×
  • Raporto
  • Opinione

    Mbi debatin e kotë për kisha e xhamia

    Autor:Faton Ismajli
    23 Gusht 2026 | 20:59

    Debati për kisha e xhamia është i fundit në hierarkinë e problemeve të shtetit tonë. Ose, thënë edhe më saktë, qytetarët e secilit qytet e fshat të Kosovës duhet të mërziten dhe, njëkohësisht, të angazhohen për tema që janë shumë më të mëdha sesa provokimet e një grushti njerëzish që s’ua ka parë hairin kush në këtë vend e tash kanë gjetur strehë të ndërtimi/rrënimi i një pllake diku në një tokë të harrume në një fshat të Vushtrrisë.

    Secili prej nesh duhet të angazhohet, të protestojë e të kërkojë llogari prej secilit pushtetar, qoftë të nivelit qendror apo lokal se pse s’po ka vende të mjaftueshme për fëmijët që të shkojnë në çerdhe publike, pse shteti s’po e kryen ende obligimin për librat e nxënësve.

    Duhet të protestojmë e të kërkojmë llogari edhe për rrugët e papërfunduara, për vdekjet nga aksidentet e çdoditshme, për faktin se nuk shkon java pa një lajm se dikush ka vdekur në vendin e punës, e edhe pse çmimi i naftës po shkon në 2 euro për litër.

    Unë dhe ti, si dhe secili qe ia do të mirën këtij vendi, duhet të protestojë, të angazhohet e të bërtasë se pse nuk po nis ndërtimi i një termocentrali që do të bëhej garantues i sigurisë energjetike të Kosovës.

    Ti, unë dhe çdo njeri normal duhet të angazhohemi mbi të gjitha për t’u kërkuar llogari atyre që kanë marrë besimin për ta udhëhequr shtetin, për t’i ndërtuar institucionet, e që këta pazarexhinj kanë zgjedhur t’i bllokojnë e sabotojnë.

    Kjo klase e çoroditur politike e bllokon dhe e saboton shtetin dhe, me gjasë, i konvenojnë debatet për kisha e xhamia, në vend që të merret ditë e natë me forcimin e tij dhe me përballjen ndaj Serbisë, e cila angazhohet pa u ndalur për ta paraqitur Kosovën si shtet të dështuar, që pengon Kosovën në njohjet e reja, që cenon çdo ditë sovranitetin e Kosovës.

    Se kush ndërton kisha, xhamia e teqe, se prej nga vijnë ato fonde, kush qëndron pas tyre, çfarë qëllimi kanë e kujt i shërbejnë, duhet të japin përgjigje të gjitha ato gra e burra që punojnë 24 orë për sigurinë dhe drejtësinë në Kosovë.

    Shpërndaje:
    Të ngjashme
    Të ngjashme
    ×

    © Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2026. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

    Linku i lajmit u kopjua!