×
Opinione

Ndërmjetësi i njëanshëm dihet se dështon

Reporteri
23 Nëntor 2022 | 18:01
Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Politik të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell

Autor: Stephan Israel, Berner Zeitung


Josep Borrellit dëshpërueshëm i duhet fitorja. Por, përkundrazi, kryediplomati evropian është fytyra e dështimit të BE’së në Ballkan, veçanërisht kur jemi te dialogu ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.

Këtë javë, spanjolli ftoi presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe kryeministrin kosovar Albin Kurtin, në një takim krize në Bruksel. Formalisht, ka të bëjë me ndalimin e një konflikti për njohje të ndërsjellë të targave, e cila ka qenë duke zënë vend për dhjetëra vite dhe tani për kërcënon të përshkallëzohet sërish. Pas tetë orësh u ndan pa asnjë rezultat.

Një president dhe shef qeverie ulen së bashku për tetë orë rreth një konflikti për targa dhe s’gjejnë dot zgjidhje. Në shikim të parë, kjo tingëllon absurde. Josep Borrel mëpastaj s’e fshehu frustrimin e tij dhe turpin e fajësoi mbi kryeministrin kosovar, Albin Kurtin. Kryediplomati evropian po ia bën të lehtë vetes gjërat. Brukseli në masë të madhe është fajtor për këtë dështim. BE mbështetet njëanësisht te burri i fortë i Beogradit dhe proteston vetëm me mirësjellje nëse Serbia nuk pranon sanksionet kundër Rusisë dhe madje merr të mirë Vladimir Putinin. Aleksandar Vuçiç mund ta shndërrojë Beogradin në korridor emigrantësh nga gjysma e botës në rrugën në Evropës dhe BE’ja ngurron të veprojë.

Kosova është vendi i vetëm në Ballkan që ende ia pret fundin liberalizimit të vizave.

Është më lehtë trysninë ta bësh mbi kreun e qeverisë kosovare si supozivisht partner më i dobët. Kosova është shtet i ri në komë. Si i vetmi vend në Ballkan, Kosova ende ia pret fundin kërkesës për viza për të hyrë në zonën Schengen. Përfaqësuesi i jashtëm Borrell ka vënë bast rolin i tij të ndërmjetësit neutral. Çështja e targave vetëm se qëndron për konflikt më të thellë mbi njohjen e Kosovës, gjë që e refuzon Serbia, edhe pas 20 vitesh që kur trupat e saj u larguan nga ish-provinca jugosllave.

Asokohe, NATO’ja e detyroi këtë tërheqje me fushatën ajrore në mënyrë që t’i jepte fund viteve të shtypjes ndaj popullatës shqiptare dhe spastrimit etnik të kryer nga regjimi i Sllobodan Millosheviç. Meqë ra fjala, presidenti i tanishëm serb ishte ministër i propagandës së Millosheviçit, i cili më vonë vdiq nga sulmi në zemër në një qeli të Hagës i akuzuar për krime lufte. Dhe Albin Kurti u deportua si i burgosur politik gjatë bombardimeve të NATO’s. Ia vlen të mbahet mend kjo kur të dy kundërshtarët janë të ulur bashkërisht në tryezë me kryediplomatin.

Kundër kësaj prapavije, gjithashtu, caktimi i njëanshëm i fajit nga kryediplomati duket e pavend. Presidenti i Serbisë nuk nxiton dhe është në interes të tij të mirëmbajë konfliktin me Kosovën që të mirëmbajë pushtetin në vend të vet. Beogradi gjithashtu mbështet forcat centrifugale në Bosnje-Hercegovinë, pjesërisht përmes një aleance të pashenjtë me Kroacinë. Brukseli ka kohë që neglizhon problemet e pazgjidhura në Ballkan dhe vetëm sa e ka kthyer përqendrimin tek to pas luftës ruse në Ukrainë. Tashmë mosdurimi është i madh. BE dëshiron paqe në Ballkan dhe mbështet njëanshëm tek burri i fortë në Beograd. Por, kjo ka dështuar në të kaluarën.

*Autori Stephan Israel është gazetar i njohur nga Zvicëra, i angazhuar në Associated Press (AP) dhe në “Berner Zeitung” ku u botua fillimisht kjo analizë e tij. Në vitin 1992 dhe gjatë luftërave në ish-Jugosllavi, ishte korrespondent për Evropën Qendrore dhe Juglindore. Që nga viti 2002 mbulon nga Brukseli marrëdhëniet e vështira dypalëshe dhe krizat në BE. Ky botim i tij në shqip u përkthye nga gazeta online Reporteri.net. 

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!