luftë bërthamore.

Fjalimi i tij i javës së kaluar, kur lajmëroi aneksimin e pjesëve të Ukrainës, ishte i stërmbushur me mendime konspiracioniste. Simbas Putinit, perëndimi i bashkuar “nuk dëshiron ne të jemi të lirë; duan të jemi koloni…duan të na vjedhin”. Në raste të mëhershme, Putin dhe këshilltarët kyç të tij, u janë referuar teorive konspirative të “miliardit të artë”. Kjo [“miliardi i artë”] do të thotë se bota ka mjaftueshëm resursve për vetëm një miliardë njerëz – dhe se prandaj ka për qëllim të thyejë Rusinë që t’ia rrëmbejë resurset. Javën e shkuar ai deklaroi se shtetet perëndimore kanë braktisur fenë dhe kanë përqafuar “satanizmin”.

Çdo ditë e më shumë është evidente që Putin u beson teorive konspirative, të cilat i përkëdhel. Një botëvështrim thellësisht konspirativ ia ka udhëhequr veprimet e tij me vite. Në vazhdimësi ka ngulur këmbë se “revolucionet me ngjyra” në Ukrainë dhe Gjeorgji nuk kanë qenë lëvizje spontane dmokratike, por “puqe” të fabrikuara nga agjencitë perëndimore të inteligjencës.

Putin është unikalisht i rrezikshëm. Por ama nuk është i vetmi president që është teoret konspirativ. Derisa përballet me mundësinë e disfatës zgjedhore, lideri brazilian, Jair Bolsonaro, promovon idenë një konspiracie të madhe majtiste për t’ia grabitur fitoren në zgjedhje. Gjithashtu ka përqafuar teorinë e padëshmuar që virusi Covid-19 është prodhuar në një laborator.

Giorgia Meloni, kryeministrja në ardhje italiane, i ka për qejfi teoritë konspirative. Ajo ka përkëdhelur teorinë e “zëvendësimit të madh” – e cila konsideron se ekziston një plan, i hartuar nga financierë elitarë, për të tëholluar kulturën evropiane të krishterë duke promovuar imigracionin. Qëllimi i fundëm, siç duket, është t’i kthejnë evropianët në “skllevër” dhe konsumues të pamendtë, të zhveshur nga identitetet kombëtare dhe gjinore të tyre.

Me parashikueshmëri të errët, Meloni – njëjtë sikurse Trump dhe Viktor Orban në Hungari – ka sugjeruar se figura kyçe që po punon kundër shtetit të saj është figura 92 vjeçare, financuesi dhe filantropisti i moshuar hebre, Geroge Soros. “Kur jeni skllav, ju veproni simbas interesave të Soros-it”, ka deklaruar ajo.

Një tjetër lider i fuqishëm që lëshon britma ndaj Soros-it është Recep Tayyip Erdogan. Presidenti i Turqisë shpesh fajëson për problemet ekonomike të vendit jo paaftësinë e tij, por “rata lobiste të interesit” misterioze që supozivisht dëshirojnë vendosjen e normave të interesit me fajde për njerëz të rëndomtë.

Ngritja e Trump-it bëri copë-copë çfarëdo iluzioni të mirë-vendosur që demokracitë perëndimore janë imune ndaj gjërave të këtilla. Ish-presidenti, mbase edhe i ardhshëm, nisi karrierën politike duke promovuar gënjeshtrën e “lindësit” sipas të cilës Barack Obama nuk kishte lindur në ShBA. Ai ka qenë promovues pjellor i teorive konspiracive që atëherë. Kjo kulmoi në këmbëngulësinë e tij që zgjedhjet presidenciale të 2020’ës iu vodhën.

Teoricienë konspirativë kanë ekzistuar ndër shekuj, që nga koha e ndezjes së shtrigave në zjarr. Por, në epokën tonë të globalizimit ato parapalqehen nga nacionalistët ekstremë, që shohin forca të hijëzuara të huaja që qëndrojnë prapa secilës ndodhi turpërimi kombëtar.

Trysnia e ngjarjeve mund t’i dërgojë edhe politikëbërësit e arsyeshëm në kërkim të batanijes së rehatshme të konpiracionit. Në lartësinë kulmore të krizës së Euro-s, kam hasur në politikëbërës evropianë që flirtonin me idenë që e tëra u shkaktua nga një fond pengese lidhur edhe me Financial Times.

Tani që është radha e Britanisë që të kalojë në krizën financiare, disa komentues të djathtë në Mbretërinë e Bashkuar dyshojnë për një komplot të huaj për të prishur Brexit-in.

Disa vite më parë, Angela Merkel, ish-kancelarja gjermane, sugjeroi se Putini kishte humbur kontaktin me realitetin dhe po jetonte “në një botë tjetër”. Ajo botë është ajo në të cilën armiqtë dhe komplotet e fshehura janë gjithandej. Është bota e teorive konspirative. Në mënyrë tragjike, imagjinata e sëmurë e Putinit ka nisur një luftë të panevojshme, brutale dhe gjithnjë e më të rrezikshme.

Teksti i përkthyer në shqip nga gazeta online Reporteri.net.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!