×
Opinione

Lehtësia e arratisjes nga demokracia

Reporteri
22 Mars 2022 | 17:47

Autor: Afrim Kasolli


Një nga bindjet më të njohura për demokracitë ka qenë opinioni mbi karakterin e pakthyeshëm të tyre. Se po u vendos një herë ky model qeverisës më s’mund të përmbyset. Se suksesi i tij është produkt i një procesi të gjatë evolutiv historik. Dhe po ashtu është rezultat i vetëdijesimit të qenieve njerëzore dhe i afirmimit të dëshirave të tyre për të jetuar të lirë dhe të barabartë. Prandaj, edhe qëndrueshmëria e këtij sistemi është garantuar njëherë e përgjithmonë. Mirëpo, siç e dëshmon filmi gjerman Vala (The Wave-Die Welle), asgjë s’ka më të rrezikshme, se sa ky iluzion.

Ky film i realizuar në vitin 2008, me regji të Dennis Ganesel, e pasqyron pikërisht lehtësinë me të cilën njerëzit mund të kalojnë nga demokracia në autokraci. Madje, kjo e fundit u duket më kuptimplote, për dallim prej demokracisë që u duket e qulltë, pa ndonjë pretendim madhor dhe që është e privuar nga ndonjë qëllim sublim dhe final.

Filmi fillon më një bisedë interesante ndërmjet dy të rinjve gjermanë. Ata i parashtrojnë pyetje njëri –tjetrit mbi shkaqet e mundshme të rebelimit në kohën e sotme. Dhe është konstatim i tyre se aktualisht s’ka arsye për aventura të tilla, sepse “tashmë asgjë s’ka rëndësi”. Gjenerata jonë, pohojnë të dy, jeton në një rend, ku i ka të gjitha të garantuara. E vetmja “detyrë” që kemi është shijimi në maksimum i qejfit dhe kënaqësive të kësaj bote. Asgjë se pasqyron “Zeitgeist-in” e kësaj epoke më mirë, se sa fakti, se sot emri më i kërkuar në “googel” është ia Paris Hiltonit. Pas orarit të mësimit shumë prej tyre e mbysin kohën e lirë, mërzinë dhe depresionin me konsumim të alkoolit dhe llojeve të ndryshme të drogave.

Mirëpo, jo çdo gjë është ashtu si duket. Dhe shumë shpejt do të kuptohet karakteri fragjil i këtij rendi. Autoritetet e një shkolle në Gjermani vendosin të eksperimentojnë më nxënësit e këtij institucioni, si pjesë plan-programit shkollor, me qëllim t’i mësojnë ata mbi esencën e demokracisë, anarkisë dhe autokracisë. Zbatimin e pjesës mbi autokracinë merr përsipër mësuesi Rainer Wegner (Jurgen Vogel). Pjesëmarrja në grup është vullnetare.

Pyetja e parë që Wegner ua shtron atyre që bëhen pjesë e këtij eksperimenti, ka të bëjë me verifikimin e dijeve të tyre për regjimin autokratik. Shumë nga participantët, s’kanë ndonjë përgjigje të qartë.

Ndërkaq, pas definimit të këtij modeli qeverisës, sipas burimit të saj etimologjik grek, si sundim nga një person i vetëm, të gjithë të pranishmit shprehen me siguri të plotë se një rikthim i mundshëm i këtyre formave ‘arkaike’ të sundimit nuk gjasa të ndodhë më. Sepse, si të tilla ato kanë përfunduar në ‘koshin e plehrave të historisë’ një e herë e përgjithmonë. Njerëzit nuk do të tundoheshin më nga ato variante ekstreme. Kurse e tashmja dhe ardhmja jonë është e sigurt plotësisht.

Mirëpo, siç do të verifikohet në fund të këtij eksperimenti, nuk ka asgjë më naive sesa shpresa të tilla. Po ashtu do të dëshmohet se çfarë përpjekje titanike dhe vullnet kolektiv “militant” demokratik kërkon mbrojta e këtij sistemi. Madje, të njëjtit nxënës që ishin të bindur për themelet e palëkundura të demokracisë do të shndërrohen në viktimat e para të dogmave të tyre.

Në vijim të implementimit të këtij plani, i cili duhet të zgjasë një javë, Wegner kërkon që të definohen rregullat e eksperimentit. Fillimisht, të ndërtohet disiplina e grupit, sepse kjo prodhon fuqi, të krijohet një logo, të caktohet kodi i veshjes së anëtarëve të tij si pjesë e strategjisë për t’u dalluar nga të tjerët si dhe duhet të gjendet një emër identifikues për grupin. Më këtë rast ky grup quhet Vala. Ngase në këtë mënyrë fuzionohet fryma kolektive dhe suspendohen veçantitë individuale, një kusht ky i domosdoshëm për të pasur sukses.

Këto masa nga pranohen me lehtësi nga shumica, me përjashtim të një nxënëseje, Karo (Jennifer Ulrich). Kjo e fundit, refuzon t’u bindet këtyre rregullave. Ndërkaq, ajo vendos të dalë nga Vala, duke e konsideruar si shumë të rrezikshme vazhdimin e kësaj nisme, çfarë edhe e fiton përçmimin e anëtarëve të tjerë. Shihet me dyshim. Madje, edhe nga vetë i dashuri i saj, Marco (Max Riemelt). Dhe më kryesorja duhet të caktohet një lider i lëvizjes, rol të cilën e merr vetë Rainer Wegner, por që kërkon që tash e tutje të quhet “Herr Wegner”.

Instruktive mbetet mënyra se si i detyron të gjithë që ta ndjekin një ritëm të njëjtë gjatë ushtrimeve. Sepse, me anë të një teknike të tillë shkatërrohen të gjitha urat e ndarjes. Kurse, në saje të kësaj shkrirje ngjizet masa. Mirëpo, që ky skenar të jetë i mundur patjetër duhet të shpiket një kundërshtar i jashtëm. E këtë kundërshtar klasa e autoritarizmit e gjejnë duke iu kundërvënë klasës së profesor Wielandit(Hubert Mulzer), e cila një kat më poshtë po eksperimentonte me ideologjinë e anarkisë.

Gradualisht dhe hap pas hapi, duke ushtruar autoritetin e tij mbi nxënësit Herr Wegner arrin që t’i manipuloj pjesëmarrësit e lojës. Dhe madje t’i bëjë që participantët që të ndjehen mirë me këto detyra. Ky proces i similumit fillon të dalë jashtë kontrollit, si për liderin e grupit ashtu edhe për pjesëmarrësit e tij. Sepse, i pari fillon të ndjehet gjithnjë e më komod në rolin e ri të autoritetit absolut, kurse nxënësit e përjetojnë një satafisaksion të veçantë psikologjik, nga varësia absolute që kanë për liderin. Çlirohen nga ankthi i lirisë. I detyrimit për të menduar për veten. Dhe për ta organizuar dhe drejtuar jetën personale duke u nisur nga vullneti autonom. Në vend të kësaj është një autoritet i jashtëm që mendon dhe e drejton grigjën. Ai ka përgjegjësi për funksionim dhe mirëmbajtjen e saj. Mjafton të ndiqet udhëheqësi. Kështu, merr fund trishtimi i abysit psikologjik.

Ngjarja merr kthesë tragjike ditën e fundit të eksperimentit. Sepse, tashmë nxënësit nuk dëshirojnë që të rikthehen në prozën e jetës së zakonshme dhe të mërzitshme që e kishin bërë deri atëherë. Prandaj, ishte e papranueshme shpërbëja e grupit dhe rikthime i të njëjtave zgavrime shpirtërore.

Dhe ky tension kuptohet qartë kur lexohen esetë e nxënëseve ditën e fundit, Sepse secili prej tyre kishte pasur për obligim të shkruante se çfarë risie u kishte ofruar përvoja e të qenit pjesë e Valës.

Përgjigjet ishin nga më të ndryshmet dhe më larmishmet. Njëri nga ta pohon se “gjithmonë i kisha pasur ato që doja; rroba, para, çdo gjë, po ajo që kisha më shumë ishte mërzia”. Për tjetrin, ky aktivitet ia kishte dëshmuar se “s’ka rëndësi kush ishte më i bukuri, më popullori apo më i suksesshmi, sepse Vala i kishte bërë të gjithë të barabartë” , “Vala i dha jetëve tona kuptim”etj etj, kishin shkruar nxënësit.

Në këtë klimë thuajse fashiste, Marco merr guximin, ngrihet në këmbë dhe e kundërshton retorikën e Rainer Wagner-it. Mirëpo, ky i fundit i kundërpërgjigjet të parit se është infektuar nga mendimet e të dashurës së tij. Akuzohet për tradhtar. U kërkon të tjerëve që ta sjellin në podium për ta dënuar. Dhe ata pa asnjë hezitim i nënshtrohen këtij urdhri. Papritmas shoku i tyre i deri atëhershëm shndërrohet në armik të brendshëm që i instrumentalizuar nga forcat e jashtme tenton ta sabotojë kohezionin e grupit dhe t’i minoj qëllimet e tij madhore. Këtu ndërhyn Wagner, e shpall të mbyllur eksperimentin e Valës dhe ua rikujton nxënëseve se sa naive dhe e pabazë kishte qenë bindja e tyre në fillim të eksperimentit, kur kishin pohuar se nuk ka gjasa që të lulëzojë përsëri autokracia. Mirëpo, deri sa zhvillohet ky komunikim papritmas kërcen në podium Tim, e nxjerr revolen dhe kërkon që të vazhdojë me çdo kusht kjo përvojë. Një nxënës tjetër thotë se e ka të zbrazët dhe tentohen të afrohet për t’ia marr. Por, revolja nuk ishte e zbrazët. Tim gjuan drejt e në të. Me një lëvizje të shpejt e drejton tytën ka Wagneri duke kërcënuar që të mos e ndërpres organizmin e Valës. Ky i fundit i drejtohet Timit me lutjen që ta ulë revolen. Por ai nuk stepet. Atëherë Wagneri i thotë që në nëse më qëllon mua, Vala do të mbetet pa drejtues dhe përsëri do të shpërbëhet. I tronditur nga kjo perspektivë zymtore, Tim e drejton revolen ka vetja dhe ia merr jetën vetës. Sepse, për të më jeta nuk kishte kuptim. Më mirë vetëvrasja se sa të jetuarit pa ideologjinë dhe organizimin e Valës si dhe pa Liderin e saj. Prandaj, vendos të sakrifikohet.

Ky përfundim tragjik dëshmon më mirë se asgjë tjetër, se me çfarë lehtësie të mahnitshme mund të mbijnë sistemet autokratike, nëse nuk mbrohen demokracitë dhe vlerat që ato përçojnë sikur se; liria, të drejtat individuale dhe veçantia e çdo qenie njerëzore. Sepse, siç thotë, Hanna Arendt, “të gjitha format e qeverisjes, që u shfaqen në çaste të ndryshme historike dhe u bazuan në eksperienca të ndryshme fondamentale,,, kanë qëndruar me njerëzimin, pa marrë parasysh dështimet e përkohshme, – monarkitë, republikat, tiranitë, diktaturat dhe despotizmat” . E pikërisht për këtë rrezik konstant na ndërgjegjëson filmi Vala (The Wave- Die Welle).

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!