×
Opinione

Meta në panik, merr rolin e kryeopozitarit

Reporteri
20 Shkurt 2020 | 22:21

Autor: Etleva Skonja 


Presidenti i Republikës Ilir Meta ka paralajmëruar një protestë, pasditen e 2 marsit.


Kreu i Shtetit, gjatë një konference për mediat paralajmëroi një besëlidhje me popullin, ndërsa deklaroi, se institucionet në bulevard do t’i kthehen popullit.

Në fakt, në situatën ku ndodhet Shqipëria, e cila po zbrazet çdo ditë e më shumë, pasi është zaptuar nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, një reagimi i ashpër duhej të vinte nga Opozita, nga ata që një vit më parë dogjën mandatet.

Presidenti i ka të saktësuara në Kushtetutë kompetencat e tij dhe në asnjë nen ku përcaktohen funksionet dhe detyrat që ai zbaton, nuk parashikohet thirrja e qytetarëve për protestë.

Qytetarët kanë njëmijë e një arsye për të protestuar, ditë dhe natë, për largimin e kësaj Qeverie, që ka mbjellur frikën për të jetuar në këtë vend, në këmbim të luksit të tyre dhe nuk iu duhen paralajmërimet e Presidentit apo thirrja e tij për të dalë në protestë.

Po, çfarë e shqetëson kaq shumë Metën, që zgjedh të bëjë kryeopozitarin?

Gjatë deklaratave të fundit në media, Meta është shfaqur i tendosur duke reflektuar nervozizëm dhe zemërim me argumentin se me ndryshimin e ligjit për betimin e gjyqtarëve, po bëhet grusht shteti.

Por, lepuri nuk fle tek mënjanimi i Presidentit nga mazhoranca për betimin e gjyqtarëve.

Për t’i shpëtuar drejtësisë, për bëmat e tij ndër vite që lidhen me pasurinë, Meta, duke përdorur pozicionin e Presidentit është gati t’i vërë zjarrin Shqipërisë.

Blloku i zi- video  e famshme e 7 përqindëshit  apo floriri i Krrabës, që u denoncua ashpër nga ish kryeministri Sali Berisha, i cili drejtoi gishtin ndaj Ilir Metës, janë disa nga çështjet, për të cilët qytetarët presin drejtësi.

Meta, nuk është më i pastër se Edi Rama, madje të dy, s’janë gjë janë gjë tjetër veçse prodhim i KCK-së, por njëri nga posti i Kryeministrit propagandon se po punon në shërbim të qytetarëve, ndërsa tjetri nga posti i Presidentit, hiqet si i shqetësuar për qytetarët.

Nëse Operacioni Forca e Ligjit, do të ishte vërtet një nismë serioze, të parët në listë që do të kontrolloheshin, duhej të ishin pikërisht Presidenti Ilir Meta dhe kryeministri Edi Rama, të cilët ndërsa krihen nga zyrat e tyre, po mundohen ti vënë zjarrin Shqipërisë.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!