×
Opinione

Mesazhet e Escobar për Kurtin: Modelin mund ta zgjedhësh, marrëveshja me Serbinë s’ka alternativë

Reporteri
28 Janar 2022 | 20:00
Editorial - Reporteri.net

Autor: Bekim Kabashi


Kryeministri Albin Kurti po i kalon ditët e fundit të qeverisjes së tij, duke mundur që dialogun me Serbinë ta mbajë jashtë prioriteteve të tij kryesore qeverisëse, siç edhe e kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore para se të vinte në krye të vendit. Administrata e re amerikane e ka konsoliduar makinerinë e saj diplomatike për Ballkanin Perëndimor, me anë të së cilës do t’i ndihmojë Kurtit, e nëse ai s’ka vullnet, edhe ta shtyjë ta ndryshojë renditjen e prioriteteve, që të përballet me temën e cila vlerësohet se duhet ta ketë numrin 1 në listën e tij të punëve.

Në prag të vizitës së tij të parë në Kosovë, i dërguari special i SHBA’së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, në një intervistë për Gazetën Online Reporteri.net, e bëri të qartë, pothuajse si asnjëherë më parë nga dikush tjetër, se Kosova dhe Serbia do të duhet hedhin hapat e fundit, më të vështirët, për të gjetur një pajtim i cili do të përmbyllej me lënien pas të së kaluarës, përmes njohjes së ndërsjellët, për të ecur përpara në interes të të dy popujve. Natyrisht se kjo nuk është fare e lehtë. Por, e kundërta sipas tij, do të jetë edhe më e rëndë.

Amerika, për dallim nga BE, e ka të qartë se çfarë duhet të nxjerrë në fund procesi i dialogut, dhe është e vetëdijshme se pa të kjo nuk mund të ndodh. Por, çfarë duhet ta ketë të qartë Kosova, dhe çka po i kërkohet asaj?

E para, kryeministri Kurti duhet të tregojë vullnet për këtë. Amerika është në fazën kur po e teston, pasi deri më tani ai nuk ka bindur. Pavarësisht se Kurti ka paralajmëruar që nga viti i kaluar se është në proces të një vizite në SHBA, Escobar e la të nënkuptohet, se ai akoma nuk e ka fituar besimin e partnerit, që kjo të ndodh. Para se ai të fitojë këtë besim, duhet ta dëshmojë se është i gatshëm të marr mbi supe barrën e kompromiseve që i kërkon arritja e një marrëveshje me Serbinë. Amerika është e gatshme ta ndihmojë.

Në të kaluarën ishte provuar shumë që marrëveshja finale të arrihet përmes Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, dhe më pas edhe përmes shkëmbimit të territoreve. Kurti kishte qenë kundërshtari më i madh i tyre, madje duke ndikuar që të dy këto opsione të bëhen pamundshëm të pranueshme. Ai është i kurthuar nga e kaluara e tij politike për këto tema, dhe e ka pothuajse të pamundur të dalë nga aty, por Amerika i ka zgjatur dorën që ta nxjerrë.

Escobar theksoi se mund të gjenden ide kreative, përmes shumë modeleve që tashmë janë provuar nëpër botë, e të dëshmuara se funksionojnë. Madje ai i bëri thirrje Kurtit që t’i shqyrtojë këto modele. Nuk përjashtohet mundësia, që disa të tilla edhe vetë t’i sjellë në Prishtinë, pas pak ditësh kur do të vijë në Kosovë, bashkë me ndërmjetësin e BE’së, Miroslav Lajçak. Ky mund të jetë momentumi kur Asociacioni dhe shkëmbimi i territoreve, deri tani të shikuara si mundësitë e vetme për një marrëveshje me Serbinë, të zëvendësohen me një ide të re, të cilën Kurti do ta kishte më të lehtë ta pranonte në tavolinën e dialogut.

Në këtë proces, janë dy palë. Përveç Kosovës është edhe Serbia. Por, ajo çfarë Amerika do, është që Kosova mos të e nxjerrë vetën në pozicionin që të shihet si pala e cila e bllokon procesin. Kjo metodë është ndjekur që nga Rambuje, e në secilin proces tjetër negociator. Kosova vetëm me Amerikën ka mundur të çlirohet nga Serbia, të shpallë pavarësinë, dhe të vijë deri këtu, ku njihet nga gjysma e shteteve të botës, shumica demokratike dhe më të zhvilluarat. Edhe ky hap i fundit, nuk ka se si bëhet ndryshe.

*(Ky është një editorial rreth intervistës që dha mbrëmë Gabriel Escobar për Gazetën Online Reporteri.net. E para intervistë e tij për ndonjë media në Kosovë, tre ditë para ardhjes të tij për vizitë në Prishtinë. Qëndrimet e këtij editorali janë dhe përfaqësojnë krejtësisht qëndrime të Gazetës Online Reporteri.net dhe të autorit të saj).

Gabriel Escobar për Reporteri: ‘Status quo’ në Dialog po e boshatisë Kosovën, njerëzit po ikin – Asociacioni nuk e cenon sovranitetin

Gabriel Escobar for Reporteri.net: ‘Status quo’ in Dialogue is emptying Kosovo – Association does not violate sovereignty

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!