×
Opinione

“Ma vranë babën”, rrëfim nga i mbijetuari i Masakrës së Mejës

Reporteri
27 Prill 2023 | 12:00

Autor: Jeton Sokoli


Fragment nga Jeta (pjesa e dytë) 27 -28 Prill 1999

Ne vazhduam për në rrugën kryesore ku pak metra më larg iu bashkuam një turme të madhe njerëzish; pleq, gra e fëmijë, aty u ribashkuam Shpëtimin.

Shpëtimi është vëllau im i dytë, ai atë mëngjes ishte dërgu nga babai tek baci Simon e baci Kristë, që t’ju tregoj se jemi rrëthu nga policia serbe dhe se duhet të iknin sa më shpejt.

Por duket se gjithçka ishte vonë, ata ishin kapur nga forcat serbe dhe ishin rënditur për rresht në livadh bashkë;. pra baci Simon, baci Kristë, Kastrioti (16 vjeq) dhe Shpetimi (16).

Kur lokja , grate e fëmijët po largoheshin nga shtëpia, Shpetimi kap për krahu loken, duke pretendu se po i ndihmon dhe kështu ai shpëton jeten.

Në turmë u bashkuam gjithë familja Sokoli, duke qarë e përqafuar secili. Kur unë e takova Shpetimin, u gëzova shumë sepse mendoja se edhe ai ishte vrarë, e duke u përqafuar i thashë : “ e kanë vra baben”.

Turma sa vinte e rritej , u bë kolonë. Pleq, gra e fëmijë të vegjel, të gjithë këmbë, të gjithë një rrugë kishim përpara, atë për Shqipëri.

Dikush kishte arritur të merrte një çantë krahu apo dore, pak bukë me vete, ndërsa ne si familje, nuk kishim afat të merrnim asgjë, vetem rrobat e trupit. Ajo që më mbet merak është se nuk i mora me vete fotografitë e familjes. Aty kishim gjitha kujtimet si fëmjije por mbi gjitha kishim fotografitë me baben.

Kur mbërritem në dalje të Gjakovës , rruga për Prizeren, policia serbe ndali Kolonen. Ata po shqyrtonin mundësitë se nga cila anë e kufirit duhet të iknim por të shihnin mos iu ka shpëtuar ndonjë burrë. Syri vrastar ishte mbi të gjithë ne.

Kurrë nuk do harroj, kur pashë komshiun tone të parë serb, Dragan Prenticin, i cili ishte përpara timonit dhe kishte një letër dhe një laps në dorë. Ai po vëzhgonte me kujdes se kush ishte në kolonë. Jam I sigurtë se ai ishte i përfshirë në masakër.

Gruaja e tij, Jovanka, vetem dy javë më përpara, i kishte thenë nanës se ;” do ju djegim të gjithëve”, dhe ja ku ishte burri i saj, duke u siguruar që ai kërcënim të bëhej realitet. Pra kërcënimi ishte PLAN I DETAJUAR që tani po ekzekutohej në detaje nga i gjithë aparati i shtetit serb.

Kur mbërritem në Xërxe, aty na u bashkuan disa makina të ushtrisë serbe, ku na urdhëruan të ndalëshim. Ne u ndalem aty rrëze një kodre plot gurë e therra. Ishim të trishtuar, shumë veta ende po qanim dhe në shok të asaj që po ndodhte.

Kurrë nuk do harroj se si gruaja e axhës, Dada Mari, nxorri buken që kishte arritë me marrë për katër djemt e saj të vegjel dhe e ndau edhe me ne të tjerët. Ajo tha ; “nuk kam shumë por këtë që kam do e ndaj edhe me ju”. Një grua dhe një nanë e jashtëzakonshme.

Në këtë moment, ushtria na jep urdhër të kthehemi në Meje, u bë një huti e madhe , një frikë e madhe se mos po na kthenin për të na masakruar edhe ne. Por nën bresherinë e automatikut në ajër, na sinjalizuan të ikim sa më shpejt për Shqipëri.

Na zuri nata, pak para se të linim qytetin e Prizerenit. Tani kolona jonë kishte kaluar më shumë se 1500 veta. Tani shumica ishim të lodhur, pa ngranë, pa pi, e duke ecur në këmbë.

Mama kishte Liridonin në gji, i cili ishte vetem 3 muajsh, gjatë gjithë kohes ishte i qetë, ndoshta se ishte duke pare qiellin më shumë se asnjëherë tjetër. Ndoshta se përkundej në krahë të mamës dhe motres së madhe Donikes disa here. Ndoshta Zoti kishte dërguar engjullin e tij mbrojtës dhe po e mbronte në këtë mënyrë.

Shpetimi disa here kishte marrë lokën në shpinë, ajo ishte e moshuar dhe nuk mund të ecte. Kur një kolonë tjetër me traktorë na arriti, ne njoftem dikë dhe kërkuam të bënin pak vend në traktor e ta merrnin nanë lokën se ndryshe nuk do ia dilte gjallë.

Pastaj Shpetimi gjeti një karrocë (kolicë) dhe e mbushi plot fëmijë të vegjel, të cilet nuk mund të ecnin. Shpetimi , një 16 vjeqar por me një zemer më të madhe se mosha e tij.

Emri ti tij atë ditë kishte marrur më të vertetë kuptimin e tij ,në praktikë; u shpëtua por edhe po shpëtonte të tjerë.

Naten, vendsosem të ulemi pak të pushojmë, ishim të dërrmuar, por pas pak minuatave makina të policies dhe ushtrisë kalojnë, gjuajnë bresheri automatiku në ajër dhe na kërkojnë të nisemi sa më pare për rrugë. Pra ne ishim gjithmonë nën përcjelljen e kriminelve.

Baci Pashk, afro 60 vjeq atë kohë, mrekullisht kishte arritë ti shpëtonte syrit vrastar serb. Ai tashmë kishte një mission të madh mbi supe ; ti printe e drejtonte kolonen e madhe, tashmë refugjatësh, drejt kufirit Kosovë- Shqipëri- Morinë.

Ai ishte si Moisiu që po kalonte popullin e Izraelit nëpër token e thatë të detit të hapur.

“Baci Pashk, edhe sa mbërrijmë në Shqipëri?
edhe pak bacë, a e sheh atë bjeshkë?
Po e shoh bacë,
Pas asaj bjeshke është kufiri”
Normal që nuk ishte, por ai si burrë i urtë, na jepte kurajo e zemer, se matanë asaj bjeshke do mbërrinim në token e lire të Shqipërisë.
“Bac a jemi gati?,
edhe pak Bac”.

Thash ma heret se kam vetem dy fotografi të babes, të cilin shpesh e shoh në ëndërr. Para 4 nete e pashë në ëndërr, nuk e njofta, kishte ndryshu, ishte plakë, ishte plakë e unë nuk e kisha pa. U mërzita e më mbeti hatri.

Ja kam harru zanin se si e ka pas, e besa shpesh edhe fytyren.

*Në përkujtim të babes tim të dashur, heroit tim, Filip Sokolit, axhës Simon dhe Kristë Sokoli, dhe Kastritotit tonë të ri e të dashur dhe atyre që ranë për të mos vdekur kurrë.
27 Prill 2023.

Pjesën e parë, postuar në 2022 mund ta lexoni në këtë KËTU.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!