×
Opinione

NISMA-AKR në Kuvend: Pushteti i zbehur i Albin Kurtit

Reporteri
11 Nëntor 2019 | 16:10

Hyrja eventuale në Kuvend e koalicionit NISMA-AKR sjellë disa fitore e disa humbje në skenën politike. Natyrisht, fitorja më e madhe është për vetë koalicion në fjalë. Nga subjekte që pas mbetjes jashtë Kuvendit rrezikonin edhe shuarjen, mund të kthehen në një ‘King Maker’ për Qeverinë e ardhshme në vend.


Përmes kësaj analize të shkurtë, Reporteri.net parashikon se çka mund të ndodhë me Qeverinë e Re.

Një gjë dihet saktë: Pushteti i Albin Kurtit po zbehet.

Një qeveri me kushte e kompromise

Takimet e Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Vetëvendosjes për planin qeverisës dhe numrin e ministrive dhe ndarjen e posteve tjera, mund të kenë shkuar huq.

Një vendim i sotshëm i PZAP-it për ta anuluar votat e ardhura nga Serbia, rreth 3 mijë sosh, ka gjasa ta kthejë në fillim procesin e formimit te qeverisë dhe të zgjasë e mjegullojë edhe më shumë qeverisjen e re në vend, të udhëhequr nga Albin Kurti.

Mund të ndryshojë në tërësi matematikat dhe planet e Vetëvendosjes dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, të cilat deri më tani mund ta krijonin të vetme qeverinë, sepse bashkë kishin 61 deputetë. Tani ato humbin gjithsej 4 deputetë, VV 3 dhe LDK 1.

Me 59 vota nuk mund ta bëjnë qeverinë të vetme. Rrjedhimisht do të duhet të bëjnë kompromise më NISMA-n dhe AKR-në ose me minoritetet jo serbe. Pra, tash fatin e qeverisë e përcaktojnë partnerët e vegjël.

Ata mund të kushtëzojnë votën me pozita ministrore të rëndësishme, apo shtim të tyre. Një gjë e tillë prishë planet dhe zotimet e LDK-së e VV-së për vetëm 12 ministri.

Lufta LDK-VV për partneritet me NISMA-AKR

Një ndryshim i tillë në Kuvend ne Qeveri, pra futja eventuale e NISMA-AKR-së, do të thotë një betejë e re brenda qeverisë së Albin Kurtit. Do të jetë një betejë e LDK-së dhe VV-së se kush do të ketë më ngatë vetës Nismën dhe AKR-në. Sepse kjo do të kthejë në fuqi më të madhe të votës në qeveri dhe në Kuvend.

Shumë vendime do të mund të ishin peng i kompromisit apo zvarritjes si shkak i mospajtimeve. Në rrethana të tilla, Albin Kurti nuk do të mund të kishte duart e lira, nëse LDK do të kishte afër vetës Nismën dhe AKR-në. E kundërta, që ka pak gjasa të ndodhë, Albin Kurti do të minimizonte edhe më shumë rolin e LDK-së nëse do të kishte Limajn e Pacollin afër vetës.

Deri tash dihet se LDK ka më shumë afërsi me NISMA-AKR. Madje, lideri i LDK-së, Isa Mustafa ka thënë se mirëpret këtë koalicion në qeverisje. VV është treguar me e rezervuar.

Qeverisja e kaluar në Qeverinë e re

Nëse deri më tani mund të thuhej ‘ndryshim’, hyrja e Limajt dhe Pacollit në qeveri e zbeh dukshëm idenë se do të ketë një qeveri tërësisht të ndryshimit. Të dy këta bartin mbi vete qeverisjen e kaluar të udhëhequr nga Ramush Haradinaj. Pra punësimet familjare të Nismës, sa e sa vendime të këqija nga ministritë e tyre do të jenë ‘thes mbi supe’ të qeverisë së re.

Albin Kurti nuk do të mund të ketë më diskursin e njëjtë kundër qeverisë së kaluar, qoftë për korrupsion apo nepotizëm, apo për padituri në qeverisje.

Fitorja e parë e opozitës

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës mund të humbin nga një deputet, por mund të fuqizohen në Kuvend, me hyrjen e Nismës dhe AKR-së. Kjo e fundit në qeveri do të ishte një partner i brendshëm për ta, por po ashtu një argument më shumë për PDK dhe AAK që ta kundërshtojnë e ta fitojnë debatin me VV dhe LDK si ‘promovuese’ të ndryshimit.

Me Nismën e AKR-në në pushtet teoria e shkapjes së shtetit do të zbehet dhe vetë fakti se Albin Kurti do të jetë i detyruar të bëjë kompromise brenda qeverisë do të jetë një fitore për opozitën.

Edhe në rastet kur Kurti mund të injorojë partnerët qeveritarë për ndonjë ligj në Kuvend, do t’i duhet të bëjë kompromis me opozitën. Nëse NISMA-AKR hyjnë në Kuvend PDK mbetet me 24 deputetë e AAK-PSD me 13. /Reporteri.net/.

Shpërndaje:
Të ngjashme
Të ngjashme

© Reporteri (R Media L.L.C.), 2019-2024. Të gjitha të drejtat e rezervuara.

Linku i lajmit u kopjua!